VËSHTIRËSIA

«Ti nuk po më dëgjon»,—të thotë gruaja. «Por, po dëgjoja»,—thua me vete. * Megjithatë, me sa duket, ajo që ke dëgjuar është ndryshe nga ajo që ka thënë gruaja. Si pasojë, ia nis një grindje tjetër.

Mund t’i shmangësh këto mosmarrëveshje. Por së pari, duhet të kuptosh pse ndoshta nuk i kap hollësitë e rëndësishme të asaj që thotë gruaja, edhe kur të duket se po dëgjon.

PSE NDODH?

Je i shpërqendruar, i lodhur ose të dyja. Fëmijët bërtasin, televizori buçet, ndërsa ti po mendon për një problem që ke pasur në punë. Tani, gruaja fillon të flasë, duket sikur po të thotë për disa miq që do të vijnë sonte. Ti tund kokën në shenjë miratimi, por a e dëgjove vërtet çfarë u tha? Ka të ngjarë që jo.

Ti hamendëson. Kjo është quajtur një formë e dëmshme «e leximit të mendjes». Ti hamendëson se ka diçka pas fjalëve të gruas, por faktikisht ke shkuar shumë larg me mendimet. Për shembull, ta zëmë se ajo thotë: «Ke punuar shumë jashtë orarit këtë javë.» Ngaqë e interpreton si kritikë, ti thua: «Pse unë e kam fajin që ti harxhon sa qimet e kokës e më duhet të punoj më shumë?!» «Nuk po të akuzoja»,—bërtet gruaja, e cila kishte si qëllim thjesht të të kërkonte të kalonit një fundjavë çlodhëse bashkë.

Kërkon zgjidhje para kohe. Marsia * thotë: «Ndonjëherë thjesht dua të tregoj si ndihem, por Majku dëshiron të më thotë si t’i zgjidh punët. Nuk dua një zgjidhje, dua vetëm që ai të dijë si ndihem.» Ku qëndron problemi? Mendja e Majkut turret të gjejë zgjidhjen. Si pasojë, ka të ngjarë të mos e kuptojë plotësisht ose aspak çfarë thotë Marsia.

Cilido qoftë shkaku i problemit, si mund të bëhesh dëgjues më i mirë?

 Ç’MUND TË BËSH?

Kushtoji gjithë vëmendjen. Gruaja ka diçka të rëndësishme për të thënë, por a je gati ta dëgjosh? Mbase jo. Ndoshta mendja jote është në tjetër vend për momentin. Nëse është kështu, mos bëj sikur po dëgjon. Po pate mundësi, lëre fare punën me të cilën po merresh dhe kushtoja gjithë vëmendjen gruas ose mund t’i thuash të të presë derisa të jesh gati.—Parimi biblik: Jakovi 1:19.

Merruni vesh që të flisni me radhë. Kur ke radhën për të dëgjuar, rezistoji prirjes për ta ndërprerë ose për ta kundërshtuar. Do të vijë edhe radha jote për të folur. Tani për tani, vetëm dëgjo.—Parimi biblik: Proverbat 18:13.

Bëj pyetje. Kjo do të të ndihmojë të kuptosh çfarë po thotë gruaja. Marsia, që përmendëm më parë, thotë: «Më pëlqen shumë kur Majku bën pyetje. Kjo më tregon se i intereson ajo që po them.»

Përpiqu të kapësh mesazhin, jo thjesht fjalët. Vër re çfarë përcjell përmes gjesteve, lëvizjes së syve dhe tonit të zërit. «S’ka problem», ndoshta do të thotë «Ka problem», kjo varet nga mënyra si thuhet. «Asnjëherë s’më ndihmon», ndoshta do të thotë «Ndihem sikur s’kam vlerë për ty». Përpiqu të kapësh mesazhin e vërtetë, edhe nëse ajo nuk e shpreh me fjalë. Përndryshe, mund të përfundoni duke debatuar për fjalët që u thanë në vend se të përqendroheni tek ajo që donit të thoshit.

Vazhdo të dëgjosh. Edhe kur nuk të pëlqen ajo që po dëgjon, mos i mbyll veshët kur ajo flet e as mos u largo. Për shembull, çfarë të bësh kur bashkëshortja të kritikon? «Vazhdo të dëgjosh,—këshillon Gregori, që është i martuar prej më se 60 vjetësh.—Merri vërtet parasysh fjalët e bashkëshortes. Kjo kërkon njëfarë pjekurie, por ia vlen.»—Parimi biblik: Proverbat 18:15.

Interesohu sinqerisht për bashkëshorten. Dëgjimi me kureshtje nuk është thjesht një veprim, është shprehje e dashurisë. Kur je vërtet i interesuar për atë që thotë bashkëshortja, të vjen natyrshëm ta dëgjosh, nuk e bën sikur s’ke zgjidhje tjetër. Kështu do të ndjekësh këshillën e Biblës: «Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.»Filipianëve 2:4, Bibla Simon Filipaj.

^ par. 4 Ndonëse ky artikull u drejtohet kryesisht burrave, parimet e përmendura këtu vlejnë edhe për gratë.

^ par. 9 Në këtë artikull, emrat janë ndryshuar.