Çfarë është depresioni?

«E kam humbur toruan, jam kërrusur fare, gjithë ditën e ditës endem i trishtuar.»Psalmi 38:6.

ÇFARË THONË STUDIUESIT?

Të gjithë ndihemi të dëshpëruar herë pas here, por depresioni i rëndë është një çrregullim sfilitës i vazhdueshëm që vështirëson aktivitetet e përditshme. Vlen të përmendet se jo të gjithë specialistët bien dakord për atë që e dallon trishtimin «normal» nga «çrregullimi». Por ajo që është e sigurt është se disa njerëz kanë ndjenja tejet negative, që ndonjëherë shoqërohen me ndjenja pavlefshmërie dhe ndjenja të tepruara faji.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Bibla flet për shumë burra e gra që patën ndjenja negative. Për shembull, Hana ishte «me shpirt të hidhëruar», një shprehje që është përkthyer «me zemër të thyer» dhe «thellësisht e dëshpëruar». (1 Samuelit 1:10) Njëherë, profeti Elija ishte kaq i pikëlluar, sa iu lut Perëndisë që t’ia merrte jetën.1 Mbretërve 19:4.

Të krishterët e shekullit të parë morën nxitjen ‘t’u flitnin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’. (1 Selanikasve 5:14) Sipas një vepre referimi, termi ‘shpirtra të dëshpëruar’ mund t’u referohet atyre «që për njëfarë kohe streset e jetës i kanë vënë përfund». Qartë, edhe burrat e gratë besnike që përmend Bibla, ndonjëherë ndiheshin të dëshpëruar.

 A e ka fajin ai që vuan nga depresioni?

«E gjithë krijesa—vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.»Romakëve 8:22.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Bibla mëson se sëmundjet janë pasojë e rebelimit të çiftit të parë njerëzor. Për shembull, Psalmi 51:5 thotë: «Në faj erdha në dritë mes dhembjeve të lindjes dhe në mëkat më ngjizi nëna ime.» Dhe Romakëve 5:12 shpjegon se «ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit, njeriut të parë], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar». Ngaqë kemi trashëguar papërsosmërinë nga Adami, çdonjëri prej nesh ka prirjen të sëmuret, si fizikisht, edhe emocionalisht. Si pasojë, Bibla thotë se «e gjithë krijesa—vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku». (Romakëve 8:22) Gjithsesi, Bibla jep edhe një shpresë që asnjë mjek s’mund të na e japë: premtimin e Perëndisë për një botë të re e paqësore në të cilën nuk do të ketë asnjë sëmundje dhe asnjë çrregullim, ku përfshihet edhe depresioni.Zbulesa 21:4.

Si mund ta përballosh depresionin?

«Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»Psalmi 34:18.

PSE KA RËNDËSI?

Jo gjithmonë rrethanat varen nga ti dhe, ndonjëherë, mund të të ndodhin gjëra të këqija. (Eklisiastiu 9:11, 12) Megjithatë mund të ndërmarrësh hapa praktikë që ndjenjat negative të mos të mposhtin.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Bibla e pranon se ata që janë të sëmurë, kanë nevojë për mjek. (Luka 5:31) Prandaj, nëse vuan nga ndonjë çrregullim humori që të shteron fuqitë, s’ka asgjë të gabuar të kërkosh ndihmë mjekësore. Gjithashtu, Bibla thekson vlerën e lutjes. Për shembull, Psalmi 55:22 thotë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» Lutja nuk është thjesht lehtësim psikologjik; është komunikim real me Perëndinë Jehova, i cili «u rri pranë zemërthyerve».Psalmi 34:18.

Mund të nxjerrësh dobi edhe kur ia zbraz ndjenjat një miku të ngushtë. (Proverbat 17:17) Daniela, një Dëshmitare e Jehovait, thotë: «Një bashkëbesimtar më nxiti me butësi të flisja për depresionin. Megjithëse kisha vite që i shmangia biseda të tilla, shpejt e kuptova se pikërisht këtë duhej të kisha bërë që në fillim. U habita sa e lehtësuar u ndjeva më pas.»