Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 PIKËPAMJA E BIBLËS

Krijimi

Krijimi

A e krijoi Perëndia tokën vetëm në gjashtë ditë 24-orëshe, siç thonë disa kreacionistë?

«Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.»Zanafilla 1:1.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Perëndia e krijoi universin, përfshirë tokën, në një kohë të papërcaktuar në të kaluarën ose siç thotë Zanafilla 1:1, «në fillim». Edhe shkenca sot është e mendimit se universi pati një fillim. Sipas një llogaritjeje shkencore të kohëve të fundit, kjo mund të ketë ndodhur afro 14 miliardë vjet më parë.

Bibla flet edhe për gjashtë «ditë» krijimi. Por nuk thotë se ishin ditë 24-orëshe. (Zanafilla 1:31) Në fakt, Bibla përdor fjalën ‘ditë’ për t’iu referuar kohëzgjatjeve të ndryshme. Për shembull, ajo e quan të gjithë periudhën e krijimit ‘dita që Perëndia Jehova bëri tokën dhe qiellin’. (Zanafilla 2:4) Me sa duket, këto ‘ditë’ krijimi zgjatën mijëra e mijëra vjet.Psalmi 90:4.

PSE KA RËNDËSI?

Idetë e gabuara të kreacionistëve mund të të shtyjnë të shpërfillësh gjithçka që thotë Bibla. Nga ana tjetër, nëse ajo që tregon Bibla për krijimin është e besueshme, mund të përfitosh nga thesari i ‘mençurisë’ së saj.Proverbat 3:21.

 A përdori evolucionin Perëndia për të krijuar jetën në tokë?

«Perëndia vazhdoi të thoshte: ‘Le të dalin nga toka shpirtra të gjallë, sipas llojeve të tyre.’»Zanafilla 1:24.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Perëndia nuk krijoi një formë jete të thjeshtë që pastaj të evoluonte në forma më komplekse. Përkundrazi, krijoi ‘llojet’ bazë të bimëve dhe të kafshëve komplekse, që më pas u riprodhuan «sipas llojit të vet». (Zanafilla 1:11, 21, 24) Ky proces, që vazhdon edhe sot e kësaj dite, ka bërë që toka të mbushet me të njëjtat ‘lloje’ gjallesash që Perëndia krijoi në fillim.Psalmi 89:11.

Bibla nuk e specifikon sa varietete mund të ketë brenda të njëjtit lloj, ashtu si ndodh kur kafshë të të njëjtit lloj kryqëzohen dhe përshtaten me mjedisin. Edhe pse disa i konsiderojnë këto përshtatje si një formë evolucioni, ato nuk përbëjnë një lloj të ri. Studimet e kohëve të fundit përkrahin idenë se kategoritë bazë të bimëve dhe kafshëve kanë ndryshuar fare pak gjatë periudhave shumë të gjata.

PSE KA RËNDËSI?

Përderisa Bibla është e saktë në aspektin shkencor kur përshkruan ‘llojet’ bazë të jetës, kjo e bën akoma më të besueshme edhe në aspekte të tjera, si historike e profetike.

Nga erdhi lënda bazë e universit?

«Me duart e mia i shpalosa qiejt.»Isaia 45:12.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Perëndia është Burimi i fuqisë ose i energjisë së pashtershme. (Jobi 37:23) Kjo është mjaft domethënëse, sepse shkencëtarët kanë mësuar se energjia shndërrohet në materie. Bibla thotë se vetë Perëndia është Burimi i ‘energjisë dinamike’ me anë të së cilës erdhi në ekzistencë universi. (Isaia 40:26) Ai premton se do ta përdorë fuqinë e tij për të mbështetur krijimin, pasi Bibla thotë për diellin, hënën dhe yjet: «[Perëndia] i mban në vendin e vet brez pas brezi, përjetë.»Psalmi 148:3-6.

PSE KA RËNDËSI?

Astronomi Alan Sendixh njëherë tha: «Shkenca nuk u jep dot përgjigje pyetjeve më të thella. Nëse pyet pse ekziston gjithçka, atëherë po kërkon shumë nga shkenca.» Bibla jo vetëm që shpjegon krijimin në një mënyrë që përputhet me shkencën, por edhe u përgjigjet pyetjeve që shkenca nuk mundet, si: cili është qëllimi i Perëndisë për tokën dhe njerëzimin? *

^ par. 16 Për më shumë informacion, shih kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Disponohet edhe online në www.jw.org/sq.