SIÇ e dinë të gjithë kopshtarët, mbarësia e prodhimit varet nga mbjellja e farave në vendin dhe në kohën e duhur. Por, edhe pse mund të duket e çuditshme, disa nga mbjelljet më të mira në pyjet e shiut bëhen natën nga disa kopshtarë fluturues. Ata janë lakuriqët e natës frutangrënës të Hemisferës Lindore, disa prej të cilëve njihen si dhelpra fluturuese. *

Shpërndarja e farave

Shumë lakuriqë frutangrënës i bien pyllit kryq e tërthor për pemë që u ofrojnë fruta të shijshme ose lule plot nektar. Ndërsa kërkojnë në fluturim e sipër, ata tretin frutat e nxjerrin tulin dhe farat e patretura. Për ta çuar deri në fund punën e kopshtarit, ata pjalmojnë lulet ndërsa thithin nektarin që u pëlqen aq shumë.

Gjatë natës, lëvizin në distanca të mëdha, prandaj mund t’i shpërndajnë farat në një sipërfaqe të madhe. Veç kësaj, ngaqë disa fara kalojnë pa u tretur në sistemin e tyre tretës, bëjnë edhe «plehërimin» që ndihmon rritjen e farave. Ja pse një sërë bimësh në pyjet e shiut varen nga lakuriqët e natës për të pjalmuar lulet e tyre ose për të shpërndarë farat e tyre.

 Ngaqë i bien zonës kryq e tërthor, këta lakuriqë nate duhet të kenë aftësi orientuese dhe shikim të jashtëzakonshëm. Në errësirë mund të shohin më mirë se njerëzit. Madje mund të dallojnë edhe disa ngjyra. Dhe ata s’e kanë problem të fluturojnë si ditën, edhe natën.

Jeta familjare

A E DIJE? Ndryshe nga shumë lakuriqë nate, lakuriqët frutangrënës nuk e gjejnë ushqimin me anë të jehonës së ultratingujve, por me sy dhe nuhatje.

Femra dhe mashkulli i dhelprave fluturuese të Samoas (Pteropus samoensis) lidhen për gjithë jetën. Siç shihet te disa specie, femra kujdeset shumë për të vegjlit duke i mbajtur me vete për disa javë dhe duke u dhënë qumësht thuajse deri në moshë të rritur. Kurse femra e dy specieve të lakuriqëve frutangrënës mund të ketë edhe ndihmën e një «mamie» gjatë lindjes.

Mjerisht, shumë nga këta lakuriqë nate frutangrënës rrezikojnë të zhduken, pjesërisht për shkak të shkatërrimit të habitatit të tyre. Në ishujt e Paqësorit Jugor, zhdukja e lakuriqit frutangrënës do të ishte katastrofike sepse disa lloje bimësh me sa duket nuk mund të pjalmohen pa ndihmën e lakuriqëve të natës. Është e qartë se puna e këtyre kopshtarëve fluturues nuk duhet nënvlerësuar kurrë.

^ par. 2 Këta lakuriqë nate ndodhen në Afrikë, Australi, Azi dhe në disa prej ishujve të Paqësorit.