Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A i përdor me mençuri pajisjet elektronike?

A i përdor me mençuri pajisjet elektronike?

Xheni është e fiksuar pas një videoloje. Ajo thotë: «Tani luaj tetë orë në ditë dhe më është bërë vërtet problem.»

Denisi u përpoq të rrinte shtatë ditë pa pajisjet elektronike dhe pa Internet. Por kjo zgjati vetëm 40 orë.

Xheni dhe Denisi s’janë adoleshentë. Xheni, nënë e katër fëmijëve, është 40 vjeçe. Ndërsa Denisi është 49 vjeç.

A I PËRDOR pajisjet elektronike? Shumë veta do të përgjigjeshin po, e me të drejtë. Pajisjet elektronike luajnë rol parësor e të dobishëm për punë, në jetën shoqërore dhe në zbavitje.

Megjithatë, ashtu si Xheni dhe Denisi, mjaft njerëz janë tejet të dhënë pas disa aspekteve të teknologjisë. Për shembull, Nikola 20-vjeçare thotë: «E urrej ta them, por celularin e kam mik të ngushtë. S’e heq asnjë çast nga dora. Më ikën truri po të jem në një zonë pa valë, dhe pas çdo gjysmë ore mezi pres të shoh për ndonjë mesazh. E di se është ca për të qeshur.»

Madje, disa i kontrollojnë gjatë natës mesazhet dhe të rejat e fundit. Ndoshta përjetojnë simptomat e ndarjes nga miku elektronik. Disa studiues e përshkruajnë këtë sjellje si varësi—qoftë ndaj pajisjeve elektronike në përgjithësi, qoftë ndaj Internetit  a një smartphone. Të tjerë ngurrojnë të përdorin termin «varësi» dhe parapëlqejnë që këtë sjellje ta quajnë problematike, fiksim ose mani.

Pavarësisht si e quajnë, përdorimi jo i mençur i teknologjisë dixhitale mund të bëhet problem. Në disa raste ka krijuar ftohje mes pjesëtarëve të familjes. Për shembull, një vajzë 20 vjeçe ankohet: «Babai nuk di më asgjë për jetën time. Ulet në dhomën e ndenjjes dhe, ndërkohë që flet me mua, shkruan email-e. S’e heq telefonin nga dora. Patjetër që kujdeset për mua, vetëm se ndonjëherë nuk e ndiej këtë.»

«Çtoksikim elektronik»

Për të ndihmuar që teknologjia të mos keqpërdoret, vende të tilla, si Kina, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara krijuan qendra për «çtoksikim elektronik», ku dikujt i ndalohet hyrja në Internet dhe përdorimi i pajisjeve elektronike për disa ditë. Të shohim rastin e Bretit, një 28-vjeçari që arriti deri aty sa luante një lojë online 16 orë në ditë. Ai thotë: «Sa herë hyja në Internet, më dukej sikur isha nën ndikimin e drogës.» Kur Breti hyri në një qendër për «çtoksikim elektronik», ishte i papunë, kishte lënë pas dore higjienën personale dhe s’kishte asnjë mik. Si t’i parandalosh këto pasoja?

MENDO SI E PËRDOR TEKNOLOGJINË. Përcakto sa ndikon teknologjia në jetën tënde. Bëji vetes pyetje si këto:

  • A acarohem tepër, e ndoshta shpërthej gjithë nerva kur nuk hyj dot në Internet a në pajisjen time elektronike?

  • A jam akoma në Internet a me një pajisje elektronike shumë kohë pas orarit që kisha vendosur ta ndërpritja?

  • A po e humbas gjumin e domosdoshëm ngaqë kontrolloj orë e çast mesazhet e reja?

  • A po lë pas dore familjen për shkak të përdorimit të teknologjisë? A do të binin dakord pjesëtarët e familjes me përgjigjen që i jap unë kësaj pyetjeje?

Nëse nga përdorimi i teknologjisë po lë pas dore «gjërat më të rëndësishme», ku përfshihet familja e përgjegjësi të tjera, ka ardhur koha të bësh ndryshime. (Filipianëve 1:10) Cilat?

MËSO TË VËSH KUFIJ TË ARSYESHËM. Edhe një gjë e mirë, po të përdoret shumë, mund të bëhet e dëmshme. Kështu, sido që ta përdorësh teknologjinë dixhitale, për punë a për qejf, vër një cak për kohën dhe përmbaju atij.

Sugjerim: Pse të mos i kërkosh ndihmë një familjari a një miku? Bibla thotë: «Dy janë më mirë se një, . . . sepse në rëntë njëri, tjetri mund ta ngrejë shokun.»Eklisiastiu 4:9, 10.

Mos u bëj i varur ndaj asaj që «të tërheq»

Ndërkohë që pajisjet e reja po e lehtësojnë dhe po e përshpejtojnë transmetimin e të dhënave, pritet që njerëzit të vazhdojnë të mos e përdorin me mençuri teknologjinë. Por mos u bëj i varur ndaj asaj që «të tërheq». «Duke blerë kohën e duhur për veten», mund ta përdorësh siç duhet teknologjinë.Efesianëve 5:16.