«Ndihesha si miu që vrapon brenda një rrote, por që mbetet në vend-numëro. Shpesh punoja 16 orë në ditë, vetëm tek-tuk ndonjë fundjavë pushim. Më vinte inat se e lija dhe e gjeja vajzën në gjumë. Stresi po më sëmurte.»—Kori, Finlandë.

RASTI i Korit nuk është i vetmi. Sipas një organizate bamirësie për shëndetin mendor në Mbretërinë e Bashkuar, 1 në 5 punëtorë britanikë u shpreh se ishte sëmurur nga stresi gjatë viteve të punës dhe 1 në 4 qante në punë nga presioni i papërballueshëm. Mjekët dhanë receta për antidepresantë si kurrë më parë në vitin 2009, që ishte një vit recesioni ekonomik.

Çfarë të ka stresuar?

  • Pasiguria—financiare ose e llojeve të tjera

  • Rutina shumë e ngarkuar

  • Konfliktet me të tjerët

  • Një traumë që ke kaluar

Çfarë pasojash të ka sjellë stresi?

  • Çrregullime shëndetësore

  • Sfilitje emocionale

  • Probleme me gjumin

  • Depresion

  • Prishje të marrëdhënieve me të tjerët

 Stresi aktivizon një sistem mahnitës në trupin tënd: sistemi i reagimit në rast urgjence. Trupi çliron hormone për të shpeshtuar frymëmarrjen, për të përshpejtuar rrahjet e zemrës dhe për të rritur presionin e gjakut. Gjithashtu, rezervat e qelizave të gjakut dhe të glukozës vërshojnë në qarkullimin e gjakut. Kjo mori reagimesh të përgatit që të përballosh shkakun e stresit. Pasi shkaku i stresit të mos jetë më, trupi mund të kthehet në normalitet. Por kur ai vazhdon, ankthi ose tensioni bëhen kronikë, ashtu si një motor që qëndron i nxehur. Prandaj, është e rëndësishme të mësosh si ta përballosh stresin qoftë për mirëqenien fizike, ashtu edhe atë mendore.

Përballimi i stresit

Stresi në vetvete nuk është medoemos i dëmshëm. Shoqata e Psikologëve Amerikanë ka thënë: «Stresi ndikon te gjendja e njeriut ashtu si tendosja te telat e violinës: tendosja e paktë nxjerr muzikë të mërzitshme dhe të ngjirur; tendosja e tepërt nxjerr muzikë të çjerrë ose i këput telat. Stresi mund të jetë ose puthja e vdekjes, ose lezeti i jetës. Çështja është si ta përballosh.»

Një gjë tjetër është se temperamenti dhe gjendja shëndetësore ndryshon nga një njeri te tjetri. Prandaj, ajo që streson dikë, nuk streson një tjetër. Pra, ndoshta stresohesh tepër kur rutina e përditshme të tensionon aq shumë sa nuk çlodhesh dot ose nuk përballon dot rastet urgjente që dalin ndonjëherë.

Që «të përballojnë» stresin kronik, disa fillojnë alkoolin, drogën ose duhanin. Të tjerë marrin zakone jonormale në të ngrënë ose ngulen para televizorit ose kompjuterit—zakone që jo vetëm nuk e zgjidhin problemin, por mund ta përkeqësojnë. Atëherë, si të mësojmë ta përballojmë stresin si duhet?

Shumë veta kanë arritur t’i përballojnë streset duke zbatuar këshillat praktike të Biblës. A mund të të hyjë në punë mençuria e saj e provuar dhe e vërtetuar? Mendo për këtë pyetje duke pasur parasysh katër shkaqe që sjellin zakonisht stres.

 1 PASIGURIA

Asnjëri prej nesh nuk ndihet tërësisht i sigurt. Siç e thotë Bibla, ‘të gjithëve na rastis të kalojmë kohë të vështira dhe të përjetojmë ngjarje të paparashikuara’. (Eklisiastiu 9:11) Si t’i përballosh ndjenjat e pasigurisë? Provo këto sugjerime.

  • Hapja zemrën një familjari ose miku të besuar. Studimet tregojnë se mbështetja e njerëzve të dashur është vazhdimisht mbrojtje ndaj çrregullimeve që vijnë nga stresi. Po, «shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira».Proverbat 17:17.

  • Mos e lidh kokën para se të vritesh. Kjo nuk bën gjë tjetër veçse të shteron emocionalisht. Dhe ajo që ke frikë mund të mos ndodhë fare. Me të drejtë, Bibla thotë: «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.»Mateu 6:34.

  • Provo fuqinë e lutjes. 1 Pjetrit 5:7 thotë: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë], sepse ai interesohet për ju.» Perëndia kujdeset për ne duke na dhënë paqe të brendshme dhe duke na siguruar se ‘kurrsesi nuk do t’i braktisë’ ata që me sinqeritet i drejtohen atij për ngushëllim e mbështetje në rast nevoje.Hebrenjve 13:5; Filipianëve 4:6, 7.

2 RUTINA SHUMË E NGARKUAR

Rutina që s’të lë të marrësh frymë, si vajtje-ardhjet e gjata për në punë, vetë puna, studimet ose kujdesi për fëmijët a për prindërit e moshuar, e mban stresin në nivel të lartë. Dhe mbase nuk është e mundur të lësh ndonjë prej këtyre aktiviteteve. (1 Timoteut 5:8) Atëherë, ç’mund të bësh?

  • Përpiqu të gjesh kohën për të pushuar pak, dhe fli mjaftueshëm. Bibla thotë: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.»Eklisiastiu 4:6.

  • Vër përparësitë e mençura dhe bëj jetë modeste. (Filipianëve 1:10) Mendo si ta thjeshtosh jetën, ndoshta duke pakësuar shpenzimet ose kohën që kalon në punë.Luka 21:34, 35.

Kori, që përmendëm më parë, rishqyrtoi jetën e tij. «Kuptova që po bëja jetë egoiste»,—shkroi ai. Prandaj shiti biznesin dhe filloi një punë që i linte më shumë kohë për familjen. «Standardi ynë i jetesës ka rënë pak,—pranon ai,—por unë dhe gruaja kemi shpëtuar nga stresi i vazhdueshëm dhe na ngelet më shumë kohë për të ndenjur me familjen dhe miqtë. Paqen e brendshme që kam tani nuk do ta këmbeja me asnjë mundësi biznesi.»

 3 KONFLIKTET ME TË TJERËT

Konfliktet, sidomos në vendin e punës, mund të jenë shumë stresuese. Nëse has vështirësi të tilla, ja disa sugjerime që mund të të ndihmojnë.

  • Kur dikush të mërzit, përpiqu të ruash qetësinë. Mos i hidh benzinë zjarrit. «Përgjigjja e butë e largon tërbimin, por një fjalë [e ashpër], ngjall zemërim»,—thuhet te Proverbat 15:1.

  • Përpiqu të sqaroheni vetëm për vetëm dhe me respekt, duke i dhënë kështu dinjitet personit tjetër.Mateu 5:23-25.

  • Përpiqu të dallosh mirë ndjenjat dhe pikëpamjen e tij. Nëse veprojmë kështu, kjo na «ngadalëson zemërimin», sepse na ndihmon ta vëmë veten në vend të personit tjetër. (Proverbat 19:11) Na ndihmon edhe ta shohim veten me sytë e tjetrit.

  • Përpiqu të falësh. Falja është jo vetëm e bukur, por edhe ilaç i mirë. Siç tregonte edhe një studim i vitit 2001, «prirja për të mos falur» sillte «rritje të ndjeshme» të presionit të gjakut dhe të rrahjeve të zemrës, kurse prirja për të falur, pakësonte stresin.Kolosianëve 3:13.

4 NGJARJET TRAUMATIKE

Nienga nga Kamboxhia pësoi një sërë tragjedish. Në vitin 1974, u plagos kur shpërtheu një bombë në aeroport. Vitin pasues i vdiqën të dy fëmijët, e ëma dhe i shoqi. Në vitin 2000, iu dogj shtëpia me gjithçka kishte, dhe tre vjet më vonë i vdiq edhe burri i dytë. Në këtë pikë, donte t’i jepte fund jetës.

«Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund.»

Por, Nienga gjeti një mënyrë për të mos u dorëzuar. Ashtu si Kori, ajo shqyrtoi Biblën dhe përfitoi kaq shumë nga ajo që mësoi, sa u angazhua të ndihmonte të tjerët që dhe ata të nxirrnin dobi. Rasti i saj na sjell ndër mend një studim që bënë disa studiues britanikë në vitin 2008. Ata zbuluan se «aftësia për të përballuar stresin» vjen kur «u japim . . . të tjerëve»—këshillë që ka qenë prej kohësh në Bibël.Veprat 20:35.

Ato që mësoi, i dhanë Niengës edhe një shpresë të sigurt për një të ardhme më të mirë, kur të gjitha problemet që e mundojnë njerëzimin do të zhduken. Në atë kohë, «paqja do të jetë pa fund» në mbarë tokën.Psalmi 72:7, 8.

Shpresa e vërtetë dhe mençuria për të përballuar streset e shumta të jetës, janë të paçmuara dhe të dyja gjenden në faqet e Biblës. Miliona njerëz tashmë kanë nxjerrë shumë dobi nga ky libër i jashtëzakonshëm dhe unik. Edhe ti mund të jesh mes tyre.