Në vitin 1978, puna e parë e dr. Hans-Kristian Kotlarit si studiues shkencor ishte në Spitalin Norvegjez të Radiumit, ku bëri kërkime për kancerin dhe sistemin imunitar të njeriut. Në atë kohë, i ngjalli interes edhe origjina e jetës. Zgjohuni! i drejtoi disa pyetje për kërkimet dhe besimin e tij fetar.

Çfarë të ngjalli interesin për origjinën dhe kuptimin e jetës?

Babai ishte katolik dhe mamaja protestante. Megjithatë, nuk e konsideronin të rëndësishme fenë. Kurse unë, gjatë adoleshencës, vrisja mendjen për kuptimin e jetës dhe lexoja libra për budizmin, hinduizmin dhe islamizmin. Madje i kërkova Perëndisë të më zbulonte të vërtetën.

Aty nga vitet 70, fusha e biologjisë molekulare kishte bërë përparim të mahnitshëm dhe pyesja veten nëse tani mund të zbulohej si kishte filluar jeta. Mekanizmat brenda qelizave të gjalla më tërhiqnin jashtë mase, prandaj zgjodha të studioja për bioteknologji. Dua të shtoj se shumica e profesorëve të mi thoshin se jeta kishte evoluar nëpërmjet proceseve natyrore, dhe unë u besoja.

Si filloi të të interesonte Bibla?

Dy Dëshmitarë të Jehovait na erdhën për vizitë në shtëpi. Megjithëse ishin të sjellshëm, unë i trajtova ashpër dhe u thashë që nuk isha i interesuar. Gruaja më kishte dëgjuar. «Nuk u solle mirë me ta, Hans-Kristian,—tha ajo.—Gjithmonë ke dashur ta dish kuptimin e jetës.» Kishte të drejtë dhe më erdhi turp. Prandaj shkova me vrap pas Dëshmitarëve. Gjatë bisedës, u thashë se doja të dija nëse Bibla përputhej me shkencën.

Si t’u përgjigjën?

Më treguan se çfarë thotë Bibla për Burimin e energjisë që pasqyrohet në univers. Shkrimi që lexuan thoshte: «Ngrini sytë lart [në qiell] dhe shikoni. Kush i krijoi këto gjëra? . . . Falë energjisë së tij dinamike dhe fuqisë së tij të madhe, nuk mungon asnjë prej tyre.» * Këto fjalë më bënë për vete. Më dukej edhe e arsyeshme që vetëm një Burim inteligjent energjie  mund të qëndronte pas rregullit në univers.

A ndryshove mendim për evolucionin?

Pak nga pak kuptova se teoritë e ndryshme të evolucionit nuk mbështeteshin në prova të sakta shkencore. Në fakt, ishin tregime të shpikura për të shpjeguar si mund të kishin ardhur në mënyrë të rastësishme projektet e jashtëzakonshme brenda qelizave të gjalla, si për shembull sistemi imunitar. Sa më shumë studioja për të, aq më shumë kuptoja sa i ndërlikuar dhe i efektshëm është. Pra, nga kërkimet arrita në përfundimin se jeta vjen nga një Krijues inteligjent.

Nga kërkimet arrita në përfundimin se jeta vjen nga një Krijues inteligjent

A mund të na japësh disa prova që ka një Krijues?

Sistemi imunitar në të vërtetë përbëhet nga një sërë strukturash dhe mekanizmash mahnitës të projektuar për të na mbrojtur nga një shumëllojshmëri agjentësh, përfshirë bakteret dhe viruset. Kurse mekanizmat mund të grupohen në dy sisteme që plotësojnë njëri-tjetrin. Sistemi i parë mobilizohet dhe organizon brenda pak orësh një sulm kundër mikrobeve që mësyjnë. Të dytit i duhen disa ditë për të reaguar, por i shënjestron mirë si shigjetë pushtuesit e huaj. Ai ka edhe kujtesë të fortë, kështu që, nëse ndonjë nga këta armiq kthehet vite më vonë, do të përballet me një sulm të befasishëm. I gjithë sistemi funksionon kaq mirë sa shpesh nuk arrin ta kuptosh fare se je infektuar dhe je mbrojtur më së miri. Mahnitëse është edhe mënyra se si sistemi imunitar bën dallimin midis substancave të huaja dhe qindra llojeve të qelizave nga të cilat përbëhet trupi ynë.

Na thuaj pak, çfarë ndodh kur një mikrob hyn në trupin tonë?

Mikrobet hyjnë vjedhurazi nëpërmjet frymëmarrjes, ushqimeve, rrugëve urogjenitale ose nëpërmjet të çarave në lëkurë. Kur sistemi imunitar dikton mysafirë të paftuar, vë në lëvizje një mori reaksionesh ku përfshihen dhjetëra proteina të projektuara me saktësi. Çdo element në këtë mori aktivizon elementin tjetër për të shtuar kundërsulmin. Një proces marramendës!

Atëherë, a mund të themi se njohuria në shkencë ta ka forcuar besimin te Perëndia?

Pa diskutim që po! Fuqia dhe sofistikimi i sistemit tonë imunitar dëshmon për një Krijues të mençur dhe të dashur. Dua të shtoj se edhe shkenca më ka bërë të besoj më tepër te Bibla. Për shembull, Proverbat 17:22 thotë se «një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç». Studiuesit kanë zbuluar se gjendja jonë mendore ndikon te sistemi imunitar. Për shembull, stresi mund të na dobësojë reagimin e imunitetit tonë.

Shumë nga ata që njeh nuk besojnë te Perëndia. Pse?

Arsyet mund të jenë të ndryshme. Disa, ashtu si edhe në rastin tim, thjesht pranojnë atë që u është mësuar. Ndoshta supozojnë se evolucioni mbështetet në prova shkencore. Të tjerë nuk e vrasin shumë mendjen se si filloi jeta. Është për të ardhur keq! Sipas meje, duhet të bëjnë më tepër pyetje.

Pse u bëre Dëshmitar i Jehovait?

Më bëri për vete mikpritja dhe besimi i tyre te premtimi i Krijuesit për një të ardhme më të mirë. * Dhe ky besim bazohet në kërkime dhe në logjikë të shëndoshë, jo në legjenda e spekulime. *