1 Si filloi jeta?

ÇFARË THONË DISA. Jeta lindi spontanisht nga materia e pajetë.

PSE DISA NUK I KËNAQ KJO PËRGJIGJE. Shkencëtarët dinë për kiminë dhe strukturën molekulare të jetës më shumë se kurrë më parë, e prapëseprapë nuk arrijnë ta përcaktojnë qartë ç’është jeta. Materien e pajetë e ndan një hendek i madh qoftë edhe nga qeliza e gjallë më e thjeshtë.

Shkencëtarët vetëm sa mund të spekulojnë për kushtet në tokë miliarda vite më parë. Ata kanë pikëpamje të ndryshme për vendin ku zuri fill jeta, për shembull nëse nisi brenda një vullkani apo nën shtratin e oqeanit. Një tjetër bindje është se njësitë bazë të jetës në fillim u formuan diku tjetër në univers dhe mbërritën këtu futur në meteorë. Por, kjo nuk i përgjigjet pyetjes si nisi jeta; vetëm sa na largon edhe më shumë teksa kërkojmë origjinën.

Shkencëtarët hamenden për ekzistencën e molekulave që i paraprinë materialit gjenetik që njohim sot. Mendohet se këto molekula lindin spontanisht nga materia e pajetë dhe janë vetëshumëfishuese. Sidoqoftë, shkenca nuk ka gjetur fare prova që këto molekula të kenë ekzistuar ndonjëherë, as shkencëtarët nuk kanë arritur t’i krijojnë në laborator.

Gjallesat janë unike në mënyrën si e ruajnë dhe e përpunojnë informacionin. Qelizat bartin, përkthejnë dhe zbatojnë udhëzimet që gjenden në kodin e tyre gjenetik. Disa shkencëtarë e krahasojnë kodin gjenetik me programet kompjuterike, ndërsa strukturën kimike të qelizës me pjesën fizike të kompjuterit. Mirëpo, evolucioni nuk e shpjegon dot burimin e informacionit.

Molekulat proteinike janë të nevojshme për funksionimin e qelizës. Një molekulë proteinike tipike përbëhet nga qindra aminoacide të ndërthurura sipas një radhe të caktuar. Përveç kësaj, që molekula proteinike të jetë e dobishme, duhet të marrë një formë specifike tridimensionale. Disa shkencëtarë nxjerrin përfundimin se shanset që qoftë edhe një molekulë proteinike të krijohet vetvetiu janë ekstremisht të pamundura. Fizikani Pol Dejvis shkruan: «Meqë funksionimi i qelizës kërkon mijëra proteina të ndryshme, është e palogjikshme të mendojmë se qelizat janë formuar thjesht rastësisht.»

PËRFUNDIMI. Pas dekadash kërkimi thuajse në të gjitha degët e shkencës, mbetet fakti se jeta vjen vetëm nga një jetë që ka ekzistuar më parë.

 2 Si u zhvilluan gjallesat?

ÇFARË THONË DISA. Organizmi i parë i gjallë u zhvillua gradualisht në një shumëllojshmëri gjallesash, përfshirë njerëzit, përmes një procesi mutacionesh të rastësishme dhe përzgjedhjes natyrore.

PSE DISA NUK I KËNAQ KJO PËRGJIGJE. Disa qeliza janë më të ndërlikuara se të tjerat. Sipas një vepre referimi, mënyra si u zhvilluan qelizat më të thjeshta në më të ndërlikuara «shpesh renditet si misteri i dytë më i madh i evolucionit, pas origjinës së jetës».

Shkencëtarët kanë zbuluar se në çdo qelizë ka makineri të zhdërvjellëta molekulare të përbëra nga molekula proteinike që bashkëpunojnë për të kryer punë komplekse. Këto punë përfshijnë transportin dhe shndërrimin e lëndëve ushqyese në energji, riparimin e pjesëve të qelizës dhe dërgimin e mesazheve në të gjithë qelizën. A mund të jenë mutacionet e rastësishme dhe përzgjedhja natyrore përgjegjëse për grumbullimin dhe funksionimin e këtyre elementeve kaq të përparuara? Shumë vetave ky koncept u duket i vështirë për t’u pranuar.

Kafshët dhe njerëzit zhvillohen nga një vezë e vetme e pllenuar. Brenda embrionit qelizat shumohen dhe me kohë specializohen duke marrë forma e funksione të veçanta që të krijohen pjesë të ndryshme të trupit. Evolucioni nuk mund ta shpjegojë nga «e di» çdo qelizë në çfarë duhet të kthehet dhe ku të shkojë brenda organizmit.

Shkencëtarët sot e kuptojnë se, që një lloj kafshe të zhvillohet në një tjetër lloj kafshe, kërkohen ndryshime në nivel molekular brenda qelizës. Meqë nuk e shpjegojnë dot si mund të prodhojë evolucioni qoftë edhe qelizën «më të thjeshtë», a ka kuptim që mutacionet e rastësishme dhe përzgjedhja natyrore të kenë qenë përgjegjëse për llojet e ndryshme të kafshëve në planet? Profesori i shkencave biologjike, Majkëll Bihi, thotë për strukturën e kafshëve se, ndërsa kërkimet «kanë zbuluar një kompleksitet mahnitës që s’pritej, nuk është bërë fare përparim për të kuptuar si mund të evoluojë ky kompleksitet nga procese pa intelekt».

Qeniet njerëzore janë të vetëdijshme e të ndërgjegjshme, të afta të mendojnë e të arsyetojnë dhe zotërojnë cilësi morale si bujaria, vetëmohimi dhe ndjenja e së drejtës dhe e së gabuarës. Mutacionet e rastësishme dhe përzgjedhja natyrore nuk mund ta shpjegojnë ekzistencën e këtyre cilësive unike të mendjes njerëzore.

PËRFUNDIMI. Edhe pse shumë këmbëngulin se është fakt i padiskutueshëm që jeta e ka origjinën nga evolucioni, të tjerë nuk kënaqen me përgjigjet e evolucionit për zanafillën dhe zhvillimin e jetës.