VËSHTIRËSIA

Ti * nuk i harron dot gjërat e këqija që të ka thënë ose të ka bërë bashkëshorti; fjalët e vrazhda dhe veprimet e pamenduara të skaliten në kujtesë. Si rrjedhojë, përzemërsia që kishe më parë, tani është zëvendësuar nga mëria. Të duket sikur s’ke zgjidhje tjetër veçse të durosh një martesë pa dashuri. Edhe për këtë i mban mëri bashkëshortit.

Të jesh e sigurt se gjërat mund të përmirësohen. Por shqyrto së pari disa fakte për mërinë.

ÇFARË DUHET TË DISH?

Mëria e pengon martesën të ecë përpara

Mëria mund të shkatërrojë martesën. Pse? Sepse minon pikërisht ato cilësi mbi të cilat duhet ndërtuar martesa, përfshirë dashurinë, besimin dhe besnikërinë. Pra, në njëfarë kuptimi, mëria nuk është pasoja e një problemi martesor, por është problemi martesor. Jo më kot, Bibla thotë: «Hiqni çdo vrer shpirtlig.»—Efesianëve 4:31.

Nëse mban mëri, dëmton veten. Të mbash mëri është si t’i gjuash vetes me shpullë dhe pastaj të presësh që dhembjen ta ndiejë personi tjetër. «Familjari ndaj të cilit mban mëri mbase ndihet për bukuri, e gëzon jetën dhe ndoshta nuk është aspak i trazuar nga ajo që ka ndodhur»,—shkruan Mark Zikëli në librin e tij Healing From Family Rifts. Përfundimi? «Mëria të lëndon shumë më tepër ty sesa personin ndaj të cilit mban mëri»,—thotë Zikëli.

Të mbash mëri është si t’i gjuash vetes me shpullë dhe pastaj të presësh që dhembjen ta ndiejë personi tjetër

Mëria është çështje zgjedhjeje. Mbase disa dyshojnë për këtë. Ata do të thoshin: «Bashkëshorti e ka fajin që unë mbaj mëri.» Problemi është se po të mendosh kështu, po e vë theksin te diçka që nuk mund ta kesh nën kontroll—veprimet e një personi tjetër. Bibla ofron këtë alternativë: «Secili të analizojë veprën e tij.» (Galatasve 6:4; Diodati i Ri) Ne nuk mund t’i mbajmë nën kontroll fjalët ose veprimet e një tjetri, por mund të mbajmë nën kontroll mënyrën si reagojmë. Mëria nuk është mundësia e vetme.

 ÇFARË MUND TË BËSH?

Mund të zgjedhësh të mos mbash mëri. Është e vërtetë se nuk është e vështirë t’ia hedhësh fajin bashkëshortit, por mos harro: mëria është çështje zgjedhjeje. Po njësoj është edhe falja. Ti mund të zgjedhësh të ndjekësh këshillën e Biblës: «Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar.» (Efesianëve 4:26) Një frymë falëse të ndihmon t’i përballosh problemet martesore me një qëndrim më të mirë mendor.—Parimi biblik: Kolosianëve 3:13.

Shqyrtoje veten me sinqeritet. Bibla e pranon se disa persona janë ‘zemërakë’ dhe ‘nxehen kollaj’. (Proverbat 29:22) A je edhe ti kështu? Pyet veten: «A kam prirjen të zemërohem? Sa shpejt fyhem? A prirem t’i bëj problem edhe gjërat e vogla?» Bibla thotë se «kush vazhdon të flasë për një çështje, ndan shokët e ngushtë». (Proverbat 17:9; Eklisiastiu 7:9) Kjo mund të ndodhë edhe në martesë. Prandaj, nëse ke prirjen të mbash mëri, pyet veten: «A mund të tregohem më e durueshme me bashkëshortin?»—Parimi biblik: 1 Pjetrit 4:8.

Vendos çfarë ka vërtet rëndësi. Bibla thotë se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». (Eklisiastiu 3:7) Nuk ka nevojë të diskutohet çdo fyerje; ndonjëherë thjesht mund ‘t’i flasësh zemrës në shtratin tënd dhe të heshtësh’. (Psalmi 4:4) Kur ke vërtet nevojë të diskutosh për diçka që të ka lënduar, prit deri sa të jesh e qetë. Një grua që quhet Beatrisa, thotë: «Kur ndihem e lënduar, përpiqem më parë të qetësohem. Ndonjëherë e kuptoj më vonë se gjëja që më lëndoi, nuk ishte edhe aq e rëndë, dhe pastaj jam më e prirur të flas me respekt.»—Parimi biblik: Proverbat 19:11.

Kupto çfarë do të thotë «të falësh». Në Bibël, fjala «të falësh» ndonjëherë përkthehet nga një fjalë në gjuhën origjinale që nënkupton të mos e mbash diçka. Prandaj, të falësh nuk do të thotë të minimizosh fyerjen ose të veprosh sikur ajo të mos kishte ndodhur kurrë; do të thotë thjesht të mos e mbash, ta lësh të kalojë, duke ditur se mëria mund të ta dëmtojë shëndetin dhe martesën më tepër se vetë fyerja.

^ par. 4 Edhe pse në këtë artikull do t’i referohemi gjinisë femërore, parimet vlejnë për të dyja gjinitë.