MILIARDA njerëz e kanë lexuar ose dëgjuar atë që thotë Bibla për zanafillën e universit. Tregimi 3.500-vjeçar nis me fjalët e njohura: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.»

Megjithatë, shumë veta nuk e dinë se krerët e krishterimit të rremë, përfshirë të ashtuquajturit kreacionistë dhe fondamentalistë, e kanë shndërruar tregimin biblik të krijimit në përralla të panumërta që devijojnë nga ajo çfarë thotë vërtet Bibla. Këto interpretime janë si nata me ditën me faktet shkencore. Ndonëse këto përralla nuk gjenden në Bibël, ato i kanë shtyrë disa ta hedhin poshtë tregimin e Biblës dhe ta konsiderojnë si përrallë.

Shumë veta nuk e dinë të vërtetën që thotë Bibla për krijimin. Ky është turp, pasi Bibla paraqet një shpjegim logjik e të besueshëm për zanafillën e universit. Për më tepër, ky shpjegim përputhet me zbulimet shkencore. Po, mund të habitesh e të kënaqesh nga të pathënat e krijimit që gjenden në Bibël!

KRIJUESI I PAKRIJUAR

Tregimi i Biblës për krijimin bazohet te fakti se ka një Qenie Supreme, një Perëndi të Plotfuqishëm që krijoi gjithçka. Kush është ai dhe i çfarë natyre është? Bibla tregon se ai është krejt ndryshe nga hyjnitë që koncepton shoqëria moderne dhe fetë kryesore. Ai është Krijuesi i gjithçkaje, por shumë veta dinë fare pak për të.

  • Perëndia është një person, një individ. Nuk është një forcë e paqartë pa personalitet, që endet kuturu nëpër univers. Ai mendon, ndien dhe ka synime.

  • Perëndia ka fuqi dhe mençuri të pakufishme. Kjo shpjegon projektin kompleks që gjendet kudo në krijim, veçanërisht në qeniet e gjalla.

  • Perëndia krijoi gjithë materien. Prandaj, ai nuk mund të përbëhet nga elementët fizikë që ai vetë ka krijuar. Përkundrazi, është një person i padukshëm, jo me një trup fizik.

  • Ekzistenca e Perëndisë nuk njeh kufij kohorë. Ai ka ekzistuar dhe do të ekzistojë përgjithmonë. Pra, askush nuk e ka krijuar atë.

  • Perëndia ka një emër, i cili përdoret mijëra herë në Bibël. Emri i tij është Jehova.

  • Perëndia Jehova i do njerëzit dhe interesohet për ta.

 SA KOHË IU DESH PERËNDISË TË KRIJONTE UNIVERSIN?

Bibla thotë se Perëndia «krijoi qiejt dhe tokën». Gjithsesi, kjo shprehje me kuptim të gjerë nuk e përmend fare sa kohë iu desh për të krijuar universin ose metodat që përdori për t’i dhënë formë. Ç’të themi për besimin e përhapur kreacionist se Perëndia e krijoi universin në gjashtë ditë të mirëfillta 24-orëshe? Ky koncept, të cilin shkencëtarët e hedhin poshtë, bazohet në një kuptueshmëri shumë të gabuar të tregimit të Biblës. Shqyrto çfarë thotë vërtet Bibla.

Bibla nuk i përkrah fondamentalistët dhe kreacionistët, të cilët thonë se ditët e krijimit ishin ditë të mirëfillta 24-orëshe.

  • Bibla nuk i përkrah fondamentalistët dhe kreacionistët, të cilët thonë se ditët e krijimit ishin ditë të mirëfillta 24-orëshe.

  • Bibla e përmend shpesh fjalën «ditë» për të përshkruar periudha të ndryshme kohore. Në disa raste, këto periudha kanë gjatësi të paspecifikuara. Tregimi i krijimit që gjendet në librin biblik të Zanafillës është një shembull i kësaj.

  • Në këtë tregim të Biblës, secila nga gjashtë ditët e krijimit mund të ketë zgjatur mijëra vjet.

  • Kur filloi dita e parë e krijimit, tashmë Perëndia e kishte krijuar universin, përfshirë planetin e pajetë të Tokës.

  • Me sa duket, gjashtë ditët e krijimit ishin periudha të gjata gjatë të cilave Perëndia Jehova e përgatiti tokën për t’u banuar nga njerëzit.

  • Tregimi i Biblës për krijimin nuk bie ndesh me përfundimet shkencore për moshën e universit.

A PËRDORI EVOLUCIONIN PERËNDIA?

Shumë nga ata që nuk besojnë në Bibël, përkrahin teorinë se qeniet e gjalla erdhën nga lëndë kimike të pajeta përmes proceseve të panjohura e të rastësishme. Supozohet se në njëfarë pike u shfaq një organizëm vetëshumëfishues i ngjashëm me bakterin, i cili gradualisht u degëzua në të gjitha qeniet që ekzistojnë sot. Kjo do të nënkuptonte se njeriu me kompleksitet marramendës faktikisht ka evoluar nga bakteri.

Teoria e evolucionit përkrahet edhe nga shumë veta që thonë se e pranojnë Biblën si fjalën e Perëndisë. Ata besojnë se Perëndia dha fillesën e jetës në tokë, por më pas thjesht mbikëqyri dhe mbase drejtoi procesin e evolucionit. Megjithatë, Bibla thotë diçka tjetër.

Tregimi i Biblës për krijimin nuk bie ndesh me zbulimet shkencore se varietetet ndodhin brenda të njëjtit lloj.

  • Sipas Biblës, Perëndia Jehova i krijoi të gjitha llojet bazë të jetës bimore dhe shtazore, si dhe një burrë e grua të përsosur që kishin vetëdije, dashuri, mençuri dhe ndjenjën e drejtësisë.

  • S’ka dyshim se llojet e kafshëve dhe të bimëve që krijoi Perëndia, kanë pësuar ndryshime dhe kanë rezultuar në varietete brenda llojeve. Në shumë raste, format e jetës që kanë ardhur si rezultat, ndryshojnë jashtë mase nga njëra-tjetra.

  • Tregimi i Biblës për krijimin nuk bie ndesh me zbulimet shkencore se varietetet ndodhin brenda të njëjtit lloj.

 DORA E KRIJUESIT SHIHET QARTË NË KRIJIM

Në mes të shekullit të 19-të, biologu Alfred Rasëll Uollas ra dakord me Çarls Darvinin për teorinë e evolucionit përmes përzgjedhjes natyrore. Por edhe ky evolucionist i njohur thuhet se është shprehur: «Për ata që kanë sy për të parë dhe mendje për të menduar, në qelizat më të vogla, në gjak, në gjithë tokën dhe në mbarë universin plot yje . . . ka një drejtim të vetëdijshëm dhe inteligjent, me një fjalë, një Mendje.»

Thuajse dy mijë vjet para Uollasit, tashmë Bibla kishte thënë: «Cilësitë e tij të padukshme [të Perëndisë], madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra.» (Romakëve 1:20) Herë pas here mund të ndalesh një moment për të menduar rreth kompleksitetit mbresëlënës në natyrë, që nga fija e barit e deri te trupat e panumërt qiellorë. Duke vëzhguar krijimin, mund të shohësh qartë Krijuesin.

Mbase pyet: «Por, nëse ekziston një Perëndi i dashur që ka krijuar gjithçka, pse i lejon vuajtjet? A e ka braktisur krijimin tokësor? Si do të jetë e ardhmja?» Bibla përmban shumë të vërteta të tjera të pathëna, të vërteta që janë groposur nën petkun e ideologjive njerëzore dhe mësimeve fetare, dhe kështu janë të fshehura për shumë njerëz. Botuesit e kësaj reviste, Dëshmitarët e Jehovait, do të të ndihmojnë me kënaqësi të shqyrtosh të vërtetën e pashtrembëruar të Biblës dhe të mësosh më tepër për Krijuesin dhe të ardhmen e krijimit të tij njerëzor.