Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 PIKËPAMJA E BIBLËS

Dhuna

Dhuna

Historia njerëzore është e mbushur me dhunë. Por a do të marrë fund ndonjëherë dhuna?

Çfarë mendon Zoti për dhunën?

ÇFARË THONË NJERËZIT:

Shumë veta, madje edhe fetarët, mendojnë se dhuna është reagim i justifikueshëm ndaj provokimit. Përveç kësaj, miliona e konsiderojnë dhunën në media si një formë argëtimi të pranueshme.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Afër qytetit të Mosulit, në veri të Irakut, gjenden rrënojat e një qyteti njëherë e një kohë të madh, Ninevisë, kryeqyteti i Perandorisë së lashtë Asiriane. Kur ishte ende metropol i begatë, Bibla paratha se Perëndia ‘do ta kthente në shkreti’. (Sofonia 2:13) Zoti deklaroi: «Unë do të të bëj shembull për të tjerët.» Pse? Sepse Ninevia ishte ‘qytet gjakatar’. (Naumi 1:1; 3:1, 6) Te Psalmi 5:6 thuhet se «Jehovai ndien neveri për atë që derdh gjak». Siç dëshmojnë edhe rrënojat e Ninevisë, Perëndia e bëri atë që tha.

Dhuna vjen nga kryearmiku i Zotit dhe i njeriut, Satana Djalli, që Jezu Krishti e quajti «vrasës». (Gjoni 8:44) Për më tepër, ngaqë «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut», cilësitë e tij pasqyrohen në qëndrimin mbizotërues ndaj dhunës, madje edhe në marrosjen e botës pas dhunës në media. (1 Gjonit 5:19) Që t’i pëlqejmë Perëndisë, duhet të zhvillojmë urrejtje për dhunën e dashuri për gjërat që do Perëndia. * A është e arritshme kjo?

‘Jehovai e urren atë që do dhunën.’Psalmi 11:5.

A mund të ndryshojnë njerëzit e dhunshëm?

ÇFARË THONË NJERËZIT:

Dhuna thjesht pasqyron natyrën njerëzore, e cila nuk ndryshon.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Flakeni «furinë, zemërimin, të keqen, sharjen dhe në gojën tuaj të mos ketë të folur të ndyrë». Gjithashtu, pohon: «Zhvishni personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe vishni personalitetin e ri.» (Kolosianëve 3:8-10) A po kërkon diçka të pamundur Zoti? Jo. Njerëzit mund të ndryshojnë. * Si?

Së pari, duke fituar njohuri të saktë për Perëndinë. (Kolosianëve 3:10) Kur dikush  dëshiron me zemër të mësojë për cilësitë e bukura të Krijuesit dhe për normat e tij, fillon ta dojë Perëndinë dhe do që t’i pëlqejë.1 Gjonit 5:3.

Së dyti, duke përzgjedhur shoqërinë. «Mos ki shoqëri me njeriun zemërak, dhe mos u përziej me njeriun që ka shpërthime zemërimi, që të mos mësohesh me shtigjet e tyre dhe t’i vësh lak shpirtit tënd.»Proverbat 22:24, 25.

Së treti, duke treguar gjykim të thellë. Shihe prirjen drejt dhunës ashtu siç është: dobësi serioze që tregon mungesë vetëkontrolli. Kurse njerëzit paqësorë kanë forcë të brendshme. Proverbat 16:32 thotë: «Kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm.»

«Ndiqni paqen me të gjithë.»Hebrenjve 12:14.

A do të marrë fund dhuna?

ÇFARË THONË NJERËZIT:

Dhuna ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë.

ÇFARË THOTË BIBLA:

«Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. . . . Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.» (Psalmi 37:10, 11) Po, që të shpëtojë njerëzit zemërbutë e paqësorë, Perëndia do t’i shkatërrojë ata që e duan dhunën, ashtu si shkatërroi Ninevinë e lashtë. Nuk do të ketë më dhunë në tokë.Psalmi 72:7.

«Ata që janë me natyrë të butë, . . . do të trashëgojnë tokën.»Mateu 5:5

Prandaj, tani është koha të kërkojmë miratimin e Zotit, duke zhvilluar një frymë paqësore. Te 2 Pjetrit 3:9 thuhet: «Jehovai . . . është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin.»

«Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje.»Isaia 2:4.

^ par. 7 Është e vërtetë që Perëndia e lejoi Izraelin e lashtë të luftonte që të mbronte territorin e vet. (2 Kronikave 20:15, 17) Por, kjo gjë ndryshoi kur i dha fund besëlidhjes me Izraelin dhe themeloi kongregacionin e krishterë, i cili nuk njeh kufij kombëtarë.

^ par. 11 Shembuj të atyre që kanë ndryshuar, mund të gjenden në serinë «Bibla të ndryshon jetën» në revistën Kulla e Rojës.