Shtetet e Bashkuara

Çdo ditë, më shumë se 20 ish-anëtarë të forcave të armatosura të SHBA-së kryejnë vetëvrasje. Çdo muaj, rreth 950 veteranë që marrin përkujdesje nga Departamenti për Çështjet e Veteranëve në SHBA, përpiqen të kryejnë vetëvrasje.

Kinë

China Daily raporton se «thuajse gjysma e grave nën moshën 30-vjeçare që migrojnë për punë, ngelin shtatzënë para se të martohen. Kjo është një rritje drastike në numrin e nënave të pamartuara [kineze], në krahasim me një brez më parë». Gjithashtu thuhet se shoqëria kineze është «më tolerante ndaj . . . bashkëjetesës së të pamartuarve».

Greqi

Greqia po përjeton rishfaqjen e malaries, sëmundje pothuajse e fshirë nga vendi në vitin 1974. Shkaktarët janë mjerimi ekonomik dhe mungesa e fondeve për kujdesin shëndetësor publik.

Indi

Një anketë tregoi se, me gjithë ndryshimet e shpejta sociale, 74 për qind e të anketuarve akoma preferojnë më shumë martesat me mblesëri, sesa ato me dashuri. Edhe një numër mbresëlënës prej 89 për qind, parapëlqejnë jetesën me të afërmit në vend të jetesës në bërthamën familjare, që përbëhet nga prindërit dhe fëmijët.

Itali

«Kisha [Katolike] është e këputur në Evropën e zhvilluar dhe në Amerikë. Kultura jonë është e vjetruar, kishat tona janë të mëdha, manastiret janë bosh dhe burokracia kishtare sa vjen e shtohet, ritet dhe veshjet tona janë pompoze. . . . Kisha ka ngelur 200 vjet prapa.»—Intervistë me Karlo-Maria Martini, botuar pas vdekjes në Corriere della Sera.