VËSHTIRËSIA

«Ndonjëherë vajzat më kërkojnë numrin e telefonit dhe më ftojnë ‘sa për një natë’. U them jo dhe iki. Por thellë-thellë, një mendje më thotë: ‘Po sikur t’ia kisha dhënë numrin?’ Të them të drejtën, disa prej tyre janë shumë simpatike. E ke kollaj të mendosh: ‘Pse jo?!’»—Karlosi, * 16 vjeç.

A lufton edhe ti me tundimet si Karlosi? Nëse po, mund të arrish t’i mposhtësh.

ÇFARË DUHET TË DISH?

Nëse i dorëzohesh tundimit, vetëm do të lëndohesh

Të gjithë mund të bien në tundime, madje edhe të rriturit. Në fund të fundit, tundimi mund të marrë shumë forma. Apostulli Pavël nuk ishte i ri kur tha: ‘Në të vërtetë, kënaqem me ligjin e Perëndisë, kurse në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit.’ (Romakëve 7:22, 23) Pavarësisht nga presioni, Pavli nuk u dorëzua. Këtë mund ta bësh edhe ti. Pse të bëhesh skllav i dëshirave të tua? (1 Korintasve 9:27) Nëse mëson t’i rezistosh tundimit ndërsa je ende i ri, do t’i kursesh vetes shumë ankthe tani dhe do të fitosh një aftësi jetësore që do të të duhet kur të rritesh.

Media i fryn zjarrit të tundimit. Bibla flet për «dëshirat karakteristike rinore», dhe ato tashmë janë të forta vetë. (2 Timoteut 2:22) Por filmat, programet televizive, muzika dhe librat e bërë për të rinjtë, shpesh i ndezin më shumë këto dëshira duke përcjellë idenë se është më se e pranueshme t’i dorëzohesh tundimit. Për shembull, nëse dy personazhe në një film janë «të dashuruar», në njëfarë pike të filmit me siguri do të kryejnë marrëdhënie seksuale. Megjithatë, Bibla thotë se burrat dhe gratë në jetën reale kanë forcën ‘të vazhdojnë të rrinë larg nga veprat e mishit’. (1 Pjetrit 2:11) Kjo do të thotë se mund të zgjedhësh t’i rezistosh tundimit. Por si?

 ÇFARË MUND TË BËSH?

Njih pikat e tua të dobëta. Fortësia e një zinxhiri varet nga hallka e tij më e dobët. Po kështu, vendosmëria jote për të bërë atë që është e drejtë, ka shumë të ngjarë të thyhet në pikat e tua më të dobëta. Po ti, në çfarë fushash ke nevojë të bësh kujdes?—Parimi biblik: Jakovi 1:14.

Parashiko tundimet. Mendo për situatat ku mund të hasësh tundime. Përgatitu me mendje si do t’i rezistosh tundimit po të ndodhë vërtet.—Parimi biblik: Proverbat 22:3.

Forco bindjet. Bibla thotë se kur Jozefi hasi një tundim për të kryer imoralitet seksual, ai tha: «Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër Perëndisë?» (Zanafilla 39:9) Fakti që tha «si mund ta bëj» tregon se Jozefi kishte bindje të forta për atë që është e drejtë dhe e gabuar. Po ti?

Gjej miq që të mbështetin. Mund të shmangësh shumë tundime nëse zgjedh si miq ata që kanë të njëjtat bindje morale si ti. Bibla thotë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur.»Proverbat 13:20.

Shmang rrethanat që ta bëjnë më të vështirë t’u rezistosh tundimeve. Për shembull:

  • Mos qëndro vetëm për vetëm me një të gjinisë tjetër.

  • Mos e përdor Internetin në një orar ose vend ku mund të ndihesh i tunduar të shohësh pornografi.

  • Qëndroji larg atyre që me fjalët dhe veprimet e tyre e bëjnë sjelljen e gabuar të duket tërheqëse.

Çfarë rregullash mund të vendosësh për veten që të ndihmojnë të shmangësh tundimet?—Parimi biblik: 2 Timoteut 2:22.

Lutu për ndihmë. Jezui u tha dishepujve: «Lutuni vazhdimisht, që të mos tundoheni.» (Mateu 26:41) Në të vërtetë, Perëndia Jehova do që t’i rezistosh tundimit dhe mund të të ndihmojë në këtë aspekt. Bibla thotë se ai «nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni».—1 Korintasve 10:13.

^ par. 4 Emri është ndryshuar.