Xhoi është një veteran lufte nga Shtetet e Bashkuara. Për shkak të tragjedive që i ndodhën atij dhe familjes së tij, mbeti i pastrehë për rreth 18 vjet. Nisi të shkonte në një nga libraritë e qytetit ku ndonjëherë bisedonte me një bibliotekare. Ato biseda i ndryshuan jetën.

Martini, një i ri nga Argjentina, nuk e njihte Zotin dhe ndihej bosh. Jeta i dukej pa kuptim. Për të gjetur kuptimin e jetës, iku nga shtëpia dhe filloi të jetonte në plazh. Por, në vend që të gjente përgjigjet që kërkonte, u zhyt edhe më tepër në dëshpërim. Me lot në sy, iu lut Zotit: «Nëse ti ekziston, të lutem ndihmomë të të gjej.» Si shkuan gjërat? Këtë do ta shohim më pas.

NJERËZIT mbeten pa shtëpi për arsye të ndryshme. Disa pësojnë tragjedi si Xhoi. Të tjerë thjesht heqin dorë nga jeta «normale» sepse u duket rutinë e pakuptimtë, ashtu si Martinit. Kurse disa mbeten të pastrehë për shkak të varfërisë, të katastrofave natyrore, të dhunës në familje, të drogës e alkoolit, të sëmundjeve mendore, të papunësisë a të kostos së strehimit.

Njëherë e një kohë mendohej se mungesa e strehimit ishte problem vetëm në vendet në zhvillim, në vendet e pasluftës a në krizë ekonomike. Por, siç shprehet profesori i psikologjisë Pol Toro, ai «është bërë problem i madh shoqëror edhe në shumë vende të zhvilluara». * Ndër shkaktarët mund të jenë politika që ndjek shteti për të ndihmuar familjet me të ardhura të pakta dhe hendeku gjithnjë e më i madh që ka krijuar ndarja e pabarabartë e të ardhurave.

Mjaft njerëz janë në ankth për të nesërmen. Megjithatë, disa ndihen më të qetë sepse kanë shqyrtuar atë që thotë Bibla për të ardhmen, temë për të cilën do të flasim më pas. Bibla ka parime të mençura  që na ndihmojnë të bëjmë jetë më të mirë që tani, parime që na japin më tepër siguri ekonomike dhe na përmirësojnë gjendjen emocionale, si në rastin e Xhoit dhe të Martinit.

BIBLA I NDRYSHOI JETËN

Sindi, që shpesh e shihte Xhoin në bibliotekën ku punonte, thotë: «Ai dukej inteligjent, i sjellshëm dhe i përulur.» Ngaqë është Dëshmitare e Jehovait, i dha revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! dhe e ftoi në një nga mbledhjet e krishtere ku i treguan dashamirësi e respekt, dhe kjo e shtyu të shkonte rregullisht. Madje, pranoi të studionte Biblën me një nga burrat në kongregacion.

Studimi i Biblës e ndihmoi Xhoin të kishte respekt për veten

Mësimet e Biblës i dhanë zemër dhe filloi t’i zbatonte, edhe pse duhej të bënte ndryshime të mëdha. Për shembull, mësoi se jeta është dhuratë nga Zoti, se duhet trajtuar me respekt dhe se duhani e ndot trupin. (Psalmi 36:9) Prandaj vendosi ta linte duhanin, duke zbatuar parimin te 2 Korintasve 7:1: «Le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit.» Sigurisht, ky vendim ia vlejti si për shëndetin, si për xhepin e tij.

Iu bind këshillës së Biblës për të bërë ç’të mundemi që të plotësojmë nevojat materiale dhe filloi të kërkonte punë. * (1 Selanikasve 4:11, 12) Tek Eklisiastiu 2:24 thuhet: «Për njeriun s’ka asgjë më të mirë se të hajë e të pijë dhe që shpirti i tij të shohë të mira, për shkak të mundit të tij.» Ndër të mirat që vijnë është edhe respekti për veten, pasi puna e ndershme na jep dinjitet. Për më tepër na jep mundësi të ndihmojmë ata në nevojë.Efesianëve 4:28.

Sindi tregon se, duke parë sinqeritetin e Xhoit, «kongregacioni e pranoi në gjirin e tij; disa e ndihmuan të bënte kërkesë për një shtëpi të përshtatshme dhe për gjëra të tjera të cilat i takonin ligjërisht». Xhoi bëri përparim dhe me kalimin e kohës u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. Tani mund të ndihmojë edhe të tjerët me përvojën e vet ndërsa i inkurajon të marrin mençuri nga Perëndia, mençuri që gjendet në Bibël.Proverbat 3:13, 14.

GJETI QËLLIMIN E JETËS

Martini nisi të kërkonte qëllimin e jetës që 20 vjeç. Ai pohon: «Fillova të studioja me hollësi fe e filozofi të ndryshme si edhe të drogohesha, me shpresën se kështu do të plotësoja boshllëkun që ndieja përbrenda, por më kot.» Jetoi për ca kohë në Kaliforni, SHBA, pastaj shkoi në Havai. Ai sjell ndër mend: «Mendova se kisha gjetur parajsën.» Por, pamjet e bukura nuk ia mbushën boshllëkun. Martini kujton: «U zhyta kaq thellë në dëshpërim, sa mendoja t’i jepja fund jetës.» Tamam në këtë pikë të jetës qau me dënesë dhe iu përgjërua Zotit: «Nëse ti ekziston, të lutem ndihmomë të të gjej.»

Martini tani ka një pikëpamje pozitive për jetën

Martini u kujtua se kohë më parë i kishte zënë syri një tabelë ku shkruhej «Salla e Mbretërisë e Dëshmitarëve të Jehovait». Vendosi të shkonte dhe të ndiqte një mbledhje të krishterë. Ai shprehet: «Kur hyra në sallë për herë të parë, isha me flokë të gjatë, me mjekër dhe me  rroba që nuk i ndërroja prej muajsh. Prapëseprapë më pritën me ngrohtësi.» Martini pranoi të studionte Biblën dhe, për të bërë studimin, ecte më këmbë nga «shtëpia» në plazh deri në sheshin e qytetit.

Më në fund po merrte përgjigje të kënaqshme për pyetjet që kishte. Kështu, dëshpërimi iu fashit dhe provoi lumturinë për të cilën foli Jezui: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë!»Mateu 5:3.

‘Njerëzit habiten me ndryshimet që kam bërë’

Martini ndryshoi pikëpamje për jetën dhe kjo u duk qartë kur zbatoi të njëjtin parim biblik që ndihmoi edhe Xhoin të merrte në dorë timonin e jetës. Filloi t’i kushtonte më tepër vëmendje paraqitjes së jashtme dhe, me ndihmën e Dëshmitarëve, gjeti punë e shtëpi. Ai tregon: «Dikur më njihnin si endacaku i sheshit, kurse tani habiten me ndryshimet që kam bërë.»

Më vonë Martini u kthye në Argjentinë, ku u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. Tani e çmon jashtë mase privilegjin për t’i ndihmuar ata që janë të etur të mësojnë për Zotin dhe që duan përgjigje për pyetjet e rëndësishme të jetës.

NJË KOHË KUR S’DO TË KETË TË PASTREHË E TË VARFËR

Jeremia, një shërbëtor i Zotit në lashtësi, kaloi një periudhë goxha të vështirë. Një armik mizor i pushtoi vendlindjen dhe syrgjynosi shumë nga bashkëkombësit e tij. (Vajtimet 1:3) Megjithëse ia kursyen jetën, ai humbi thuajse gjithçka. I hidhëruar, u lut: «Kujto mundimin tim dhe që jam i pastrehë.»Vajtimet 3:19.

 Me gjithë vuajtjet, Jeremia nuk u bë rob i dëshpërimit. Pse? Së pari, e dinte se Jehovai nuk do ta braktiste. (Jeremia 1:8) Së dyti, studionte Shkrimet të cilat tregojnë se do të vijë një kohë kur nuk do të ketë varfëri e vuajtje, por paqe e siguri.Psalmi 37:10, 11.

Këto ndryshime nuk do të vijnë nga dora e njeriut, por nga një qeveri e përsosur që quhet Mbretëria e Perëndisë. (Danieli 7:13, 14) Mbreti i kësaj Mbretërie është Jezu Krishti, i cili, kur ishte në tokë, tregoi se i pikonte në zemër për të varfrit. (Luka 7:22; 14:13) Nën qeverisjen e tij «i drejti do të lulëzojë, dhe paqja do të jetë pa fund. . . . Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. Nga shtypja dhe dhuna, do t’ua shpengojë shpirtin».Psalmi 72:7, 12, 14.

«Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to.»Isaia 65:21

Mësimet e Jezuit përqendroheshin te Mbretëria e Perëndisë. (Luka 4:43) Madje, i mësoi njerëzit të luteshin: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:9, 10) Si do të jetë jeta në tokë kur Mbretëria e Perëndisë të marrë çdo gjë në dorë? Bibla na jep një pamje paraprake fantastike. Për shembull, ajo thotë për nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë:

  • «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër. . . . Të zgjedhurit e mi do të nxjerrin dobi të plotë nga vepra e duarve të tyre.»Isaia 65:21, 22.

  • «Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë, sepse Jehovai i ushtrive ka folur me gojën e tij.»Mikea 4:4.

Kjo shpresë e sigurt na jep forcë në kohë vështirësish. Parimet biblike na ndihmojnë të bëjmë jetë domethënëse e të bukur që sot, ashtu siç e kanë vërtetuar edhe Xhoi, Martini e mjaft të tjerë. Vetë Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, na garanton: «Ai që më dëgjon, do të banojë i sigurt dhe i patrazuar nga tmerri i gjëmës.» (Proverbat 1:33) Qofsh edhe ti një prej tyre!

^ par. 6 Konfliktet, dhuna ose përndjekja kanë nxjerrë miliona nga shtëpitë dhe i kanë detyruar të shkojnë jashtë shtetit ose të shpërngulen brenda vendit. Kjo temë është trajtuar edhe në revistën Zgjohuni! 22 janarit 2002.

^ par. 11 Edhe pse disa duan të punojnë, nuk munden ngaqë kanë kufizime fizike, janë të sëmurë ose të moshuar. Perëndia nuk e miraton atë që «nuk do që të punojë».2 Selanikasve 3:10.