Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 INTERVISTË | FENG-LING JANGU

Një mikrobiologe flet për besimin e saj

Një mikrobiologe flet për besimin e saj

Feng-Ling Jangu është kryeasistente kërkimesh në akademinë qendrore të kërkimeve në Tajpei të Tajvanit. Kërkimet e saj kanë dalë në botime shkencore. Më parë besonte në teorinë e evolucionit, por pastaj ndryshoi mendje. Zgjohuni! i bëri disa pyetje për shkencën dhe besimin e saj.

Na trego pak për fëmijërinë.

Prindërit ishin shumë të varfër, dhe mamaja nuk mësoi kurrë të lexonte. Rritnim derra e perime dhe jetonim afër qytetit të Tajpeit, në një zonë që përmbytej shpesh. Prindërit më mësuan vlerën e punës së palodhur dhe t’i ndihmoja të tjerët.

A u rrite në familje fetare?

Familja ime praktikonte taoizmin. Bënim flijime fetare, por pa e njohur fare Perëndinë e vërtetë. Pyesja veten: «Pse vuajnë njerëzit? Pse janë egoistë?» Lexova libra për taoizmin, për budizmin dhe për historinë e vendeve të lindjes e të perëndimit. Madje shkova edhe në nja dy kisha. Por nuk mora përgjigje për pyetjet e mia.

Pse studiove për shkencë?

Më pëlqente matematika dhe më mahniste mënyra si e drejtojnë strukturën e gjërave ligjet fizike e kimike. Çdo gjë, që nga universi i paanë e deri te mikrobet mikroskopike, ka një strukturë që drejtohet nga rregullat. Dhe doja t’i kuptoja këto rregulla.

Pse e besoje si fakt teorinë e evolucionit?

S’më kishin mësuar gjë tjetër. Që nga shkolla nëntë-vjeçare e deri në universitet, i vetmi shpjegim që kisha dëgjuar, ishte evolucioni. Dhe, ngaqë merresha me shkencën që studion qeniet e gjalla, pritej që ta pranoja evolucionin.

Ngaqë merresha me shkencën që studion qeniet e gjalla, pritej që ta pranoja evolucionin

Çfarë të shtyu të filloje leximin e Biblës?

Në vitin 1996 shkova në Gjermani për studimet pasuniversitare. Një vit më pas, takova një grua me emrin Simona.  Ajo ishte Dëshmitare e Jehovait dhe u tregua e gatshme të më jepte përgjigje nga Bibla për pyetjet që kisha. Më ngjalli shumë kureshtje kur më tha se Bibla shpjegon qëllimin e jetës. Fillova të çohesha çdo ditë në katër e gjysmë të mëngjesit që të lexoja Biblën për një orë. Pastaj, dilja shëtitje për të medituar. Gjatë vitit pasues e mbarova të gjithë Biblën. Më bëri shumë përshty­pje saktësia e profecive të saj. Pak nga pak, u binda se Bibla vjen nga Perëndia.

Çfarë mendoje për origjinën e jetës?

Nga fundi i viteve 90, kur fillova të mendoja seriozisht për këtë, ekspertët e biologjisë molekulare po fillonin të kuptonin se proceset kimike në organizmat e gjalla janë më komplekse se ç’mendohej më parë. Sigurisht, shkencëtarët e dinin prej kohësh se proteinat në qelizat e gjalla janë kimikisht molekulat më të sofistikuara që ekzistojnë. Kurse tani po zbulonin se si grupe proteinash organizohen për të formuar mekanizma elegantë me pjesë lëvizëse. Një mekanizëm molekular mund të përbëhet nga mbi 50 proteina. Edhe qeliza më e thjeshtë ka nevojë për një sërë mekanizmash të ndryshëm, për shembull që të prodhojë energji, të dyfishojë informacionin dhe të kontrollojë hyrjet përmes membranës.

Në çfarë përfundimi arrite?

Në fakt, pyesja veten: «Si janë projektuar kaq mirë këto mekanizma proteinike?» Në atë kohë, për shkak të zbulimit të paparashikuar të ko­mpleksitetit të kimisë qelizore, disa shkencëtarëve u lindi e njëjta pyetje. Një profesor biokimie në Shtetet e Bashkuara botoi një libër ku thoshte se mekanizmat molekularë në qelizat e gjalla janë kaq ko­mpleksë, sa nuk mund të kenë ardhur rastësisht. Isha më se dakord. Mendova se duhej të kishte një Krijues.

Pyesja veten: «Si janë projektuar kaq mirë këto mekanizma proteinike?»

Pse u bëre Dëshmitare e Jehovait?

Më bëri përshtypje Simona. Megjithëse kishte probleme me shëndetin, bënte çdo javë rreth 56 kilometra që të më mësonte Biblën. Mësova se gjatë kohës së nazizmit gjerman, disa Dëshmitarë u burgosën në kampe përqendrimi për shkak të asnjanësisë politike. Guximi i tyre më bëri mjaft përshtypje. Dashuria e Dëshmitarëve për Perëndinë më futi dëshirën të bëhesha si ata.

A ke nxjerrë dobi nga besimi te Perëndia?

Kolegët thonë se tani jam më e lumtur. Ndihesha më poshtë se ata ngaqë vija nga një shtresë e varfër, prandaj nuk i thosha askujt ku isha rritur dhe nuk i përmendja kurrë prindërit. Por Bibla më ka mësuar se Perëndisë nuk i intereson rangu shoqëror. Në fakt, Jezui u rrit në një familje ndoshta po aq të varfër sa imja. Tani kujdesem për prindërit dhe ua prezantoj miqve me kënaqësi.