Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 TEMA KRYESORE

Tri gjëra që s’blihen me para

Tri gjëra që s’blihen me para

ËSHTË shumë ironike, por njerëzit, edhe kur rrezikojnë të humbasin punën, shtëpinë, madje edhe pensionin, akoma e kanë mendjen të blejnë çdo gjë që u shohin sytë.

Këta janë pre e lehtë e reklamuesve, reklamat tërheqëse të të cilëve na thonë se duhet të kemi shtëpi më të madhe, makinë më të mirë dhe rroba firmato. S’ke para? Punë e madhe: bli me kredi! Për shumë veta, synimi është të duken sikur janë të pasur, edhe nëse janë të zhytur në borxhe.

Kuptohet, realitetit nuk i fshihemi dot përgjithmonë. Libri The Narcissism Epidemic, thotë: «Të blesh me kredi gjëra luksoze për t’u dukur i kamur, është njësoj si të tymosësh kokainën krak për të ngritur humorin. Në fillim të dyja kushtojnë pak dhe bëjnë goxha punë, por për pak kohë ama. Në fund, të dyja të lënë pa asnjë dyshkë dhe të dëshpëruar.»

Bibla flet hapur për marrëzinë e asaj që e quan «kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale». (1 Gjonit 2:16) Puna është se mania për zotërime na shpërqendron pikërisht nga gjërat që kanë më tepër rëndësi në jetë: gjërat që s’blihen me para. Ja tre shembuj.

 1. HARMONIA FAMILJARE

Briana, * një adoleshente në Shtetet e Bashkuara, është e mendimit se i ati i jep mjaft rëndësi punës dhe parave që vijnë prej saj. Ajo shprehet: «Kemi çdo gjë, madje tepër. Por im atë nuk është kurrë në shtëpi, pasi është gjithnjë duke udhëtuar. E di që ndodh për shkak të punës, por ka përgjegjësi edhe për familjen!»

Për të menduar: Për çfarë mund të bëhet pishman i ati i Brianës në të ardhmen? Duke u dhënë tepër rëndësi gjërave materiale, si po ndikon kjo te lidhja me vajzën? Për çfarë ka nevojë më shumë se paratë familja e tij?

Parime biblike për t’u mbajtur parasysh:

  • «Dashuria për para sjell çdo lloj telashi. Disa i duan kaq shumë paratë sa i kanë . . . shkaktuar vetes shumë dhembje.»1 Timoteut 6:10, Contemporary English Version.

  • «Më mirë një pjatë me perime aty ku ka dashuri, se një dem i majmur bashkë me urrejtje.»Proverbat 15:17.

Përfundimi: Paraja s’e blen dot harmoninë familjare. Ajo vjen vetëm kur kalojmë kohë me familjen dhe i japim dashurinë dhe kujdesin e duhur.Kolosianëve 3:18-21.

 2. SIGURIA E VËRTETË

Sara 17-vjeçare thotë: «Mamaja ime i bie gjithnjë të njëjtit avaz: të martohem me një të pasur, të fitoj zanat që të kem një punë të mirë, e kështu ta fle mendjen për tërë jetën. Mendja i rri si e si të gjejë mënyra për të nxjerrë para.»

Për të menduar: Kur bën plane për të ardhmen, çfarë të shqetëson me vend? Në cilën pikë këto shqetësime e kalojnë kufirin dhe bëhen pa vend? Si mund të përcjellë mamaja e Sarës një pikëpamje më të ekuilibruar për sigurinë financiare?

Parime biblike për t’u mbajtur parasysh:

  • «Mos grumbulloni më thesare në tokë, ku brejnë mola dhe ndryshku, dhe ku hajdutët thyejnë e vjedhin.»Mateu 6:19.

  • «Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj.»Jakovi 4:14.

Përfundimi: Për ta pasur të sigurt të ardhmen, nuk mjafton vetëm të kesh para me thes. Në fund të fundit, paratë mund të na i vjedhin; nuk shërojnë dot sëmundjet a të parandalojnë vdekjen. (Eklisiastiu 7:12) Bibla mëson se siguria e vërtetë vjen kur njohim Perëndinë dhe qëllimin e tij.Gjoni 17:3.

 3. KËNAQJA ME AQ SA KEMI

«Prindërit më brumosën që të jetoja thjesht,—thotë Tanja 24-vjeçare.—Unë dhe motra binjake patëm fëmijëri të lumtur, edhe pse shumicën e rasteve kishim vetëm gjërat bazë.»

Për të menduar: Pse mund të jetë e vështirë të jesh i kënaqur kur ke vetëm gjërat e nevojshme? Çfarë shembulli lini në familje kur bëhet fjalë për paratë?

Parime biblike për t’u mbajtur parasysh:

  • «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.»1 Timoteut 6:8.

  • «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.»Mateu 5:3.

Përfundimi: Në jetë ka gjëra më të rëndësishme se paratë dhe se gjërat që mund të blihen me to. Bibla ka të drejtë kur thotë: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Vërtet, kënaqësia më e madhe në jetë vjen kur dimë përgjigjet e pyetjeve të rëndësishme, si:

  • Pse jemi këtu?

  • Si do të jetë e ardhmja?

  • Si ta plotësoj nevojën për të mësuar për Perëndinë?

Botuesit e kësaj reviste, Dëshmitarët e Jehovait, do të ishin të lumtur të të ndihmonin që të gjeje përgjigjet e këtyre pyetjeve.  

^ par. 8 Në këtë artikull, emrat janë ndryshuar.