Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Çfarë duhet të dish për epilepsinë?

Çfarë duhet të dish për epilepsinë?

NJË i njohur bie përtokë pa ndjenja. Trupi i ngurtësohet dhe koka e gjymtyrët nisin t’i përpëliten. Nëse e di që personi vuan nga epilepsia, mund ta ndihmosh siç duhet, derisa të vijë ndihma e mëtejshme. Le të mësojmë disa fakte bazë për këtë çrregullim që shpesh keqkuptohet.

Çfarë është epilepsia? Epilepsia është një çrregullim i trurit që shkakton sulme të shkurtra të quajtura kriza. E gjithë kriza zakonisht zgjat më pak se pesë minuta. Situata e përshkruar në hyrje të këtij artikulli është rast tipik i atyre që quhen kriza të forta.

Çfarë i shkakton krizat? Studiuesit mendojnë se krizat ndodhin kur ka një vërshim anormal të aktivitetit elektrik mes qelizave të trurit. Por arsyeja pse ndodh mbetet e paqartë.

Çfarë të bëj nëse shoh dikë me epilepsi tek kalon një krizë të fortë? Enciklopedia e trurit dhe e çrregullimeve të trurit (anglisht) thotë: «Të pranishmit nuk duhet të ndërhyjnë gjatë krizës apo ta prekin personin, veç të sigurohen që nuk është në ndonjë rrezik fizik dhe që merr frymë.» Nga ana tjetër, në libër thuhet: «Nëse kriza zgjat më tepër se pesë minuta, nëse ka një krizë tjetër fill pas së parës ose nëse i sëmuri nuk e merr veten brenda pak minutash pas krizës, duhet lajmëruar ambulanca.»

Çfarë të bëj kur personi ka një krizë? Vëri diçka të butë poshtë kokës dhe hiqi çfarëdo objekti të mprehtë që ka në kokë. Kur përpëlitjet të mbarojnë, ktheje anash, siç tregohet te figura shoqëruese.

Çfarë të bëj kur i sëmuri të përmendet? Së pari, siguroje se çdo gjë është në rregull. Pastaj ndihmoje të ngrihet dhe çoje në një vend ku të pushojë. Shumica janë të pështjelluar e të përgjumur pas krizave, kurse të tjerë e marrin veten shpejt dhe vazhdojnë atë që po bënin më parë.

A janë të gjitha krizat epileptike me përpëlitje? Jo. Disa të sëmurë kalojnë momente pavetëdijeje, pa rënë përtokë. Kjo quhet kriza e lehtë (ose kriza e humbjes së vetëdijes), e cila zakonisht nuk zgjat dhe nuk ka pasoja afatgjata. Disa me epilepsi kalojnë kriza të lehta të zgjatura, që shkojnë disa minuta. Në këto raste, pacienti mund të endet nëpër dhomë, të shqyejë rrobat ose të sillet çuditshëm.  Pas krizës, mund të ndihet i trullosur.

Ç’do të thotë të jetosh me epilepsinë? Kuptohet që shumë veta me epilepsi janë vazhdimisht të frikësuar se kur dhe ku do të ndodhë kriza e radhës. Për të shmangur sikletin, parapëlqejnë të mos përfshihen në raste shoqërore.

Si ta ndihmoj dikë me epilepsi? Nxite të shprehet. Ji dëgjues i mirë. Pyete se çfarë do që të bësh nëse ka një krizë. Meqë shumë me epilepsi nuk i japin makinës, ndoshta mund ta shoqërosh me makinë ose të kryesh ndonjë porosi për të.

A mund të rrallohen krizat, madje të parandalohen? Ka disa faktorë që rritin mundësinë e krizave, siç janë stresi dhe mungesa e gjumit. Ja pse ekspertët i nxitin epileptikët të pushojnë mjaftueshëm dhe të bëjnë rregullisht ushtrime që të ulin stresin. Në disa raste, edhe ilaçet ndihmojnë që të parandalohen krizat.