Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 TEMA KRYESORE | SI TË BËSH PAQE NË SHTËPI?

Grindjet në familje—Si ndodhin?

Grindjet në familje—Si ndodhin?

«ZAKONISHT, paratë bëhen mollë sherri»,—pranon Sara * nga Gana, e cila ka 17 vjet e martuar me Jakobin. Ajo shpjegon: «Më ngrihen nervat sepse unë rropatem për familjen, kurse Jakobi nuk më flet kurrë për gjendjen financiare. Nuk i flasim njëri-tjetrit për javë të tëra.»

«Po, ka raste kur i bërtasim njëri-tjetrit,—përgjigjet i shoqi, Jakobi. Zakonisht, kjo ndodh për shkak të keqkuptimeve dhe të komunikimit të dobët. Grindemi edhe ngaqë reagojmë në mënyrë të tepruar kur ndodh diçka.»

Natani, një i sapomartuar nga India, përshkruan çfarë ndodhi një ditë kur vjehrri i bërtiti vjehrrës. Ai thotë: «Vjehrra u fye dhe doli nga shtëpia. Kur e pyeta vjehrrin pse i bërtiti ashtu, ai mendoi se unë, dhëndri, po e fyeja. Krejt papritur, nisi të na bërtiste të gjithëve.»

Mbase edhe ti e ke vërejtur se si pak fjalë të gabuara në kohën e gabuar mund të ndezin një grindje të madhe në shtëpi. Diçka që fillon si bisedë e qetë, shumë shpejt mund të përfundojë në një betejë me fjalë. Askush nuk mund të thotë gjithmonë tamam atë që duhet thënë, prandaj është kollaj t’i keqinterpretojmë fjalët e të tjerëve dhe t’u veshim atyre motive të gabuara. Sidoqoftë, mund të arrihet njëfarë paqeje dhe harmonie.

Ç’mund të bësh kur shpërthen një debat i zjarrtë? Ç’hapa mund të ndërmarrësh që familja të ketë sërish paqe e qetësi? Si mund të ruhet paqja në familje? Të lutemi, lexo çfarë thuhet më tej.

^ par. 3 Disa emra në këta artikuj janë ndryshuar.