BIMËT përdorin një proces të ndërlikuar të quajtur fotosintezë për ta shndërruar energjinë diellore në lëndë ushqyese. Studimet te disa lloje bimësh kanë zbuluar se ato kanë edhe një aftësi tjetër: llogaritin shpejtësinë optimale për të konsumuar lëndën ushqyese gjatë natës.

Shqyrto faktet: Gjatë ditës, bimët e shndërrojnë dyoksidin e karbonit të atmosferës në amidon (niseshte) e në sheqerna. Kurse gjatë natës shumë lloje bimësh konsumojnë rezervat e amidonit që janë mbledhur ditën dhe falë kësaj nuk thahen nga mungesa e ushqimit, ruajnë frytshmërinë dhe vazhdojnë rritjen. Për më tepër, ato i konsumojnë rezervat e amidonit tamam me shpejtësinë e duhur—as tepër shpejt, as tepër ngadalë—me qëllim që të shfrytëzojnë rreth 95 për qind të amidonit deri në agim, kur nisin ta prodhojnë prapë.

Këto zbulime u bazuan në eksperimentet që u bënë me një bimë të familjes së sinapit, që quhet Arabidopsis thaliana. Studiuesit panë se kjo bimë i racionon me kujdes rezervat e lëndës së saj ushqyese sipas gjatësisë së natës, pavarësisht nëse duhen edhe 8, 12 apo 16 orë deri në agim. Me sa duket bima e ndan sasinë e amidonit sipas kohëzgjatjes që mbetet deri në agim, duke përcaktuar kështu shpejtësinë optimale të konsumimit.

Si arrijnë t’i racionojnë bimët rezervat e amidonit? Si e llogaritin kohën? Dhe, ç’lloj mekanizmi përdorin për të bërë llogari matematikore? Kërkime të mëtejshme mund të hedhin dritë mbi këto pyetje.

Si mendon? A erdhi me evolucion aftësia e bimëve për të bërë llogari matematikore? Apo është projektuar?