Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 PIKËPAMJA E BIBLËS

Toleranca

Toleranca

Miratimi, falja dhe toleranca nxitin marrëdhënie paqësore. Por a duhet të ketë një cak toleranca?

Cili është sekreti për të qenë më tolerant?

REALITETI SOT:

Mbarë botën e kanë përpirë flakët e fanatizmit, që ndizen edhe më shumë nga paragjykimet racore dhe etnike, nacionalizmi, krenaria fisnore dhe ekstremizmi fetar.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Gjatë predikimit, Jezu Krishti shihte kudo mungesë tolerance. Sidomos judenjtë dhe samaritanët e urrenin njëri-tjetrin. (Gjoni 4:9) Gratë i trajtonin si më të ulëta se burrat. Udhëheqësit fetarë judenj i përbuznin njerëzit e thjeshtë. (Gjoni 7:49) Por Jezu Krishti ndryshonte me ta si dita me natën. Kundërshtarët e tij thanë: «Ky njeri i mirëpret mëkatarët dhe ha me ta.» (Luka 15:2) Jezui ishte i mirë, i durueshëm dhe tolerant sepse erdhi për t’i ndihmuar njerëzit të njihnin Zotin, jo për t’i gjykuar. Motivi i tij kryesor ishte dashuria.Gjoni 3:17; 13:34.

Jezui, personifikimi i tolerancës, erdhi për t’i ndihmuar njerëzit të njihnin Zotin, jo për t’i gjykuar

Dashuria, sekreti për të qenë më tolerantë, na bën shpirtgjerë ndaj të tjerëve, pavarësisht nga të metat dhe huqet e tyre. Kolosianëve 3:13 thotë: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.»

«Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.»1 Pjetrit 4:8.

 Pse duhet të ketë një cak toleranca?

REALITETI:

Në shumicën e kulturave njerëzit përpiqen të zbatojnë ligjet dhe të ruajnë rendin. Prandaj zakonisht vendosin kufij të arsyeshëm për sjelljen.

ÇFARË THOTË BIBLA:

«[Dashuria] nuk sillet në mënyrë të pahijshme.» (1 Korintasve 13:5) Ndonëse Jezui ishte shembull për sa i përket tolerancës, nuk toleroi paturpësinë, hipokrizinë dhe forma të tjera të ligësisë. Përkundrazi, i dënoi haptazi. (Mateu 23:13) Madje tha: «Ai që praktikon gjëra të poshtra, e urren dritën [e së vërtetës].»Gjoni 3:20.

Apostulli i krishterë Pavël shkroi: «Urreni thellësisht atë që është e ligë, kapuni fort pas asaj që është e mirë.» (Romakëve 12:9) Ai jetoi në harmoni me këto fjalë. Për shembull, kur disa të krishterë judenj u ndanë nga besimtarët jojudenj, Pavli, që edhe vetë ishte jude, foli troç, por me dashamirësi. (Galatasve 2:11-14) Ai e dinte se Zoti, i cili «nuk është i anshëm», nuk i toleron paragjykimet racore mes popullit të tij.Veprat 10:34.

Si të krishterë, Dëshmitarët e Jehovait udhëhiqen nga Bibla kur vjen puna te normat morale. (Isaia 33:22) Prandaj nuk e tolerojnë ligësinë mes tyre. Kongregacioni i pastër i krishterë nuk duhet të ndotet nga njerëz që i shpërfillin parimet e Perëndisë. Ja pse Dëshmitarët i binden urdhrit të qartë biblik: «Hiqeni të ligun nga mesi juaj.»1 Korintasve 5:11-13.

«Ju që doni Jehovain, urreni të keqen.»Psalmi 97:10.

A do ta tolerojë përgjithmonë Zoti ligësinë?

ÇFARË BESOJNË SHUMË NJERËZ:

Për shkak të natyrës sonë të papërsosur, ligësia do të ekzistojë gjithnjë.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Profeti Habakuk iu lut Perëndisë Jehova: «Përse . . . vazhdon [ta tolerosh] ligësinë? Përse para meje ka grabitje dhe dhunë, pse ka grindje dhe zënka?» (Habakuku 1:3, NWT, botimi 2013) Zoti ia hoqi dyshimet profetit të tij duke e siguruar se do t’i kërkonte llogari të ligut. Ai tha për këtë premtim: «Pa dyshim do të dalë i vërtetë. Nuk do të vonojë.»Habakuku 2:3.

Ndërkohë, keqbërësit kanë mundësi të kthejnë rrugë. «Mos vallë kënaqem me vdekjen e të ligut?—thotë Zotëria Sovran Jehova.—Jo, përkundrazi, kënaqem kur ai kthen rrugë e vazhdon të jetojë.» (Ezekieli 18:23) Ata që kërkojnë Jehovain duke braktisur udhët e këqija, mund ta shohin të ardhmen me besim. Te Proverbat 1:33 lexojmë: «Ai që më dëgjon, do të banojë i sigurt dhe i patrazuar nga tmerri i gjëmës.»

«Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. . . . Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»Psalmi 37:10, 11.