Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 TEMA KRYESORE

Kush është mik i mirë?

Kush është mik i mirë?

MË DATË 25 dhjetor 2010, një 42-vjeçare nga Britania postoi një mesazh vetëvrasjeje në një rrjet shoqëror të njohur. Mesazhi i saj dukej si një thirrje e dëshpëruar për ndihmë. Megjithëse kishte më tepër se një mijë «miq» në rrjetin shoqëror, askush nuk i shkoi në ndihmë. Të nesërmen policia e gjeti të vdekur. Kishte marrë një mbidozë vdekjeprurëse.

Sot, teknologjia moderne na jep mundësi të kemi qindra e madje mijëra «miq» në rrjetet shoqërore thjesht duke shtuar emrat e tyre në listën tonë të kontakteve në kompjuter. Dhe nëse duam t’i japim fund ndonjërës prej këtyre «miqësive», mjafton të fshijmë emrin e personit nga lista. Por, rasti tragjik i gruas nga Britania zbulon një realitet tronditës: shumë njerëz nuk arrijnë të gjejnë miq të vërtetë. Në fakt, sipas një anketimi të kohëve të fundit, numri i miqve vërtet të ngushtë ka rënë, edhe pse në ditët e sotme shoqërohemi me njerëzit më shumë se kurrë.

Ndoshta edhe ti, ashtu si shumica e njerëzve, mendon se është e rëndësishme të kesh miq të mirë. Gjithashtu mund të jesh dakord se, për të qenë mik i mirë, nuk mjafton vetëm të klikosh një link në kompjuter ose në smartphone. Çfarë kërkon te një mik? Si mund të jesh një mik i mirë? Çfarë duhet për të farkëtuar një miqësi jetëgjatë?

Shqyrto në faqet vijuese katër parime që na udhëheqin dhe vër re se si të ndihmojnë këshillat praktike të Biblës të jesh ai lloj njeriu që të tjerët e duan si mik.

 1. Trego interes të vërtetë

Miqësia e vërtetë kërkon përkushtim. Me fjalë të tjera, miku i mirë ka ndjenjën e përgjegjësisë ndaj teje dhe interesohet vërtet për ty. Kuptohet, ky përkushtim është reciprok dhe kërkon shumë punë e sakrifica dypalëshe. Por ia vlen barra qiranë. Pyet veten: «A jam i gatshëm t’i jap mikut tim nga vetja, nga koha dhe nga të ardhurat e mia?» Mos harro se, që të kesh një mik të mirë, duhet që ti së pari të jesh mik i mirë.

ÇFARË KËRKOJNË NJERËZIT TE NJË MIK?

Irena: «Një kopsht i bukur kërkon mjaft kohë e përkujdesje. E njëjta gjë është edhe me miqësinë. Fillo duke zhvilluar dëshirën për të qenë ti vetë një mik i mirë. Mos e kurse përzemërsinë dhe interesin personal. Mos ngurro të sakrifikosh kohën tënde kur ai ka nevojë për ty.»

Luis Alfonso: «Në shoqërinë e sotme lartësohet më tepër egoizmi sesa altruizmi. Prandaj, vlerësohet shumë kur dikush interesohet për ty pa pritur medoemos diçka në këmbim.»

ÇFARË THOTË BIBLA?

«Ashtu si dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, njësoj bëni edhe ju për ta. Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin.» (Luka 6:31, 38) Këtu Jezui këshillon të tregojmë altruizëm dhe bujari të vërtetë. Kjo lloj bujarie ushqen miqësi të mira. Nëse harxhohesh për miqtë pa pritur asgjë në këmbim, natyrshëm do t’u hysh në zemër.

2. Ji komunikues i mirë

Miqësia e vërtetë nuk lulëzon pa një komunikim të rregullt. Prandaj flisni për interesat e përbashkëta. Dëgjoje mikun dhe respektoja mendimet. Lavdëroje dhe inkurajoje sa herë të jetë e mundur. Ndonjëherë mund të ketë nevojë t’i japësh këshilla ose korrigjim, dhe kjo mund të mos jetë gjithnjë e lehtë për ty. Megjithatë, miku që është besnik e gjen guximin për t’i vënë në dukje një të metë serioze dhe për ta këshilluar me takt.

ÇFARË KËRKOJNË NJERËZIT TE NJË MIK?

Huani: «Miku i vërtetë duhet të jetë në gjendje ta shprehë lirshëm mendimin e tij dhe nuk duhet të mërzitet nëse ti mendon ndryshe.»

Eunika: «Miqtë që vlerësoj më tepër janë ata që janë të gatshëm të rrinë me mua dhe të më dëgjojnë, sidomos kur kam probleme.»

Silvina: «Miqtë e vërtetë të thonë të vërtetën, edhe nëse e dinë që do të të lëndojë, sepse të duan të mirën.»

ÇFARË THOTË BIBLA?

«Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohet në të folur e të mos zemërohet shpejt.» (Jakovi 1:19) Miqtë e mirë e vlerësojnë gjithmonë dëgjuesin e mirë. Por, nëse mbizotërojmë bisedën, do të japim idenë sikur mendimet tona janë më të rëndësishme se të tyret. Prandaj, ji i vëmendshëm kur një mik dëshiron të të shprehë mendimet dhe shqetësimet e tij më të thella. Dhe mos u fyej nëse të flet hapur. «Plagët e shkaktuara nga [një mik], janë të besueshme»,—thuhet te Proverbat 27:6.

 3. Mos prit tepër nga miqtë

Sa më shumë të afrohemi me një mik, aq më shumë do t’i shohim të metat tek ai. Miqtë nuk janë të përsosur, ashtu si edhe ne. Prandaj, kurrë nuk duhet të presim ose të kërkojmë përsosmëri nga ata me të cilët shoqërohemi. Përkundrazi, është mirë të çmojmë virtytet dhe të tolerojmë gabimet e tyre.

ÇFARË KËRKOJNË NJERËZIT TE NJË MIK?

Samueli: «Shpesh presim më shumë nga të tjerët se nga vetja. Nëse pranojmë se gabojmë dhe kemi nevojë për falje, atëherë e kemi më të lehtë t’i falim të tjerët.»

Danieli: «Pranoje se miqtë do të gabojnë. Kur lindin probleme, është mirë t’i zgjidhim pa vonuar dhe të përpiqemi fort t’i harrojmë.»

ÇFARË THOTË BIBLA?

A je i gatshëm të falësh?Kolosianëve 3:13, 14

«Të gjithë ne pengohemi shumë herë. Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, është njeri i përsosur, i zoti t’i vërë fre edhe gjithë trupit.» (Jakovi 3:2) Kur e pranojmë këtë fakt të thjeshtë, arrijmë t’i kuptojmë miqtë. Kjo në vetvete do të na ndihmojë të mos ua vëmë re dobësitë dhe të metat e vogla që mund të na irritojnë. Bibla thotë: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. . . . Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.»Kolosianëve 3:13, 14.

 4. Zgjero rrethin e miqve

Është e vërtetë, duhet t’i përzgjedhim miqtë. Por kjo nuk do të thotë se duhet të zgjedhim vetëm miq që i përkasin një grup-moshe ose formimi të caktuar. Interesi për njerëz të të gjitha moshave, kulturave dhe kombësive mund të na e pasurojë vërtet jetën.

ÇFARË KËRKOJNË NJERËZIT TE NJË MIK?

Unai: «Të zësh miq vetëm ata që kanë të njëjtën moshë dhe shije me ty, është si të veshësh gjatë gjithë kohës rroba në ngjyrën tënde të preferuar. S’ka rëndësi sa shumë të pëlqen ajo ngjyrë, herët a vonë mund të të mërzitet.»

Funka: «Zgjerimi i rrethit të miqve më ka ndihmuar të piqem. Kam mësuar të shkoj mirë me njerëz të të gjitha moshave e prejardhjeve dhe kjo më ka ndihmuar të jem më e shoqërueshme dhe më elastike. Miqtë e mi e vlerësojnë vërtet këtë.»

A shoqërohesh me njerëz të llojeve të ndryshme?2 Korintasve 6:13

ÇFARË THOTË BIBLA?

«Prandaj, në këmbim, po ju flas si fëmijëve, zgjerohuni edhe ju.» (2 Korintasve 6:13) Bibla na nxit të bëhemi miq me çdo lloj njeriu. Kjo pikëpamje gjithëpërfshirëse dhe e paanshme, mund të ta bëjë jetën më të larmishme dhe do t’u hysh të tjerëve më shumë në zemër.