GJAHTARI i natës, kallamari bishtcung i Havait, e krijon vetë dritën, jo që ta shohin, por që të fshihet e të bëhet njësh me ambientin nën dritën e hënës e të yjeve. Sekreti i tij është ortakëria me bakteret dritëçliruese. Nga sekretet e kësaj ortakërie mund të përfitojmë edhe ne, por në një fushë në dukje pa lidhje: në mjekësi.

Shqyrto faktet: Ky lloj kallamari jeton në ujërat e kristalta të brigjeve të ishujve Havai. Drita e hënës dhe e yjeve do ta bënte siluetën e tij më të dukshme për grabitqarët. Mirëpo, kallamari bishtcung çliron një dritë në pjesën e tij të poshtme që imiton dritën e natës si në intensitet, edhe në gjatësi vale. Kështu nuk krijon as siluetë, as hije, por arrin të kamuflohet. Aparati i sofistikuar i kallamarit është organi i tij i dritës, që përmban baktere bioluminishente të cilat prodhojnë dritën e duhur për kamuflimin.

Këto baktere e ndihmojnë edhe për ciklin gjumë-zgjim. Kjo është me interes për studiuesit, sepse kallamari bishtcung nuk është e vetmja krijesë ku bakteret kanë lidhje me orën biologjike ose me ciklin 24-orësh. Për shembull, te gjitarët, bakteret që ndihmojnë tretjen, ndikojnë edhe tek ora biologjike. Çrregullimin e kësaj ore e lidhin me depresionin, diabetin, obezitetin dhe çrregullimet e gjumit. Pra, studimi i sistemit të baktereve te ky kallamar mund të thellojë kuptueshmërinë mbi shëndetin e njeriut.

Si mendon? A erdhi me evolucion organi ndriçues i kallamarit bishtcung të Havait? Apo është projektuar?