TË QARËT na ka shoqëruar që nga dita e lindjes. Një specialist shpjegon se kur ishim foshnja, të qarët u bë «kordoni akustik i kërthizës», sepse qajmë që të na plotësohen nevojat emocionale dhe fizike. Por, pse derdhim lot kur rritemi meqë mund të komunikojmë në mënyra të tjera?

Mund të qajmë për një sërë arsyesh që lidhen me gjendjen emocionale. Qajmë nga pikëllimi, zhgënjimi ose vuajtjet fizike a psikologjike. Por, edhe gëzimi i madh, lehtësimi dhe arritjet mund të na provokojnë lot—në këtë rast, lot gëzimi. Lotët mund të jenë edhe ngjitës. «Nëse shoh dikë duke qarë, pavarësisht nga shkaku, nuk i mbaj dot lotët»,—thotë Maria. Mbase edhe situatat imagjinare në një film ose libër të kanë bërë të qash.

Cilado qoftë arsyeja, të qarët është një gjuhë pa fjalë që ndikon fuqishëm. «Është një nga mënyrat e pakta për të shprehur kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër»,—shpjegon një libër (Adult Crying). Lotët provokojnë reagime. Për shembull, shumë prej nesh e kanë të vështirë t’i shpërfillin lotët e trishtimit, sepse na tregojnë se dikush po vuan. Si përgjigje, ne mund të përpiqemi ta ngushëllojmë ose ta ndihmojmë atë që qan.

Disa specialistë mendojnë se të qarët është një portë efikase për t’u çelur udhën ndjenjave dhe nëse e kemi zakon t’i mbajmë lotët, dëmtojmë shëndetin. Të tjerë janë të mendimit se dobitë fizike dhe psikologjike të të qarit, nuk janë vërtetuar shkencërisht. Sidoqoftë, sipas disa sondazheve, rreth 85 për qind e grave dhe 73 për qind e burrave janë ndier më mirë pasi kanë qarë. «Ndonjëherë, e di se kam nevojë të qaj,—shpjegon Noemi.—Më pas, marr frymë thellë dhe i shoh gjërat më qartë, ashtu siç duhet.»

Sipas disa sondazheve, rreth 85 për qind e grave dhe 73 për qind e burrave janë ndier më mirë pasi kanë qarë

Por, kjo ndjenjë lehtësimi mund të mos vijë vetëm nga lotët. Edhe mënyra si reagojnë të tjerët kur ne qajmë, luan një  rol të rëndësishëm. Për shembull, kur lotët tanë i shtyjnë të tjerët të na ngushëllojnë ose të na ndihmojnë, ndihemi të lehtësuar. Por, nëse të tjerët nuk reagojnë mirë kur ne qajmë, mund të ndihemi të turpëruar ose të hedhur poshtë.

Është e qartë, misteri i lotëve mbetet ende i pazgjidhur. Ajo që dimë është se derdhja e lotëve është një nga reagimet emocionale më mahnitëse që na ka dhënë Perëndia.