NË VITIN 1953, shkencëtarët e biologjisë molekulare Xhejms Uotson dhe Fransis Krik bënë publik një zbulim që ishte pikë kthese në kuptueshmërinë tonë shkencore për jetën. Kishin zbuluar strukturën prej spiraleje të dyfishtë të ADN-së. * Kjo substancë në trajtë filli, që kryesisht ndodhet në bërthamën e qelizës, përmban informacione të koduara, ose «të shkruara», dhe kjo i bën qelizat «biblioteka të gjalla». Me këtë zbulim mahnitës nisi një epokë e re në biologji. Por pse shërbente informacioni i shkruar në qeliza? Dhe, ç‘është më interesantja, nga erdhi ky informacion?

 PSE KANË NEVOJË PËR INFORMACION QELIZAT

A ke menduar ndonjëherë si bëhet pemë një farë ose si bëhet njeri veza e pllenuar? Po tiparet, si i ke trashëguar nga prindërit? Përgjigjet gjenden tek informacioni brenda ADN-së.

Thuajse të gjitha qelizat kanë ADN, molekula komplekse që i ngjajnë shkallëve të gjata e të përdredhura. Në gjenomin e njeriut, që është tërësia e ADN-së në trupin tonë, shkallët kanë afro tre miliardë «shkallare» kimike. Shkencëtarët i quajnë këto shkallare çifte bazash sepse secila prej tyre përbëhet nga dy prej katër substancave kimike. Inicialet e këtyre substancave sipas shkronjës së parë janë A, C, G dhe T—një «alfabet» i thjeshtë me katër shkronja. * Më 1957 Kriku hodhi idenë se udhëzimet e koduara formohen nga radhitja në vijë të drejtë e shkallareve kimike. Ky kod filloi të deshifrohej në vitet 60.

Informacionet, qofshin në formën e imazheve, të tingujve apo të fjalëve, mund të ruhen dhe të përpunohen në mjaft mënyra. Për shembull, kompjuterët e bëjnë këtë në mënyrë dixhitale. Kurse qelizat e ruajnë dhe e përpunojnë informacionin në mënyrë kimike, ku elementi kryesor është ADN-ja. Ajo kalon nga një qelizë në tjetrën gjatë ndarjes së tyre dhe gjatë riprodhimit të organizmave, aftësi që konsiderohen thelbësore për jetën.

Si e përdorin qelizat informacionin? Imagjinoje ADN-në si një grup recetash gatimi, ku në secilën përshkruhen procese hap pas hapi, dhe çdo hap përshkruhet me kujdes e me terma specifikë. Por në vend që të dalë një kek ose biskotë, mund të dalë lule ose zog. Natyrisht, proceset në qeliza ndodhin  në mënyrë krejt automatike, diçka tjetër që ua shton shkallën e kompleksitetit e të zhvillimit.

Qeliza bakteriale mban informacion sa një libër me 1.000 faqe

Informacioni gjenetik ruhet derisa të jetë i nevojshëm, ndoshta për të zëvendësuar qelizat e vjetra ose të sëmura me qeliza të reja e të shëndetshme, ose për të transmetuar tiparet te pasardhësit. Sa informacion mban një ADN? Të shohim një nga organizmat më të vegjël, bakterin. Shkencëtari gjerman Bernt-Olaf Kupers tha: «E thënë në gjuhë të kuptueshme, informacioni molekular që përshkruan ndërtimin e një qelize bakteriale do të ishte sa një libër me rreth një mijë faqe.» Me të drejtë profesori i kimisë Dejvid Dimer shkroi: «Edhe kompleksiteti i formës më të thjeshtë të jetës të lë gojëhapur.» Po gjenomi i njeriut, sa informacion përmban? Kupersi thotë: «Sa një bibliotekë me disa mijëra vëllime.»

«SHKRUAR NË ATË MËNYRË QË MUND TA KUPTOJMË»

Kupersi thotë se përshkrimi i informacionit të shkruar në ADN në «gjuhën molekularo-gjenetike» është më tepër se «thjesht metaforik». Ai thekson se «ashtu si gjuha e njeriut, edhe gjuha molekularo-gjenetike ka sintaksën e vet». E thënë thjesht, ADN-ja ka një «gramatikë» ose një sërë rregullash që përcaktojnë me saktësi formimin dhe zbatimin e udhëzimeve të saj.

«Fjalët» dhe «fjalitë» në ADN përbëjnë «recetat» e ndryshme që drejtojnë prodhimin e proteinave e të substancave të tjera, të cilat formojnë pjesët e qelizave të ndryshme, që nga ana tjetër formojnë trupin. Për shembull, «receta» mund të drejtojë prodhimin e qelizave të kockave, të muskujve, të nervave ose të lëkurës. Evolucionisti Mat Ridli shkroi: «Filli i ADN-së është informacion, një mesazh i shkruar në një kod substancash kimike, ku një substancë përkon me një shkronjë. Është tepër e bukur për të qenë e vërtetë, por siç duket kodi është shkruar në atë mënyrë që mund ta kuptojmë.»

Shkrimtari biblik, Davidi, i tha Zotit në lutje: «Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e  tij.» (Psalmi 139:16) Patjetër, Davidi përdori gjuhë poetike. E megjithatë parimisht i ra pikës, siç kanë bërë të gjithë shkrimtarët biblikë. Asnjë prej tyre nuk u ndikua sadopak nga mitologjia ose folklori imagjinar i popujve të lashtë.2 Samuelit 23:1, 2; 2 Timoteut 3:16.

Si i trashëgon një fëmijë tiparet nga prindërit?

NGA ERDHI KY INFORMACION I SHKRUAR?

Siç ndodh shpesh, kur shkencëtarët shpjegojnë një mister, dalin pyetje të tjera. Kështu ndodhi kur u zbulua ADN-ja. Kur u kuptua se ajo përmbante informacion të koduar, shumë njerëz ngritën pyetjen: «Po nga erdhi ky informacion?» Sigurisht që asnjë njeri nuk e pa si u formua molekula e parë e ADN-së. Kështu që përfundimet duhet t’i nxjerrim vetë. Prapëseprapë, këto përfundime nuk ka pse të jenë spekuluese. Të shohim nja dy krahasime.

  • Më 1999 në Pakistan u gjetën copëza enësh balte me shenja ose simbole të pazakonta. Këto shenja kanë mbetur të padeshifruara. Gjithsesi, mendohet se i ka bërë dikush.

  • Disa vjet pasi Uotsoni dhe Kriku zbuluan strukturën e ADN-së, dy fizikanë sugjeruan që të kërkonin sinjale të koduara radioje nga hapësira. Kështu filloi kërkimi i deritanishëm për qenie jashtëtokësore me intelekt.

Përfundimi? Njerëzit e kuptojnë se çdo lloj informacioni vjen nga një qenie me intelekt, qoftë kur ky informacion është në formë simbolesh në enë balte, qoftë në formë sinjalesh nga hapësira. Për të arritur në këtë përfundim, nuk ka nevojë ta shohin si krijohet informacioni. E megjithatë, kur u zbulua kodi më i sofistikuar që njeh njeriu, kodi kimik i jetës, mjaft veta nuk ia vunë veshin kësaj logjike dhe ia dhanë meritën për ADN-në proceseve të rastësishme, të padrejtuara nga një intelekt. A është e logjikshme kjo? A përputhet me faktet? A është vërtetuar shkencërisht? Disa shkencëtarë të respektuar thonë jo. Ndër ta është edhe doktori Xhin Huang e profesori Jan Dë Shue. Ja ç’thonë ata.

Doktori Xhin Huang studion bazat matematikore të gjenetikës. Dikur besonte tek evolucioni, por gjatë studimeve ndryshoi mendim. Ai tha për revistën Zgjohuni!: «Studimi i gjenetikës të jep kuptueshmëri të thellë për mekanizmat e jetës, kuptueshmëri që të mbush me nderim për mençurinë e Krijuesit.»

Profesori Jan Dë Shue është drejtor i kërkimeve për embrionin në Universitetin Kombëtar të Shkencës e të Teknologjisë në Pingtung të Tajvanit. Edhe ai dikur besonte tek evolucioni, derisa nga studimet nxori përfundime të tjera. Ai tha për ndarjen dhe për rolin specifik të qelizave: «Qeliza të caktuara duhet të prodhohen sipas një radhe të caktuar dhe në vendin e caktuar. Në fillim  grupohen në inde, të cilat pastaj grupohen dhe formojnë organet e gjymtyrët. Inxhinierët as që ëndërrojnë të shkruajnë udhëzime për një proces të tillë. E prapëseprapë udhëzimet për zhvillimin e embrionit janë shkruar shkëlqyeshëm brenda ADN-së. Kur shoh bukurinë e gjithë kësaj, bindem se jetën e ka projektuar Zoti.»

Xhin Huangu (majtas) dhe Jan Dë Shue

A KA RËNDËSI?

Nëse duam të jemi të drejtë, po. Nëse jetën e krijoi Zoti, atëherë merita i takon atij, jo evolucionit. (Zbulesa 4:11) Gjithashtu, nëse jemi vepra e një Krijuesi kaq të mençur, atëherë ka arsye pse na ka krijuar. Nuk do të ishte kështu nëse jeta do të vinte nga procese të padrejtuara nga dikush. *

Vërtet, njerëzit si qenie me intelekt janë të etur për përgjigje bindëse. Viktor Frenkli, profesor i neurologjisë dhe i psikiatrisë, tha: «Kërkimi për qëllimin e jetës është motivi kryesor i njeriut.» Me fjalë të tjera, ne kemi aq etje për të mësuar për Zotin, sa mezi presim ta shuajmë, dhe kjo etje merr kuptim vetëm nëse jemi krijuar nga Perëndia.» Por, nëse jemi vepër e duarve të tij, a na e ka dhënë edhe mjetin për ta shuar këtë etje?

Jezu Krishti iu përgjigj kësaj pyetjeje kur tha: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait [ose e Perëndisë].» (Mateu 4:4) Fjalët e Jehovait të dokumentuara në Bibël kanë shuar etjen e miliona vetave duke u dhënë jetës së tyre kuptim e shpresë për të ardhmen. (1 Selanikasve 2:13) Urojmë që Bibla të të ndihmojë njësoj edhe ty. Ky libër unik meriton të paktën ta studiosh.

^ par. 3 Uotsoni dhe Kriku punuan mbi bazën e hedhur nga studiues të tjerë për ADN-në, që është shkurtimi për acidin dezoksiribonukleik.—Shih kutinë « ADN-ja—Data historike

^ par. 6 Këto janë inicialet për bazat kimike adeninë, citozinë, guaninë dhe timinë.

^ par. 22 Çështja krijim apo evolucion trajtohet më plotësisht në broshurat Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh dhe A u krijua jeta?, që disponohen në www.jw.org.