Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 INTERVISTË | UENLONG HE

Një shkencëtar i fizikës eksperimentale flet për besimin e tij

Një shkencëtar i fizikës eksperimentale flet për besimin e tij

UENLONG HE në fillim studioi për fizikë në Suzhou, provincë e Kiansusë në Kinë. Ai ndihmon në botimin e një reviste ndërkombëtare për teknologjinë dhe ka botuar dhjetëra dokumente shkencore. Tani, Uenlong He punon për Universitetin e Strethklajdit në Skoci. Kur ishte i ri, besonte tek evolucioni, por më vonë arriti në përfundimin se jeta ishte krijuar. Zgjohuni! i drejtoi disa pyetje për besimin e tij.

Na trego pak për të kaluarën tënde.

Linda në vitin 1963 dhe u rrita në Kinë, në një fshat në jug të lumit Jance në provincën e Kiansusë. Është një zonë subtropikale që njihet për prodhimin e ushqimeve, prandaj shpesh quhet vendi i orizit dhe i peshkut. Kur isha fëmijë, mendoja: «Si ka mundësi që në natyrë ka kaq shumë gjëra të shijshme? A kanë ardhur rastësisht në ekzistencë? A bëri pula vezën apo veza pulën?» Ateizmi mbizotëron në Kinë, prandaj në shkollë më mësuan evolucionin.

Ç’mund të na thuash për familjen?

Prindërit ishin ateistë. Mamaja punonte në bujqësi, kurse babai kishte një kompani ndërtimi. Jam më i madhi nga pesë djemtë. Mjerisht, dy nga vëllezërit e mi vdiqën të rinj. U pikëllova jashtë mase, dhe pyesja veten: «Pse vdesin njerëzit? A do t’i shoh përsëri vëllezërit e mi?»

Pse studiove për shkencë?

Doja të studioja për fizikë sepse më ngjallnin kureshtje gjërat në natyrë dhe mendoja që fizika do t’u jepte përgjigje pyetjeve që më kishin lindur që në fëmijëri.

Cila është fusha jote e kërkimeve?

Eksploroj mënyra për të rritur shpejtësinë e grimcave me ngarkesë që t’i afrohen shpejtësisë së dritës. Këtë e bëj për të studiuar strukturën e atomeve. Gjithashtu, studioj si të përftohet një rrezatim me fuqi të lartë me një frekuencë midis rrezeve mikrovalë dhe infra të kuqe.  Megjithëse kërkimet e mia bëhen për arsye fitimi, ato lidhen edhe me përpjekjet për të kuptuar si filloi universi.

Si të lindi interesi për Biblën?

Në vitin 1998, dy Dëshmitarë të Jehovait më erdhën në shtëpi. Ata u ofruan t’u jepnin përgjigje nga Bibla pyetjeve të mia. Në bisedat tona u bashkua edhe gruaja ime, Huabi, që është gjithashtu shkencëtare. Nuk kishim parë kurrë një Bibël, por na bënë shumë përshtypje këshillat e saj praktike. Vumë re se si ky çift Dëshmitarësh kishte nxjerrë dobi nga zbatimi i parimeve biblike. Ishin të lumtur dhe bënin një jetë të thjeshtë. Por ajo që thotë Bibla për Perëndinë më bëri të mendoja përsëri nëse universi ishte krijuar. Si fizikan, puna ime është të kuptoj natyrën. Prandaj vendosa t’u kushtoja shumë vëmendje fakteve.

Si fizikan, puna ime është të kuptoj natyrën. Prandaj vendosa t’u kushtoja shumë vëmendje fakteve

Cilat ishin këto fakte?

Së pari, e dija se një grup objektesh nuk mund të bëhen më të organizuara ose të mbeten të organizuara nëse nuk drejtohen nga një agjent i jashtëm. Ky është ligji i dytë i termodinamikës. Meqë universi dhe jeta në tokë janë jashtë mase të rregullt, arrita në përfundimin se duhet të kenë ardhur nga një agjent i jashtëm, një Krijues. Fakti i dytë ishte se universi dhe toka duken se janë projektuar posaçërisht për të mbështetur jetën.

Çfarë prove gjete për këtë?

Praktikisht, e gjithë jeta në tokë varet nga energjia diellore. Kjo energji udhëton përmes hapësirës në formën e rrezatimit. Ai vjen në tokë nëpërmjet një spektri të gjerë me valë të gjatësive të ndryshme. Më të shkurtrat janë valët vdekjeprurëse gama. Pastaj vijnë rrezet X, rrezet ultravjollcë, drita e dukshme, rrezet infra të kuqe, rrezet mikrovalë dhe më të gjatat janë valët e radios. Është e jashtëzakonshme se si atmosfera jonë bllokon shumë rrezatime të dëmshme ndërkohë që lejon rrezatime të tjera të nevojshme të arrijnë në sipërfaqen e tokës.

Pse të bëri përshtypje kjo gjë?

Më bëri shumë përshtypje tregimi i Biblës për krijimin dhe pjesa që flet për dritën. Ajo pohon: «Perëndia tha: ‘Le të bëhet dritë.’ Atëherë u bë dritë.» * Edhe pse vetëm një shirit shumë i ngushtë i spektrit të gjerë të rrezatimit diellor është dritë e dukshme, prapëseprapë drita është jetësore. Bimët kanë nevojë për dritë që të prodhojnë ushqim, kurse neve na duhet për të parë. Fakti që atmosfera e tokës është e tejdukshme ndaj dritës në një mënyrë të veçantë, nuk mund të jetë një rastësi. Edhe më e jashtëzakonshme është sasia e vockël e dritës ultravjollcë që arrin në sipërfaqe të tokës.

Pse është e jashtëzakonshme?

Disa rreze ultravjollcë janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Me anë të lëkurës na duhet të marrim një sasi të vogël të këtyre rrezeve për të prodhuar vitaminën D, që është jetësore për kockat dhe me sa duket për mbrojtjen nga kanceri dhe nga sëmundje të tjera. Megjithatë, kur këto rreze janë me tepri, shkaktojnë kancer në lëkurë dhe perde në sy. Normalisht, atmosfera lejon që vetëm një sasi e vogël e rrezeve ultravjollcë të arrijë në sipërfaqe të tokës—dhe është pikërisht sasia e duhur. Për mendimin tim, kjo provon se dikush e ka projektuar tokën për të mbështetur jetën.

Pak nga pak, unë dhe Huabi u bindëm se ka një Krijues dhe se ai ka frymëzuar Biblën. Në vitin 2005, u bëmë Dëshmitarë të Jehovait dhe tani u mësojmë Biblën të tjerëve.