ITALIA është vend i kontrasteve, ku gjen që nga plazhet e paana e deri te vargmalet e ashpra; që nga vera përvëluese në jug e deri te dimri i acartë në veri. Është edhe vend vullkanik, por vetëm pak vullkane janë aktive, si Stromboli dhe Etna.

Italia është një nga vendet më të populluara në Evropë. Aty kanë kaluar shumë popuj, si arabët, bizantinët, grekët, normanët dhe fenikasit.

Turistët bëjnë xhiro me gondola përmes kanaleve të shumta në Venecie

Vendi është i pasur me thesare historike e artistike. Në mjaft qytete të Italisë ngrihen madhërishëm rrënojat greke dhe romake ose ndërtesa të stilit barok e të Rilindjes. Pikturat, statujat prej mermeri dhe shatërvanët janë meritë e artistëve, si Bernini, Mikel­anxhelo dhe Rafaelo.

Ushqimi është epiqendra e jetës së përditshme dhe shumë zakone vërtiten rreth kuzhinës vendëse. Si pjatë e parë shpesh shërbehen makarona e më pas mish ose peshk me perime. Vaji i ullirit përdoret me bollëk, pasi edhe prodhohet me bollëk. Pica dhe rizoto janë gatime të famshme italiane.

Makaronat janë një ndër ushqimet kryesore të kuzhinës italiane

 Italianët njihen si njerëz të ngrohtë, mikpritës dhe të muhabetit. Bisedat konsiderohen art më vete, prandaj është normale të shohësh njerëz që flasin me këmbë e me duar nëpër sheshe ose shëtitore.

Shumë italianë thonë se janë katolikë, por pak janë ata që shkojnë rregullisht në kishë. Thuhet se ndikimi i kishës është dobësuar në dhjetëvjeçarët e fundit, sepse opinioni publik i shpërfill rregullat mbi abortin e divorcin që janë në fuqi prej kohësh.

Vepra e Dëshmitarëve të Jehovait po lulëzon në Itali. Dëshmitarët njihen si ata që u mësojnë njerë­zve Biblën dhe që jetojnë sipas normave të saj. Ka më tepër se 3.000 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë vendin dhe shumë prej tyre po përpiqen t’u predikojnë edhe njerëzve që flasin gjuhë të tjera. Kjo nevojë është vënë re ngaqë në vitet 2001-2011 numri i të huajve është trefishuar.

A E DIJE?

Megjithëse ndodhet në Romë, qyteti i Vatikanit është shtet i pavarur që nga viti 1929, prandaj qytetarët italianë e konsiderojnë tokë të huaj.

Dolomitet e ashpra, vargmal në verilindje të Italisë