KALI (Equus caballus) mund të rendë me galop me shpejtësi deri në 50 kilometra në orë. Megjithëse kjo kërkon një punë mekanike të jashtëzakonshme, ai nuk harxhon shumë energji. Si është e mundur? Sekreti qëndron te këmbët e tij.

Mendo se çfarë ndodh kur një kalë rend me galop. Grupet elastike që përbëhen nga muskuj dhe tendina, marrin energji kur këmbët prekin tokën dhe, ashtu si një sustë, e çlirojnë atë energji duke e shtyrë kalin përpara.

Për më tepër, kur ai vrapon, këmbët e tij dridhen në frekuenca të larta, të cilat mund t’i dëmtojnë tendinat. Por muskujt e këmbëve bëjnë rolin e amortizatorëve. Studiuesit e quajnë këtë strukturë «projektim muskul-tendinë tepër i arrirë» që jep edhe zhdërvjelltësi, edhe forcë.

Inxhinierët po përpiqen të imitojnë strukturën e këmbëve të kalit për ta përdorur te robotët me katër këmbë. Megjithatë, sipas Laboratorit të Robotikës Biomimetike në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, kompleksiteti i këtij projektimi nuk mund të kopjohet aq lehtë me materialet dhe njohuritë e tanishme inxhinierike.

Si mendon? A erdhi me evolucion struktura e këmbëve të kalit? Apo është projektuar?