Të premten më 11 mars 2011, Japonia u godit nga një tërmet 9-ballësh sipas shkallës Rihter që mori më shumë se 15.000 jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme me vlerë mbi 200 miliardë dollarë. Pas lajmërimit për tsunamin që po afrohej, Keji 32-vjeçar, për të shpëtuar, shkoi në një vend më të ngritur. «Të nesërmen u ktheva në shtëpi për të marrë ç‘të mundja,—thotë ai,—por deti kishte përlarë çdo gjë, madje edhe apartamentin tim. Kishte mbetur vetëm themeli.

M’u desh ca kohë të kuptoja që nuk kisha humbur vetëm disa gjëra, por gjithçka kisha. Çdo gjë ishte zhdukur: makina, kompjuterët që përdorja për punë, tavolinat, karriget, divani ku uleshin mysafirët, organoja, kitara, kitara ukulele, flauti, mjetet për të pikturuar me bojëra uji, bojërat e vajit, pastelet, të gjitha pikturat dhe vizatimet e mia.»

SI TA PËRBALLOSH TRAGJEDINË?

Përpiqu të përqendrohesh tek ajo që ke dhe jo tek ajo që humbe. Bibla thotë: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Keji kujton: «Në fillim, bëra një listë të gjërave që doja, por kjo më kujtonte çdo gjë që kisha humbur. Vendosa të futja në listë vetëm gjërat që më duheshin vërtet, dhe sapo një nevojë plotësohej, e hiqja nga lista. Ajo listë më ndihmoi të rindërtoja jetën.»

Në vend që të përqendrohesh te vetja, përdore përvojën tënde për t’u dhënë zemër të tjerëve. Keji thotë: «Ndihmat që u shpërndanë dhe miqtë më ndihmuan shumë, por ngaqë u mësova vetëm të merrja, fillova të humbitja respektin për veten. Pastaj m’u kujtuan fjalët te Veprat 20:35 që thotë ‘ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh’. Meqë nuk mund të jepja shumë nga ana materiale, vendosa t’u jepja fjalë inkurajimi të prekurve të tjerë të kësaj katastrofe. Bujaria e shfaqur në këtë mënyrë më ndihmoi shumë.»

Lutju Perëndisë të të japë mençuri praktike se si të veprosh në rrethanat e tua. Keji kishte besim te siguria që jep Bibla se Perëndia «do ta dëgjojë lutjen e skamësit». (Psalmi 102:17) Njësoj mund të bësh edhe ti.

A e dije? Bibla parathotë se do të vijë një kohë kur asnjë njeri nuk do të ketë frikë se mos humbet zotërimet nga katastrofat natyrore. *Isaia 65:21-23.

^ par. 9 Për të mësuar se cili është qëllimi i Perëndisë për tokën, shih kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.