Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 PORTRETE NGA E KALUARA

Kostandini

Kostandini

Kostandini ishte perandori i parë romak që u bë i krishterë. Në këtë mënyrë ai pati ndikim të thellë në historinë botërore. Përqafoi këtë fe që më parë ishte përndjekur dhe e futi në një udhë që çoi në formimin e të ashtuquajturit krishterim. Sipas një enciklopedie, ky krishterim u bë «elementi më i fortë shoqëror e politik» që ka ndikuar ndonjëherë në rrjedhën e historisë.The Encyclopædia Britannica.

PSE duhet të të interesojë një perandor romak i lashtësisë? Nëse të intereson krishterimi, duhet të dish se manovrat politike dhe fetare të Kostandinit kanë ndikuar në bindjet dhe praktikat e shumë kishave deri sot e kësaj dite. Le të shohim si.

KISHAT—I LIGJËROI DHE I PËRDORI

Në vitin 313 të e.s., Kostandini sundoi mbi Perandorinë Romake të Perëndimit, kurse Licini dhe Maksimini sundonin mbi atë të Lindjes. Kostandini dhe Licini ua dhanë të gjithëve lirinë e adhurimit, madje edhe të krishterëve. Kostandini e mbrojti krishterimin me bindjen se feja do të unifikonte perandorinë e tij. *

Ja pse Kostandini u tmerrua kur pa se kishat ishin përçarë nga mosmarrëveshjet. Nga dëshira e madhe për të gjetur gjuhën e përbashkët, u përpoq të themelonte e pastaj të përforconte doktrinën «e duhur». Për të fituar miratimin e tij, peshkopët duhej të bënin kompromise fetare dhe ata që i bënin, përjashtoheshin nga taksat dhe fitonin përkrahje mjaft bujare. «Nxjerrja e versionit ‘të duhur’ të doktrinës së krishterë,—tha historiani Çarls Frimen,—u hapi dyert jo vetëm drejt parajsës në qiell, por edhe drejt pasurive të mëdha në tokë.» Kështu klerikët  u bënë figura me pushtet në çështjet e botës. «Kisha kishte fituar një mbrojtës,—thotë historiani A. H. M. Xhons,—por edhe një padron.»

«Kisha kishte fituar një mbrojtës, por edhe një padron.»—Historiani A. H. M. Xhons

FORMIMI I NJË FEJE TË RE

Si rezultat e aleancës së Kostandinit me peshkopët, doli një fe me doktrina që i përkitnin edhe krishterimit, edhe feve pagane. Zor se mund të ishte ndryshe, pasi perandori synonte pluralizmin fetar, jo të vërtetën fetare. Në fund të fundit, ai ishte sundimtari i një perandorie pagane. Për t’i bërë qejfin të dyja palëve, një historian shkroi se ai mbante «me vetëdije [një qëndrim] të paqartë në mënyrën si vepronte dhe qeveriste në përgjithësi».

Megjithëse thoshte se përkrahte krishterimin, Kostandini e kishte njërën këmbë në paganizëm. Për shembull, praktikonte astrologjinë dhe fallin, praktika spiritiste që Bibla i dënon. (Ligji i përtërirë 18:10-12) Në Harkun e Kostandinit në Romë ai paraqitet duke u bërë flijime perëndive pagane. Vazhdoi të nderonte perëndinë-diell duke ia vënë figurën nëpër monedha dhe duke nxitur përhapjen e kultit të kësaj perëndie. Madje, aty nga fundi i jetës, ai lejoi që një qytet i vogël në Umbria të Italisë të ngrinte një tempull për të dhe familjen e tij dhe të caktonte priftërinj për të shërbyer atje.

Kostandini e shtyu pagëzimin e tij «të krishterë» deri pak ditë para se të vdiste në vitin 337 të e.s. Shumë studiues besojnë se ai e shtyu që të kishte përkrahjen politike si të të krishterëve, ashtu edhe të paganëve brenda perandorisë së tij. Sigurisht, vetë jeta dhe vonesa e pagëzimit të tij vënë në dyshim sinqeritetin e besimit të tij te Krishti. Megjithatë, një gjë është e sigurt: kisha që Kostandini ligjëroi, u bë një ent i fuqishëm politik dhe fetar, një kishë që i ktheu kurrizin Krishtit dhe përkrahu botën. Jezui tha për dishepujt e tij: «Nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:14) Pikërisht nga kjo kishë, që tani ishte pjesë e botës, dolën grupe fetare të panumërta.

Çfarë do të thotë e gjithë kjo për ne? Që nuk duhet t’i besojmë verbërisht mësimet e çfarëdolloj kishe, por duhet t’i shqyrtojmë nën dritën e Biblës.1 Gjonit 4:1.

^ par. 6 Sipas një vepre referimi, është diskutuar shumë nëse bindjet e krishtere të Kostandinit ishin të sinqerta, pjesërisht ngaqë «lejonte hapur kultet pagane, madje edhe në fund të sundimit të tij».