Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

E dalë mode apo një hap para?

E dalë mode apo një hap para?

SHKENCA

BIBLA NUK ËSHTË LIBËR SHKENCOR, MEGJITHATË PËRMBAN POHIME SHUMË TË AVANCUARA PËR KOHËN KUR U SHKRUA. LE TË SHQYRTOJMË DISA SHEMBUJ.

A ka pasur fillim universi fizik?

Dikur shkencëtarët më në zë thoshin me bindje të plotë, jo. Ndërsa tani, në përgjithësi e pranojnë se universi ka pasur një fillim. Megjithatë, kjo e vërtetë ka qenë gjithmonë e qartë në Bibël.​—Zanafilla 1:1.

Çfarë forme ka toka?

Në kohët e lashta shumica mendonin se toka ishte e sheshtë. Në shekullin e pestë p.e.s. shkencëtarët grekë hodhën mendimin se toka është sferë. Por, kohë para kësaj, që në shekullin e tetë p.e.s., një nga shkrimtarët e Biblës, Isaia, foli për «rruzullin e tokës» duke përdorur një fjalë që përkthehet edhe «sferë».​—Isaia 40:22.

A prishen qiejt fizikë?

Aristoteli, shkencëtar grek i shekullit të katërt p.e.s, mësoi se procesi i prishjes ndodh vetëm në tokë, kurse qiejt nuk ndryshojnë e nuk prishen kurrë. Kjo pikëpamje vazhdoi për shekuj të tërë. Më vonë, në shekullin e 19-të shkencëtarët formuluan konceptin e entropisë, sipas së cilës çdo substancë, në qiell a në tokë qoftë, ka prirjen të prishet. Një nga shkencëtarët që e studioi këtë koncept, Lord Kelvini, vuri në dukje se Bibla thotë për qiejt e për tokën: «Ashtu si një rrobë, ata do të treten të tërë.» (Psalmi 102:25, 26) Kelvini besonte, tamam si thotë Bibla, se Perëndia mund të zgjedhë ta parandalojë këtë prishje, me qëllim që krijimi i Tij të mos shkatërrohet.​—Eklisiastiu 1:4.

Çfarë i mban planetët, si toka?

Aristoteli mësoi se trupat qiellorë gjendeshin brenda sferave të kristalta, të cilat vetë ishin vendosur brenda njëra-tjetrës, në qendër të të cilave kishin tokën. Në shekullin e 18-të shkencëtarët nisën të pranojnë idenë se yjet dhe planetët qëndrojnë mbi hiçin. Ama, në librin e Jobit që u shkrua në shekullin e 15-të p.e.s., lexojmë se Krijuesi ‘e mban tokën varur në asgjë’.​—Jobi 26:7.

 MJEKËSIA

EDHE PSE BIBLA NUK ËSHTË LIBËR MJEKËSOR, PËRMBAN PARIME QË PASQYROJNË NJOHURI TË PËRPARUARA NË FUSHËN MJEKËSORE.

Izolimi i njerëzve të sëmurë.

Sipas Ligjit të Moisiut, të lebrosurit duheshin veçuar nga të tjerët. Vetëm në Mesjetë, kur u përhapën epidemitë, mjekët filluan ta zbatonin këtë parim, i cili konsiderohet ende i efektshëm.​—Levitiku, kapitujt 13 dhe 14.

Larja pas prekjes së një kufome.

Deri nga fundi i shekullit të 19-të, shpesh mjekët i vizitonin pacientët pasi kishin prekur kufomat​—pa i larë duart. Kjo praktikë pune shkaktoi shumë vdekje. Ndërkohë në Ligjin e Moisiut thuhej se, nëse dikush prekte një kufomë, bëhej i papastër ceremonialisht, madje, kërkohej që të përdorej ujë për pastrimin ceremonial. Pa dyshim që këto praktika fetare mbronin edhe shëndetin.​—Numrat 19:11, 19.

Groposja e jashtëqitjeve.

Çdo vit, mbi 500.000 fëmijë vdesin prej diarresë, kryesisht për shkak të ekspozimit ndaj jashtëqitjeve të njeriut, të cilat nuk eliminohen siç duhet. Në Ligjin e Moisiut thuhej se jashtëqitjet e njeriut duheshin groposur jashtë kampit.​—Ligji i përtërirë 23:13.

Koha e rrethprerjes.

Ligji i Moisiut specifikonte se një djalë duhej të rrethpritej ditën e tetë pas lindjes. (Levitiku 12:3) Tani është kuptuar se te të sapolindurit aftësia e gjakut për t’u mpiksur arrin nivelin normal pas javës së parë. Në kohët biblike, përpara se të ekzistonin trajtimet e përparuara mjekësore, rrethprerja e foshnjës pas një jave ishte gjë e mençur dhe e mbronte.

Lidhja mes shëndetit emocional dhe atij fizik.

Studiuesit në fushën e mjekësisë dhe të shkencës thonë se emocionet pozitive, si gëzimi, shpresa, mirënjohja dhe gatishmëria për të falur ndikojnë për mirë te shëndeti. Bibla pohon: «Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç, por një frymë e dërrmuar i than kockat.»​—Proverbat 17:22.