Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 PIKËPAMJA E BIBLËS

Varfëria

Varfëria

Miliona veta në mbarë botën jetojnë në varfëri, me gjithë përpjekjet e sinqerta për ta zgjidhur këtë problem.

Si mund të jenë të lumtur të varfrit?

ÇFARË THONË NJERËZIT:

Mjaft persona besojnë se mund ta arrijnë lumturinë e një jetë domethënëse nëpërmjet të mirave materiale dhe se suksesi i vërtetë varet kryesisht nga të ardhurat që ka dikush. Ata që gjenden në kurthin e skamjes nuk pritet që të bëjnë jetë të lumtur e me kuptim, sepse nuk kanë mjaftueshëm ose fare arsimim bazë, kujdes të mirë shëndetësor dhe përfitime të tjera.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Shkrimet e Shenjta mësojnë se lumturia e vërtetë nuk varet nga situata ekonomike, por nga marrëdhënia me Krijuesin. Bibla thotë: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.» (Mateu 5:3) Pavarësisht nga gjendja ekonomike, ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë nxiten të kërkojnë pikëpamjen e tij për gjërat, dhe si rezultat mësojnë të vërtetat biblike që sjellin shumë lehtësim e paqe mendore. Nga kjo vjen lumturia e vërtetë.

Ata që i kuptojnë dhe i zbatojnë këshillat biblike, e përballojnë më mirë varfërinë. Për shembull, këshillat e Biblës i ndihmojnë njerëzit të shmangin zakonet e dëmshme, si pirja e duhanit dhe abuzimi me alkoolin. Si pasojë e zakoneve të tilla, paratë shpërdorohen dhe mund të lindë nevoja për trajtim mjekësor të shtrenjtë.Proverbat 20:1; 2 Korintasve 7:1.

Bibla paralajmëron edhe për pasojat e dëmshme të lakmisë e të materializmit. (Marku 4:19; Efesianëve 5:3) Këto këshilla e ndihmojnë dikë të mos i prishë paratë në bixhoz dhe të mos zhvillojë ‘dashurinë për para’, që Bibla e përshkruan si ‘rrënjën e çdo lloj gjëje të dëmshme’. (1 Timoteut 6:10) Shkrimet paralajmërojnë: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) E thënë thjesht, vetë jeta nuk mund të blihet me asnjë shumë parash. Nga ana tjetër, kur veprojmë sipas këshillave të mençura biblike, do të kemi jetë domethënëse dhe kjo sjell lumturi të vërtetë.

Edhe pse të varfrit e kanë vështirë të sigurojnë ushqim, veshje e strehim, mund të jenë mjaft të lumtur duke mësuar të kënaqen me aq sa kanë. Këtë e arrijnë kur jetojnë në harmoni me vullnetin e Krijuesit dhe kur përpiqen me gjithë shpirt ta kënaqin Atë. Kështu kuptojnë sa i vërtetë është ky premtim biblik: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe ai nuk shton asnjë dhembje.»Proverbat 10:22.

SHKRIMI KYÇ: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.»Mateu 5:3.

 A do të zhduket ndonjëherë varfëria?

ÇFARË THOTË BIBLA:

Përpjekjet njerëzore për ta lehtësuar problemin e varfërisë nuk kanë pasur sukses, por në kohën e duhur Perëndia do ta drejtojë vëmendjen te rrënja e këtij problemi, te prirja egoiste e njerëzve dhe e qeverive për t’u kujdesur vetëm për xhepin e tyre. (Eklisiastiu 8:9) Krijuesi do t’i zëvendësojë qeveritë njerëzore që motivohen nga egoizmi. Mbretëria e tij, ose qeveria qiellore, me bujari do të sigurojë gjërat e nevojshme për të gjithë banorët e tokës, pa asnjë dallim. Bibla premton qartë se Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë do t’i plotësojë me dhembshuri nevojat e atyre që jetojnë në skamje. «Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë. . . . Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve.»Psalmi 72:12-14.

Toka do të bëhet një parajsë e vërtetë me strehim e ushqim për të gjithë, pa asnjë gjurmë varfërie. Në librin biblik të Isaisë, Perëndia premton se adhuruesit e tij ‘do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Të zgjedhurit e tij do të nxjerrin dobi të plotë nga vepra e duarve të tyre’. (Isaia 65: 21, 22) Në vend që të rropaten vetëm për bukën e gojës, të gjithë do të shijojnë «një gosti me gjellë plot yndyrë» dhe gjëra të tjera të mira nga Jehovai.Isaia 25:6.

PSE KA RËNDËSI?

Kur ata që jetojnë në kushte të mjera bluajnë në mendje premtimin e Zotit për një botë pa varfëri, marrin zemër se e dinë që ai merakoset për ta dhe se fundi i betejës së tyre është afër. Përqendrimi te kjo shpresë u jep forcë që të durojnë kushtet e vështira sot.

SHKRIMI KYÇ: «Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë. . . . Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri, dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve.»Psalmi 72:12, 13.