A na i dëgjon dikush lutjet?

«O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijë çdo njeri.»—Psalmi 65:2.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Thuhet se lutjet «nuk shkojnë më lart se në tavan». Veçanërisht njerëzit që hasin vuajtje mund të priren të dyshojnë nëse lutjet ua dëgjon dikush.

ÇFARË THOTË BIBLA?

«Sytë e Jehovait [të Perëndisë] janë mbi të drejtët dhe veshët e tij te përgjërimi i tyre, por fytyra e Jehovait është kundër atyre që bëjnë të këqija»,—thotë Bibla. (1 Pjetrit 3:12) Qartë, Perëndia i dëgjon lutjet. Gjithsesi, ai është më i prirur të dëgjojë ata që zbatojnë ligjet e tij. Në lidhje me gatishmërinë e Perëndisë për të na i dëgjuar lutjet, një shkrim tjetër thotë: «Kjo është siguria që kemi tek ai: çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.» (1 Gjonit 5:14) Kështu, ata që i përgjërohen me sinqeritet Perëndisë duhet të kuptojnë çfarë lloj kërkesash janë në përputhje me vullnetin e tij.

 Si duhet të lutemi?

«Kur të lutesh, mos thuaj gjithnjë të njëjtat gjëra.»—Mateu 6:7.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Besimtarëve të feve të ndryshme, si budizmi, katolicizmi, hinduizmi dhe islamizmi, u kanë mësuar të përdorin rruzare për t’i thënë përmendsh dhe për t’i numëruar lutjet që bëjnë.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Lutjet duhet të burojnë nga zemra dhe të shprehen me sinqeritet; ato nuk duhen mësuar përmendsh dhe të përsëriten mekanikisht. Shkrimet na nxitin: «Kur të lutesh, mos thuaj gjithnjë të njëjtat gjëra, si bëjnë njerëzit nga bota, të cilët kujtojnë se do të dëgjohen ngaqë përdorin shumë fjalë. Mos u bëni si ata, sepse Perëndia, Ati juaj, e di se për ç’gjëra keni nevojë, madje përpara se t’ia kërkoni.»—Mateu 6:7, 8.

PSE KA RËNDËSI?

Kur lutjet bëhen në një mënyrë të papranueshme për Perëndinë, ndoshta adhuruesi po e çon kohën dëm ose po fyen Perëndinë. Bibla paralajmëron se lutjet e atyre që nuk pranojnë të jetojnë në përputhje me vullnetin e Perëndisë, janë ‘të pështira’ për të.—Proverbat 28:9.

Kujt duhet t’i lutemi?

«Kërkojeni Jehovain [Perëndinë] ndërsa mund të gjendet. Thirreni ndërsa është afër.»—Isaia 55:6.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Disa besimtarë i luten Marisë ose engjëjve dhe individëve të tjerë që përnderohen si «shenjtorë». Ndër ta janë «Shën» Antoni i Padovës ose «Shën» Ndou, për të cilin thuhet se kujdeset për «nevojat shpirtërore dhe materiale» dhe «Shën» Juda që konsiderohet si shenjtori mbrojtës në «situatat dëshpëruese». Shumë adhurues u luten këtyre «shenjtorëve» dhe engjëjve me shpresën se do t’i ndërmjetësojnë te Perëndia.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Adhuruesit e vërtetë duhet t’i luten ‘Atit tonë që është në qiej’. (Mateu 6:9) Bibla na nxit: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.»—Filipianëve 4:6.