Kur peshohen ose kur bëjnë llogaritë e pazarit, shumë njerëz përdorin numra hindu-arabë. Pse themi «hindu-arabë»? Sistemi i sotëm numerik që përdor numrat nga zero te nënta me sa duket e ka pasur zanafillën në Indi dhe ka arritur deri në Perëndim nëpërmjet studiuesve të mesjetës që shkruanin në arabisht. Më i shquari ndër ta ishte Muhamed-ibn-Musa-el-Kuarizmi, që ka mundësi të ketë lindur rreth vitit 780 të e.s aty ku sot ndodhet Uzbekistani. Ai është quajtur «heroi i madh i matematikës arabe». Pse?

‘HEROI I MATEMATIKËS ARABE’

El-Kuarizmi shkroi për përdorimin e përditshëm të numrave dhjetorë dhe qartësoi e përhapi një metodë për zgjidhjen e disa problemeve matematikore. Ai e bëri këtë nëpërmjet veprës The Book of Restoring and Balancing. Fjala algjebër vjen nga termi al-jabr në titullin e kësaj vepre në arabisht Kitab al-jabr wa’l-muqabala. Sipas shkrimtarit shkencor Esan Masudi, algjebra konsiderohet «instrumenti matematikor më i rëndësishëm i shpikur ndonjëherë dhe që konsolidon çdo aspekt të shkencës». *

Një autor thotë me shaka: «Breza të panumërt të nxënësve të shkollave të mesme do të donin që [El-Kuarizmi] të mos e kishte marrë mundimin.» Sidoqoftë, El-Kuarizmi pohoi se qëllimi i tij ishte të shpjegonte metoda që do të thjeshtonin llogaritjet në tregti, në ndarjen e pasurive, në nxjerrjen e statistikave etj.

 Shekuj më vonë matematikanë perëndimorë, si Galileo dhe Fibonaçi, e ngritën në piedestal El-Kuarizmin falë shpjegimeve të qarta të ekuacioneve. Ato u hapën rrugën studimeve të mëtejshme në algjebër, aritmetikë dhe trigonometri. Kjo e fundit u dha mundësi studiuesve të Lindjes së Mesme të llogaritnin këndet dhe brinjët e trekëndëshit e të zhvillonin njohuritë e tyre në astronomi. *

Algjebra: «Instrumenti matematikor më i rëndësishëm i shpikur ndonjëherë»

Disa iu referuan punës së El-Kuarizmit dhe zhvilluan metoda të reja për të përdorur thyesat dhjetore e krijuan teknika të reja për të llogaritur sipërfaqen e vëllimin. Arkitektët dhe ndërtuesit në Lindjen e Mesme i përdorën këto metoda të përparuara shumë kohë para kolegëve të tyre në Perëndim që i mësuan gjatë Kryqëzatave. Më vonë ato njohuri i morën me vete në vendin e tyre, me ndihmën e robërve dhe të emigrantëve myslimanë të arsimuar.

PËRHAPJA E MATEMATIKËS ARABE

Me kalimin e kohës veprat e El-Kuarizmit u përkthyen në latinisht. Merita për përhapjen e numrave hindu-arabë në Perëndim i jepet kryesisht Fibonaçit (rr. 1170-1250), matematikanit italian që njihet edhe si Leonardo i Pizës. Ai i mësoi gjatë udhëtimeve në Mesdhe dhe më pas shkroi librin Book of Calculation.

U deshën shekuj që të përhapeshin shpjegimet e El-Kuarizmit. Kurse tani metodat dhe shpjegimet e tij matematikore janë oksigjeni i shkencës dhe i teknologjisë, madje edhe i tregtisë e i industrisë.

^ par. 5 Në algjebrën e sotme, numrat e panjohur shënohen me shkronja, si x ose y. Le të marrim si shembull këtë ekuacion x + 4 = 6. Po të zbresësh 4 nga të dyja anët e barazimit, del se x është i barabartë me 2.

^ par. 7 Astronomët grekë ishin pionierë të llogaritjes së brinjëve dhe të këndeve të trekëndëshit. Studiuesit islamë përdorën trigonometrinë për të përcaktuar drejtimin nga Meka. Myslimanëve u pëlqen të luten me fytyrë nga ajo. Sipas traditës, të vdekurit duhet të varrosen me fytyrë nga Meka dhe kasapët myslimanë i therin kafshët duke u kthyer nga Meka.