TRANSOKSANÌ. Vendi mes lumenjve. Tartarì. Turkistan. Shumë emra janë përdorur për rajonin që sot përfshin Uzbekistanin, që do të thotë «toka e uzbekëve». Që në shekullin e 15-të, qytetet e Uzbekistanit shërbenin si vend pushimi për tregtarët që udhëtonin në Rrugën e Mëndafshit, një rrjet rrugësh që dikur lidhte Kinën me Mesdheun. Sot në tregun e tekstileve të uzbekëve mbizotëron pambuku. Atje shiten edhe qilima të bukur pambuku, leshi ose mëndafshi.

Gjatë historisë, në kulturën uzbeke kanë ndikuar shumë popuj. Përmes maleve e shkretëtirave të Uzbekistanit kanë marshuar pushtues të famshëm me ushtritë e tyre të fuqishme. Ndër ta ishin Aleksandri i Madh, që atje njohu Roksanën e tij të shtrenjtë; Çangis Hani nga Mongolia dhe Timuri (i njohur edhe si Tamerlani), një vendës që sundoi mbi një nga perandoritë më të mëdha në histori.

Veshje tradicionale

Qytetet e sotme të Uzbekistanit stolisen nga monumente madhështore plot ngjyra, me kubé të mbuluara  me pllaka ngjyrë blu. Mjaft prej këtyre ndërtesave përdoren si shkolla.

Rruga e Mëndafshit. Ky rrjet rrugësh tregtare, i përdorur që para erës sonë dhe mjaft i rrahur derisa u hap rruga detare për në Indi në fund të shekullit të 15-të të e.s., luante rol të rëndësishëm në botën tregtare. Një pjesë e tij kalonte edhe aty ku tani ndodhet Uzbekistani.

Endin qilima mëndafshi

Deti Aral. Si pasojë e devijimit të ujit për vaditje, deti Aral, dikur liqeni i katërt për nga madhësia në botë, tani po thahet. Uzbekistani po përpiqet ta zgjidhë këtë problem në bashkëpunim me kombe të tjera të Azisë Qendrore.

Ndryshimet e alfabetit. Në Uzbekistan janë folur gjuhë të ndryshme dhe pas pushtimit islam në shekullin e tetë u përvetësua gjuha arabe. Pasi vendi hyri në Bashkimin Sovjetik, në fillim u përdor alfabeti latin dhe nga fundi i viteve 30 u zëvendësua me atë cirilik. Më 1993 një ligj i ri miratoi alfabetin uzbek, që bazohet në shkronja latine.

Fruta të thata në një treg qyteti