Çfarë do të të ndihmojë ta shijosh leximin e Biblës dhe të përfitosh sa më shumë prej saj? Vër re pesë sugjerime që kanë ndihmuar mjaft veta.

Krijo një ambient të përshtatshëm. Përpiqu të gjesh një vend të qetë. Shmang shpërqendrimet që të përqendrohesh tek ajo që lexon. Ndriçimi i mirë dhe ajri i pastër mund të të ndihmojnë të nxjerrësh më tepër dobi nga leximi.

Mbaj qëndrimin e duhur mendor. Meqë Bibla është nga Ati ynë qiellor, do të përfitosh shumë nëse ke qëndrimin e një fëmije që është gati të mësojë nga një prind i dashur. Nëse ke ide negative të ngulitura për Biblën, përpiqu t’i lësh mënjanë që Zoti të të mësojë.​—Psalmi 25:4.

Lutu para se të lexosh. Bibla përmban mendimet e Perëndisë, prandaj kemi nevojë për ndihmën e tij që ta kuptojmë. Zoti premton t’u japë «frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Luka 11:13) Fryma e shenjtë do të të ndihmojë të kuptosh si mendon Perëndia. Me kalimin e kohës fryma do të të hapë mendjen që të kuptosh «madje edhe gjërat e thella të Perëndisë».​—1 Korintasve 2:10.

Lexo për të kuptuar. Mos lexo sa për të thënë. Vëre mendjen në punë kur lexon. Pyet veten: «Çfarë cilësish shoh te personazhi për të cilin po lexoj? Si mund ta zbatoj?»

Vër synime specifike. Që të nxjerrësh dobi nga leximi i Biblës, nisu me synimin që të mësosh diçka që do të ta pasurojë vërtet jetën. Mbase mund të vësh synime, si këto: «Dua të mësoj më shumë për Zotin. Dua të bëhem njeri më i mirë, bashkëshort ose bashkëshorte më e mirë.» Pastaj veço pjesë nga Bibla që do të të ndihmojnë t’i arrish këto synime. *

Këto pesë sugjerime do të të ndihmojnë të fillosh ta lexosh Biblën. Por si mund ta bësh edhe më interesant leximin? Artikulli vijues ofron disa sugjerime.

^ par. 8 Nëse nuk je i sigurt se cilat pjesë nga Bibla janë më të përshtatshme për ty, Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë me kënaqësi.