A është Jezui Perëndia?

«Askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë.»Gjoni 1:18.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Shumë njerëz besojnë se Jezui nuk është Perëndia. Prapëseprapë, disa u referohen vargjeve biblike që sipas tyre tregojnë se Jezui është i barabartë me Perëndinë.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Bibla nuk e paraqet Jezuin si të ishte Perëndia i Plotfuqishëm ose i barabartë me Perëndinë. Përkundrazi, ajo mëson qartë se Jezui ka pozitë më të ulët se Perëndia. Për shembull, Bibla dokumenton fjalët e vetë Jezuit kur tha: «Ati është më i madh se unë.» (Gjoni 14:28) Një varg tjetër i Biblës thotë: «Askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë.» (Gjoni 1:18) Jezui s’mund të jetë Perëndia sepse në fakt shumë njerëz e panë Jezuin.

Dishepujt e hershëm të Jezuit nuk thanë se ai ishte Perëndia. Për shembull, duke folur për gjërat që dokumentoi, Gjoni, shkrimtari i Ungjillit, tha: «Këto janë shkruar që të besoni se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë.»Gjoni 20:31. *

 Kur lindi Jezui?

«Ishin . . . disa barinj që jetonin jashtë dhe natën ruanin me radhë kopetë e tyre.»Luka 2:8.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Disa i festojnë Krishtlindjet më 25 dhjetor, sepse mendojnë se Jezui ka lindur në këtë datë. Të tjerë e festojnë lindjen e tij në fillim të janarit.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Bibla nuk e tregon datën kur lindi Jezui. Megjithatë, na thotë se në kohën kur lindi ai, «ishin . . . disa barinj që jetonin jashtë dhe natën ruanin me radhë kopetë e tyre». (Luka 2:8) Vështirë që barinjtë t’i mbanin kopetë jashtë gjatë netëve të dhjetorit dhe janarit. Pse?

Në zonën ku lindi Jezui, dhjetori dhe janari janë ndër muajt më të ftohtë të vitit. Për këtë periudhë të vitit, Bibla thotë se njerëzit dridheshin nga të ftohtët «për shkak të shirave» dhe se ‘nuk ishte e mundur të qëndroje jashtë’. (Ezdra 10:9, 13; Jeremia 36:22). Kjo s’mund të ishte koha e përshtatshme që barinjtë ‘të jetonin jashtë’ me kopetë e tyre.

A u rikthye vërtet në jetë Jezui pasi vdiq?

«Perëndia e ngriti [Jezuin] nga të vdekurit.»Veprat 3:15.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Sipas disave, nuk është e mundur që ndokush, përfshirë Jezuin, të jetë kthyer në jetë pas vdekjes.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Jezui u tha dishepujve se «do të vuante shumë . . . do të vritej dhe do të ngrihej nga të vdekurit ditën e tretë». (Mateu 16:21) Bibla rrëfen se pasi u vra dhe u ringjall, Jezui iu shfaq më shumë se 500 vetave. (1 Korintasve 15:6) Ata dëshmitarë okularë ishin të bindur, pa asnjë pikë dyshimi, se Jezui ishte ngritur nga të vdekurit. Madje, ishin kaq të bindur për këtë, sa ishin gati edhe të jepnin jetën.Veprat 7:51-60; 12:1, 2.

PSE KA RËNDËSI?

Bibla mëson se vdekja dhe ringjallja e Jezuit u hapi rrugën gjithë njerëzve të nxirrnin dobi nga premtimi i Biblës për një parajsë tokësore. (Psalmi 37:11, 29; Zbulesa 21:3, 4) Kemi shpresë të gëzojmë një jetë të lumtur e të pafund në tokën parajsore falë dashurisë që treguan Jezui dhe Ati i tij, Perëndia i Plotfuqishëm, Jehovai.Gjoni 3:16; Romakëve 6:23.

^ par. 7 Bibla nuk mëson se Perëndia ka një grua të mirëfilltë me të cilën ka bërë fëmijë. Përkundrazi, ajo e quan Jezuin «Biri i Perëndisë» sepse u krijua drejtpërdrejt nga Perëndia dhe ka cilësi të ngjashme me ato të të Atit.