Në një mënyrë a në një tjetër, kafshët ndikojnë thuajse në jetën e të gjithëve. A jemi përgjegjës për mënyrën si i trajtojmë?

Si duhet t’i trajtojmë kafshët?

ÇFARË THONË NJERËZIT:

Disa mendojnë se mund t’i shfrytëzojnë kafshët si t’u teket. Të tjerë besojnë se kafshët duhen trajtuar pak a shumë si njerëzit.

  • Një aktivist i njohur për të drejtat e kafshëve tha se ato gëzojnë «të drejtën themelore që të mos trajtohen vetëm si burim të ardhurash ose mall i lehtë përfitimi». Ai shtoi: «Edhe pse nuk janë njerëz, s’duhet t’i trajtojmë më si pronën tonë.»

  • Për shumë veta mund të jetë veprim ekstrem, por miliarderja Liona Helmsli i la trashëgimi qenit të saj një fond prej 12 milionë dollarësh, dhe la amanet që eshtrat e tij të viheshin pranë të sajave pasi të ngordhte.

Për të menduar: si duhen trajtuar kafshët?

ÇFARË THOTË BIBLA:

Krijuesi i jetës, Perëndia Jehova, u tha njerëzve ‘të mbanin të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë’. (Zanafilla 1:28) Prandaj është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se Zoti i konsideron njerëzit më të lartë se kafshët.

Ky përfundim përforcohet nga një pohim domethënës që u bë pikërisht para shkrimit biblik të përmendur më sipër, që thotë: «Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, po, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ai i krijoi ata mashkull dhe femër.»Zanafilla 1:27.

Njerëzit u krijuan «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë», ja pse vetëm njeriu shfaq cilësi hyjnore, si mençuri, drejtësi e dashuri. Gjithashtu, njerëzit lindin me potencialin për të pasur norma morale dhe me nevojën që të besojnë te Zoti. Kafshët nuk i kanë këto aftësi, sepse s’u krijuan «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë». Ato janë më të ulëta se njerëzit dhe nuk u krijuan që të trajtohen njësoj si ta.

A do të thotë kjo se njerëzit kanë të drejtë t’i keqtrajtojnë kafshët? Jo.

  • Në Ligjin që u dha izraelitëve, Zoti u sigurua që njerëzit t’i linin kafshët të pushonin, t’i ushqenin, t’i ndihmonin kur të ishin të munduara e t’i mbronin nga plagosjet.Dalja 23:4, 5; Ligji i përtërirë 22:10; 25:4.

«Gjashtë ditë do të punosh, por ditën e shtatë do ta ndërpresësh punën, që të pushojnë demi e gomari yt.»Dalja 23:12.

 A është e gabuar t’i vrasësh kafshët?

ÇFARË THONË NJERËZIT:

Disa gjuetarë e peshkatarë i vrasin kafshët për qejf, ngaqë u pëlqen gjuetia ose konkurrenca. Të tjerë janë dakord me shkrimtarin rus, Leon Tolstoi, i cili shkroi se të vrasësh dhe të hash kafshë është «thjesht e pamoralshme».

ÇFARË THOTË BIBLA:

Zoti e lejon vrasjen e kafshëve për të mbrojtur jetën ose për të siguruar veshje. (Dalja 21:28; Marku 1:6) Bibla pohon se kafshët mund t’i vrasim edhe për ushqim. Zanafilla 9:3 thotë: «Çdo kafshë e gjallë që lëviz, do t’ju shërbejë si ushqim.» Edhe Jezui i ndihmoi dishepujt të zinin peshq, që më vonë i hëngrën.Gjoni 21:4-13.

Sidoqoftë, Bibla thotë se Zoti ‘e urren atë që do dhunën’. (Psalmi 11:5) Ndaj është e arsyeshme që Perëndia s’do që kafshët të dëmtohen ose të vriten thjesht për kënaqësi a për sport.

Shkrimet e Shenjta tregojnë se Zoti e vlerëson jashtë mase jetën e kafshëve.

  • Bibla thotë se gjatë krijimit «Perëndia i bëri kafshët e egra të tokës sipas llojit të vet, kafshët e buta sipas llojit të vet dhe çdo kafshë tjetër që lëviz në tokë, sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë».Zanafilla 1:25.

  • Shkrimet tregojnë se Jehovai «u jep ushqim kafshëve». (Psalmi 147:9) Ai krijoi një ekosistem që siguron më së miri ushqim e strehë për kafshët.

  • Mbreti David i Izraelit u lut: «Ti shpëton njerëz dhe kafshë, o Jehova!» (Psalmi 36:6) Për shembull, gjatë Përmbytjes globale, para se Jehovai të shkatërronte të ligjtë, ruajti tetë njerëz dhe të gjitha llojet e kafshëve.Zanafilla 6:19.

Qartë, Jehovai i vlerëson të gjitha kafshët që ka krijuar dhe pret që njerëzit t’i trajtojnë siç duhet.

«I drejti kujdeset për shpirtin e kafshës së tij shtëpiake.»Proverbat 12:10.