«Papritur e pa arsye më pushtoi trishtimi. Qaja dhe më dukej sikur po luaja mendsh.»—Rondra, * 50 vjeçe.

«Çohesh në mëngjes dhe sheh që shtëpia është rrëmujë. Nuk arrin të gjesh gjërat e tua. Ato gjëra që i ke bërë pa problem për vite me radhë, tani të duken tepër të vështira dhe s’arrin ta kuptosh pse.»—Hanta, 55 vjeçe.

KËTO gra nuk janë të sëmura, por po kalojnë periudhën e menopauzës, një ndryshim normal në jetën e një gruaje dhe fundi i aftësisë riprodhuese. Nëse je grua, a po i afrohesh kësaj periudhe, apo tashmë të ka filluar? Sido që të jetë, sa më shumë të dish ti dhe të afërmit e tu për këtë periudhë, aq më mirë do t’i përballosh vështirësitë e saj.

Periudha e menopauzës

Periudha e menopauzës, që quhet edhe perimenopauzë (rreth menopauzës), përfshin edhe periudhën para menopauzës, edhe vetë menopauzën. * Megjithatë, në përgjithësi përdoret termi «menopauzë» për t’iu referuar të gjithë periudhës.

Shumicës së grave perimenopauza u fillon në të 40-at, kurse disave u fillon vonë, në të 60-at. Në shumicën e rasteve, menstruacionet ndalojnë gradualisht. Për shkak të prodhimit të çrregullt të hormoneve, një gruaje mund t’i vijnë menstruacionet rrallë, mund t’i vijnë papritur ose mund të ketë hemorragji. Pak grave u ndërpriten në mënyrë të menjëhershme, si të thuash, brenda ditës.

«Menopauza ndryshon nga njëra grua te tjetra»,—thotë një libër. (Menopause Guidebook) Gjithashtu, ai thotë: «Shqetësimi më tipik i menopauzës janë afshet e nxehta» që mund të pasohen me dridhma nga të ftohtët. Këto simptoma të prishin gjumin dhe të shterin forcat. Sa zgjasin këto shqetësime? Sipas një libri (The Menopause Book), «disa gra i kanë  afshet disa herë në një ose dy vjet rreth periudhës së menopauzës. Të tjera vuajnë me vite dhe një përqindje shumë e vogël thonë se kanë afshe gjatë gjithë jetës, por me raste.» *

Për shkak të ndryshimeve hormonale, një grua mund të bjerë edhe në depresion ose mund të ketë luhatje humori, që e bëjnë të qajë, të humbasë përqendrimin dhe të ketë probleme me kujtesën. Mirëpo, siç thotë libri i lartpërmendur (The Menopause Book), «ka shumë pak gjasa që një grua të vuajë nga të gjitha simptomat». Po, disa kanë pak ose aspak shqetësime.

Si t’i përballosh?

Ndryshime të vogla në mënyrën e jetesës mund të pakësojnë disa shqetësime. Për shembull, ato që pinë duhan mund t’i rrallojnë afshet nëse e lënë duhanin. Shumë gra mund të bëhen më mirë edhe nga ndryshimet në dietë, si pakësimi e madje shmangia e alkoolit, e kafeinës dhe e ushqimeve pikante ose të ëmbla, që nxitin afshet. Sigurisht, është e rëndësishme të hash mirë, domethënë të kesh një dietë të ekuilibruar e të shumëllojshme.

Edhe fizkultura ndihmon shumë në reduktimin e simptomave të menopauzës. Për shembull, pakëson pagjumësinë dhe përmirëson ndjeshëm humorin, si edhe forcon kockat e shëndetin në përgjithësi. *

Fol hapur

Rondra që u citua në fillim, thotë: «S’ke pse të vuash në heshtje. Nëse flet hapur me njerëzit e dashur, nuk do të shqetësohen tepër kur të vënë re ndryshimet te ti.» Në fakt, mund të bëhen më të durueshëm e më të kuptueshëm. Te 1 Korintasve 13:4 thuhet se «dashuria është e durueshme; plot mirësi».Diodati i Ri.

Shumë gra nxjerrin dobi edhe nga lutja, përfshirë edhe ato që janë të pikëlluara ngaqë kanë humbur aftësinë riprodhuese. Bibla na siguron: «[Perëndia] na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona.» (2 Korintasve 1:4, Bibla Simon Filipaj) Ngushëlluese është edhe dijenia se periudha e menopauzës është e përkohshme. Në fund të fundit, gratë që vazhdojnë të kujdesen mirë për shëndetin, mund të marrin forca të reja dhe të gëzojnë një jetë të bukur edhe për shumë vite të tjera.

^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 6 Sipas mjekëve, menopauza ndodh pasi një grua nuk ka pasur menstruacione për 12 muaj.

^ par. 8 Edhe disa probleme shëndetësore si sëmundja e tiroideve dhe infeksionet, apo edhe ndikimi i disa ilaçeve, shkaktojnë afshe. Do të ishte e mençur që të përjashtohen këta faktorë para se të supozohet se afshet vijnë nga menopauza.

^ par. 12 Që pacientet ta përballojnë sa më mirë periudhën e menopauzës, mjekët mund t’u rekomandojnë produkte të ndryshme, si hormone, plotësues ushqimorë (për shembull vitamina, minerale etj.) dhe ilaçe antidepresive. Zgjohuni! nuk rekomandon ndonjë ilaç apo terapi.