Fetë kanë mendime nga më të ndryshmet për shpirtin dhe se ç’ndodh me të pasi vdesim. Gjithsesi, Bibla jep një shpjegim të qartë.

A është i pavdekshëm shpirti?

ÇFARË THONË NJERËZIT:

Shumë besojnë se shpirti është i pavdekshëm. Disa besojnë se shpirti rilind vazhdimisht, duke u rishfaqur në një trup tjetër fizik pasi trupi i mëparshëm ka vdekur. Të tjerë besojnë se shpirti shkon në një botë tjetër, si për shembull në parajsë ose në ferr.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla nuk thotë se shpirti është i pavdekshëm. Në fakt, në të thuhet shpesh se shpirti vdes. Profeti Ezekiel, të cilin Perëndia e përdori për të shkruar një pjesë të Biblës, tha se shpirti mund të ndëshkohet me vdekje. Në një rast tjetër, Bibla përdor shprehjen ‘shpirt i vdekur’ për të përshkruar një kufomë. (Levitiku 21:11) Është e qartë, Bibla nuk mëson se shpirti është i pavdekshëm.

«Ai shpirt që mëkaton, do të vdesë.»Ezekieli 18:20.

A është shpirti pjesë e trupit?

ÇFARË THONË NJERËZIT:

Shpirti i jep jetë trupit gjatë kohës që dikush është gjallë, por, pas vdekjes, ai e lë trupin.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla përmend një nënë që ka lindur «gjashtëmbëdhjetë shpirt»—domethënë persona të gjallë që marrin frymë. (Zanafilla 46:18) Në fakt, fjala hebraike e përkthyer «shpirt», mund të përkthehet edhe «një që merr frymë». Ndonjëherë, ky term përdoret edhe për kafshët. Për më tepër, Bibla thotë se shpirti ka nevojë për ushqim. (Ligji i përtërirë 12:20) Nëse shpirti nuk do të ishte pjesë e trupit, a do të kishte nevojë të merrte frymë ose të hante? Në Bibël, fjala «shpirt» i referohet më shpesh tërë personit të gjallë, duke përfshirë trupin, ndjenjat dhe personalitetin e tij.

«Ajo i lindi . . . gjashtëmbëdhjetë shpirt.»Zanafilla 46:18.

 Çfarë ndodh me shpirtin pas vdekjes?

ÇFARË THOTË BIBLA:

Ashtu siç është e sigurt që trupi tretet pas vdekjes, «nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol [ose varr]». (Eklisiastiu 9:10) Shkrimet na thonë qartë se kur dikush vdes, «kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij». (Psalmi 146:4) Një shpirt i vdekur është në gjendje joaktive. Prandaj Shkrimet e përshkruajnë shpesh në kuptimin metaforik të vdekurin sikur «po fle».Mateu 9:24.

PSE KA RËNDËSI:

Kur të vdesin njerëzit e shtrenjtë, ti dëshiron të dish përgjigjet e pyetjeve të tilla, si: ku janë? Në ç’gjendje janë? A po vuajnë? Bibla na siguron se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për asgjë, prandaj ngushëllohemi duke ditur se njerëzit e dashur që na kanë vdekur, nuk po vuajnë më. Ngushëllohemi akoma më shumë kur dimë se Jehovai premton se në të ardhmen do t’i zgjojë shpirtrat e vdekur që janë të pavetëdijshëm e do t’u japë jetën.Isaia 26:19.

«Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.»Eklisiastiu 9:5.