Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 A ËSHTË PROJEKTUAR?

Ngjitësi i hatashëm i merimangës

Ngjitësi i hatashëm i merimangës

MERIMANGA amerikane e shtëpisë (Parasteatoda tepidariorum) ndërton një rrjetë që ka aftësi ngjitëse aq të fortë sa të fiksohet në mur ose aq të dobët sa të shkëputet kollaj nga toka dhe të shërbejë si çark që shkrehet dhe kap prenë që çapitet përdhe. Por, si arrin merimanga të ndërtojë një rrjetë me fiksues edhe të fortë, edhe të dobët me të njëjtin lloj ngjitësi?

Mëndafsh me ngjitje të fortë

Shqyrto faktet: Merimanga e ankoron rrjetën e saj në mur, në tavan ose në sipërfaqe të ngjashme duke endur pllakëza mëndafshi me aftësi ngjitëse të jashtëzakonshme. Këto pllakëza janë aq të forta sa i bëjnë ballë forcës goditëse të presë në fluturim e sipër. Nga ana tjetër, studiuesit në Universitetin e Akronit në Ohajo, SHBA, kanë zbuluar se pllakëzat e mëndafshit që fiksohen përtokë kanë një arkitekturë ose ndërtim krejt tjetër. Në krahasim me rrjetën që ngjitet në mur, kjo e dyta fiksohet në shumë pak pika lidhjeje, e falë kësaj rrjeta shkëputet kollaj dhe e mbërthen prenë që është futur në të.

Mëndafsh me ngjitje të dobët

Sipas një lajmi nga Universiteti i Akronit, studiuesit që zbuluan këtë mrekulli të natyrës «i janë përveshur punës për të krijuar një ngjitës sintetik në imitim të kësaj strategjie inteligjente të merimangës së shtëpisë». Shkencëtarët shpresojnë të krijojnë një ngjitës që mund të përdoret edhe për fashat, edhe për kockat e thyera.

Si mendon? A erdhi me evolucion aftësia e merimangës së shtëpisë për të prodhuar një ngjitës me dy fortësi të ndryshme? Apo është projektuar?