BRETKOSA australiane, që mendohet të jetë zhdukur si specie në vitin 2002, riprodhohej në një mënyrë të çuditshme. Ajo i gëlltiste vezët e fekonduara dhe i ngrohte në stomakun e saj për rreth gjashtë javë. Pas kësaj, ajo i nxirrte të vegjlit nga goja kur ishin të zhvilluar plotësisht.

Që vezët të mos treteshin në stomak, duhej që bretkosa jo vetëm të mos hante, por edhe të mos prodhonte acid në stomak. Me sa duket, substancat kimike që çlironin vezët dhe të vegjlit, pengonin prodhimin e acidit.

Bretkosa mëmë ngrohte rreth 24 vezë. Në kohën kur ishin gati për të dalë, pesha e të vegjëlve të saj përbënte thuajse 40 për qind të peshës së saj trupore. Kjo do të ishte sikur një grua që peshonte 68 kilogramë para shtatzënisë, të kishte në bark 24 foshnja me peshë 1,8 kilogram secila. Bretkosat e vogla e zgjeronin stomakun e së ëmës deri në atë pikë sa ai ia shtypte komplet mushkëritë, duke e detyruar të merrte frymë përmes lëkurës.

Kur bretkosat foshnja ishin gati, normalisht dilnin brenda disa ditësh. Por nëse e ëma pikaste ndonjë rrezik, i lindte duke i vjellë nga goja. Njëherë, studiuesit panë një bretkosë që nxori njëkohësisht gjashtë bretkosa të vogla duke i hedhur në ajër rreth 1 metër larg.

Nëse, siç thonë disa, sistemi i saj riprodhues ka evoluar, kësaj bretkose i është dashur të bëjë ndryshime të stërmëdha njëherësh, si në ndërtimin e saj fizik, ashtu edhe në mënyrën si vepronte. Shkencëtari dhe evolucionisti Majkëll Xh. Tajlëri shkroi: «Është e pakonceptueshme të mendosh një ndryshim të ngadaltë dhe progresiv në sistemin e saj riprodhues. Riprodhimi i saj ose do të dilte komplet i efektshëm, ose do të dështonte komplet.» Sipas Tajlërit, i vetmi shpjegim i arsyeshëm, është se mund të ketë bërë «një hap të vetëm, të madh e vigan». Disa do të thoshin se një hap kaq vigan quhet krijim. *

Si mendon? A erdhi me evolucion sistemi riprodhues gastrik i bretkosës? Apo është projektuar?

^ par. 7 Në librin e tij Origjina e llojeve, Çarls Darvini pohoi: «Përzgjedhja natyrore bëhet vetëm në bazë të ndryshimeve të vogla midis specieve të njëpasnjëshme. Ajo [natyra] nuk mund të bëjë kurrë një hap të madh.»