Nga bota

Dhuna ndaj grave, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), është kthyer në një «problem shëndetësor global me përmasa epidemike». «Rreth 35 për qind e të gjitha grave dhunohen ose nga partneri, ose nga të tjerë,—thotë OBSH-ja.—Dhuna nga partneri është më e zakonshmja . . . dhe prek 30 për qind të grave në mbarë botën.»

Britani

Pasi u anketuan 64.303 veta, 79 për qind e tyre mendonin se «feja sot është shkak i shumë mjerimeve dhe i konflikteve në botë». Për më tepër, pas një regjistrimi të vitit 2011 në Angli dhe Uells, doli se vetëm 59 për qind e popullsisë thonë se janë të krishterë, në krahasim me 72 për qind që ishin në vitin 2001. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i atyre që thoshin se nuk i përkitnin asnjë feje, u rrit nga 15 në 25 për qind.

Kinë

Mediat raportojnë se një amendament i kohëve të fundit në legjislacion kërkon që fëmijët e rritur jo vetëm t’i vizitojnë shpesh prindërit e moshuar, por edhe të kujdesen për «nevojat emocionale» që kanë. Ligji «nuk përcakton ndonjë ndëshkim» për fëmijët që nuk e zbatojnë.

Evropë

Grupe kriminale tani po falsifikojnë mallra të konsumit të përditshëm, si artikuj kozmetikë, detergjentë e madje edhe ushqime. Presidenti i një kompanie që jep këshilla për sigurinë e artikujve ushqimorë, thotë: «Gati çdo përbërës që ka një vlerë ekonomike sikur edhe mesatare, mund të përdoret për të mashtruar.» Një specialist llogarit se 10 për qind e artikujve ushqimorë që shiten në vendet e zhvilluara, nuk janë origjinalë.