Disa njerëz e shohin bixhozin si zbavitje të padëmshme, kurse të tjerë si ves të rrezikshëm.

A ka ndonjë të keqe bixhozi?

ÇFARË THONË NJERËZIT:

Shumë vetave bixhozi u duket lojë e padëmshme për sa kohë lejohet ligjërisht. Ca forma të bixhozit të ligjshëm, si lotaritë e sponsorizuara nga qeveritë, nxitin fitime për programet në dobi të publikut.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla nuk e përmend specifikisht bixhozin. Por ka mjaft parime që tregojnë ç’mendon Zoti për të.

Thelbi i bixhozit, të fitosh para në kurriz të të tjerëve, s’përputhet me paralajmërimin e Biblës: «Ruhuni nga çdo lloj lakmie.» (Luka 12:15) Në fakt, bixhozi ushqehet nga lakmia. Institucionet e lojërave të tilla reklamojnë shuma të majme teksa i mjegullojnë shanset e pakta për të fituar, sepse e dinë se ëndrrat për pasuri i shtyjnë lojtarët të vënë shuma të mëdha nëpër kazino. Në vend që ta ndihmojë dikë të ruhet nga lakmia, bixhozi nxit dëshirën për të fituar para pa mund.

Bixhozi bazohet në një synim egoist të trashëguar: të fitosh paratë që humbin të tjerët. Sidoqoftë, Bibla e nxit dikë «të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit». (1 Korintasve 10:24) Dhe, një nga Dhjetë Urdhërimet thotë: ‘Mos dëshiro asgjë që i përket tjetrit.’ (Dalja 20:17) Kur një bixhozxhi e ndan mendjen të fitojë, në thelb po shpreson që të tjerët të humbin paratë për të mirën e tij.

Bibla na paralajmëron edhe që të mos e shohim fatin si forcë misterioze që mund të na derdhë bekime. Në Izraelin e lashtë disave u mungonte besimi dhe nisën ‘të shtronin tryezën për perëndinë e Fatit të Mirë’. A e pranoi Perëndia këtë përkushtim ndaj ‘perëndisë së Fatit të Mirë’? Jo, ai u tha: «Ju bënit atë që ishte e keqe në sytë e mi dhe zgjodhët të bënit gjëra që unë nuk i pëlqej.»Isaia 65:11, 12.

Vërtet, në disa vende të botës fonde nga bixhozi i ligjshëm përdoren për arsimin, për zhvillimin ekonomik dhe për programe të tjera për publikun. Megjithatë, përdorimi i këtyre fondeve nuk e ndryshon mënyrën si vijnë ato: me anë të veprimtarive që nxitin haptazi lakminë dhe egoizmin si dhe idenë e të fituarit pa u lodhur fare.

‘Mos dëshiro asgjë që i përket tjetrit.’Dalja 20:17.

 Ç’pasoja mund të ketë bixhozi te lojtari?

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla paralajmëron se «ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim». (1 Timoteut 6:9) Bixhozi i ka rrënjët te lakmia, që është kaq shkatërrimtare sa Bibla e rendit ndër sjelljet që duhen shmangur se s’bën.Efesianëve 5:3.

Meqë përqendrohet te pasuria pa derdhur djersë, bixhozi ushqen dashurinë për para, diçka që Bibla e identifikon si ‘rrënjën e çdo lloj gjëje të dëmshme’. Dëshira për para fare lehtë mund të ndikojë fuqishëm në jetën e dikujt, të sjellë ankth të madh e të dëmtojë besimin te Zoti. Në mënyrë figurative Bibla i përshkruan ata që kanë rënë në lakun e dashurisë për para si ‘të jenë shpuar tejpërtej me shumë dhembje’.1 Timoteut 6:10.

Lakmia i lë të pakënaqur njerëzit nga ana financiare dhe u vjedh lumturinë. «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura.»Eklisiastiu 5:10.

Miliona veta të joshur nga bixhozi janë zënë në grackë nga ky ves i keq. Sipas anketave, ky problem është tejet i përhapur dhe vetëm në SHBA ka miliona të varur nga bixhozi.

Një proverb thotë: ‘Trashëgimia që fitohet me lakmi në fillim, në fund nuk do të bekohet.’ (Proverbat 20:21) Bixhozi i ka zhytur në borxhe e madje në falimentim disa që janë të varur ndaj tij dhe mjaft vetave u ka kushtuar punën, martesën dhe miqësitë. Kur dikush zbaton parimet biblike, shmang pasojat e këqija të bixhozit dhe është i lumtur.

«Ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim.»1 Timoteut 6:9.