Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më 2013 u infektuan me malarie mbi 198 milionë njerëz dhe si pasojë vdiqën rreth 584.000 veta. Afro 83 për qind e tyre ishin fëmijë nën pesë vjeç. Ajo kërcënon gati njëqind vende dhe zona të botës, duke rrezikuar rreth 3,2 miliardë njerëz.

1 ÇFARË ËSHTË MALARIA?

Malaria është sëmundje që shkaktohet nga parazitë. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, të dridhura, djersitje, dhembje koke e muskujsh, të përziera dhe të vjella. Ndonjëherë simptomat mund të përsëriten çdo 48 deri në 72 orë, në varësi të llojit të parazitit dhe të periudhës së infektimit.

2 SI PËRHAPET?

  1. Parazitët e malaries—protozoarë që quhen Plasmodiafuten në qarkullimin e gjakut me anë të pickimit mushkonjës femër Anopheles.

  2. Parazitët hyjnë te qelizat e mëlçisë, ku shumohen.

  3. Kur çahet një qelizë mëlçie, parazitët dalin dhe pushtojnë rruazat e kuqe të gjakut. Aty vazhdojnë të shumohen.

  4. Kur çahet një rruazë e kuqe gjaku, parazitët dalin dhe bëjnë namin duke infektuar edhe më shumë rruaza të kuqe gjaku.

  5. Ky cikël vazhdon e vazhdon. I infektuari shfaq simptoma tipike të malaries sa herë çahen rruazat e kuqe të gjakut.

 3 SI TË MBROHESH?

Nëse jeton në një vend ku është përhapur malaria . . .

  • Përdor rrjetë krevati ose rrjetë mushkonjash. Rrjeta duhet

    • të spërkatet me insekticid.

    • të mos ketë vrima a të grisura.

    • të futet komplet poshtë dyshekut.

  • Dezinfekto ambientin brenda shtëpisë që të heqësh çdo gjurmë insektesh.

  • Nëse ke mundësi, vër rrjeta në dyer e dritare dhe përdor kondicioner e ventilator, pasi ata nuk i lejojnë mushkonjat të zënë vend.

  • Vish rroba me ngjyra të hapura që jua mbulojnë plotësisht trupin.

  • Nëse është e mundur, mos iu afro shkurrnajave ku mblidhen mushkonjat e as ujërave të ndenjura ku shumohen.

  • Nëse je infektuar, fillo menjëherë mjekimin.

Nëse po planifikon të vizitosh një vend ku është përhapur malaria . . .

  • Para se të nisesh, merr informacionet më të fundit për malarien. Lloji i parazitit të malaries që është i zakonshëm në një vend mund të jetë i ndryshëm në një tjetër, dhe lloji përcakton mjekimin më të mirë. Gjithashtu, e mira është të flasësh me mjekun tënd për gjërat që duhet të kesh parasysh për ecurinë e shëndetit tënd.

  • Kur të shkosh atje, ndiq udhëzimet në këtë artikull për ata që jetojnë në një vend ku malaria është e përhapur.

  • Po të infektohesh, mjekohu menjëherë. Mbaj parasysh se simptomat mund të shfaqen një deri në katër javë pas infektimit.