A TË ka dalë jeta duarsh për shkak të ndonjë sëmundjeje kronike, të divorcit apo të humbjes së një njeriu të dashur? Kur lindin probleme për të cilat s’mund të bësh gjë, ndoshta ndihesh i pafuqishëm dhe dëshiron që gjërat të ndryshojnë. Si mund t’i marrësh sërish gjërat në dorë?

SHEMBULL BIBLIK: PAVLI

Apostulli Pavël udhëtoi gjithandej si misionar i zellshëm në shekullin e parë. Por, këto udhëtime morën fund kur e arrestuan pa të drejtë dhe e izoluan për dy vjet në një shtëpi nën mbikëqyrjen e ushtarëve. Kjo nuk ia preu krahët, por u përqendrua tek ajo që mund të bënte. Të gjithë ata që e vizitonin, i ngushëllonte dhe i inkurajonte të qëndronin të fortë në besim. Madje në këto rrethana shkroi disa nga letrat që tani janë pjesë e Biblës.Veprat 28:30, 31.

SI IA BËN ANJA?

Siç thamë në artikullin e mëparshëm, Anja është ngujuar mes katër muresh. Ajo pohon: «Kanceri ka prekur çdo pjesë të jetës sime. Nuk mund t’ia lejoj vetes të marr ndonjë infeksion pikërisht tani, prandaj puna dhe jeta shoqërore janë luks për mua.» Si i përballon problemet që nuk varen prej saj? Anja shprehet: «Çelësi ishte krijimi i një rutine të re. U dhashë përparësi gjërave më të rëndësishme dhe bëra një program duke mbajtur parasysh kufizimet. Kjo më jep ndjesinë që i kam gjërat nën kontroll.»

«Kam mësuar që në çfarëdo rrethane, të kënaqem me aq sa kam.»—Fjalët e Pavlit te Filipianëve 4:11

ÇFARË MUND TË BËSH?

Nëse ndihesh i pafuqishëm para problemeve, provo sugjerimet e mëposhtme.

  • Përqendrohu te gjërat që mund të kesh nën kontroll. Për shembull, shëndeti ndoshta nuk varet plotësisht nga ti, ama mund të bësh fizkulturë, të hash ushqime të shëndetshme ose të pushosh mjaftueshëm.

  • Përcakto qartë synimet e tua. Mendo çfarë mund të bësh konkretisht që t’i arrish hap pas hapi. Përpiqu që secilit prej tyre t’i kushtosh sadopak kohë çdo ditë.

  • Bëj punë, qoftë edhe të vogla, që të japin ndjesinë se i ke gjërat nën kontroll. Për shembull, pastro tavolinën e kuzhinës dhe laj enët. Vish rroba të pastra dhe të rregullta. Punët më të rëndësishme bëji që në mëngjes.

  • Mendo për dobitë që mund të nxjerrësh nga situatat që po kalon. A nuk të mësojnë këto rrethana si t’i përballosh vështirësitë? A mund ta përdorësh atë që mëson për të ndihmuar edhe të tjerë?

Përfundimi: Ndoshta nuk i ke në dorë problemet, por ke në dorë mënyrën si i përballon.