Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 INTERVISTË | IRENA HOF-LORENSO

Një kirurge ortopede shpjegon besimin e saj

Një kirurge ortopede shpjegon besimin e saj

Dr. Irena Hof-Lorenso është kirurge ortopede në Zvicër. Dikur dyshonte për ekzistencën e Perëndisë. Por, disa vjet më vonë, arriti në përfundimin se Perëndia ekziston dhe se është Krijuesi i jetës. Zgjohuni! i bëri disa pyetje për punën dhe besimin e saj.

Çfarë ta ngjalli interesin për shkencën?

Që fëmijë, natyra më magjepste. U rrita në Riktersvil, një fshat i bukur zviceran buzë Liqenit të Zyrihut. Kur dilja shëtitje me prindërit, si edhe me vëllanë e motrën më të madhe, më flitnin për krijesat e bimët që shihnim gjatë rrugës.

Pse zgjodhe kirurgjinë ortopedike?

Për njëfarë kohe, babai punoi si ndihmësmjek në një sallë operacioni në një spital vendës. Nga gjëra që shihte, fliste tërë gjallëri për kirurgjinë. Entuziazmi i tij ishte aq ngjitës, sa e zgjodha si profesion kirurgjinë. U specializova për kirurgji ortopedike sepse më pëlqejnë aspektet mekanike të kësaj fushe. Për të riparuar kockat, muskujt dhe tendinat falë të cilave lëvizim, kirurgët ortopedë duhet të mendojnë si inxhinierët.

Mbi të gjitha, kënaqem kur shoh që pacientëve të mi u përmirësohet shëndeti. Më pëlqen shumë t’i ndihmoj njerëzit.

Pse dyshoje për ekzistencën e Perëndisë?

Dyshimet më filluan në rini dhe për këtë ndikuan sidomos dy faktorë. Së pari, zbulova se disa mësues të kishës ishin imoralë, diçka që më pështjelloi tej mase. Së dyti, në shkollë, disa nga mësuesit e biologjisë besonin tek evolucioni—mësim që e pranova veçanërisht kur hyra në fakultet.

Pse e pranove evolucionin?

U besoja profesorëve. Për më tepër, mendoja se ngjashmëria anatomike mes disa lloje kafshësh tregonte se kishin të njëjtën prejardhje dhe mbështeste konceptin se mutacionet gjenetike sjellin lloje të reja.

 Por, me kalimin e kohës, ndryshove mendje. Pse?

Një shok më ftoi në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Më bëri përshtypje kongregacioni miqësor dhe fjalimet informative. Më vonë, erdhi të më takonte në shtëpi një zonjë e këndshme nga ai kongregacion. E pyeta: «Nga ta di me siguri se Bibla është e vërtetë?»

Ajo më tregoi disa profeci biblike për shumë ngjarje që po ndodhin në kohët tona. Një shembull është profecia e Jezuit se ditët e fundit të botës së sotme do të dalloheshin nga luftëra ndërkombëtare, «tërmete të mëdha», «murtaja dhe mungesë ushqimi» në mjaft vende. * Gjithashtu përmendi profeci që parathoshin prishjen e shoqërisë, rritjen e lakmisë e gjëra të tjera të këqija që i shohim me shumicë sot. * S’kaloi shumë dhe nisa të studioja Biblën me dëshirë të zjarrtë. Shpejt kuptova se parashikimet e saj dalin gjithnjë të vërteta. Po ashtu, fillova të rishqyrtoja pikëpamjet e mia për origjinën e jetës.

A të ndihmuan kërkimet mjekësore në arsyetimin rreth origjinës së jetës?

Po. Kur nisa të studioja Biblën, po bëja kërkime për kirurgjinë e gjurit. Nga fundi i viteve 60 të shekullit të 20-të, shkencëtarët filluan ta kuptonin më mirë mekanizmin e ndërlikuar të gjurit. Kuptuan se gjuri nuk përthyhet vetëm në një drejtim si të ishte menteshë. Përkundrazi rrotullohet e rrëshqet—një kombinim gjenial që bën të mundur lëvizjet e panumërta të gjurit, falë të cilave ecim, kërcejmë, bëjmë patinazh e plot gjëra të tjera.

Për rreth 40 vjet, studiuesit janë përpjekur të projektojnë gjurin artificial. Por ndërlikimi i gjurit të njeriut e bën të vështirë ta rikrijosh tamam siç është. Përveç kësaj, kur krahasohet me gjurin tonë, gjuri artificial nuk është edhe aq jetëgjatë. Edhe duke përdorur materialet më cilësore, projektuesit e gjurit artificial janë të kënaqur nëse protezat zgjasin 20 vjet. Sigurisht që gjuri ynë përbëhet nga qeliza të gjalla, të cilat ripërtërihen vazhdimisht. Për mua, gjuri s’erdhi rastësisht me anë të evolucionit, por është dëshmi e mençurisë së Perëndisë.

Ç’mendon për mutacionet dhe ngjashmërinë anatomike mes disa llojeve?

Kjo ngjashmëri dëshmon për një Projektues. Gjithashtu, mutacionet nuk i përmirësojnë organizmat e gjallë duke i ngritur një shkallë më lart. Përkundrazi, mutacionet më tepër i dëmtojnë gjenet. Ka raste kur një aksident sjell diçka të mirë, si për shembull, një tren përplaset me një urë dhe e prish. E gjithë kjo e mbron qytetin nga ushtria pushtuese. Por ky aksident nuk e përmirëson qytetin. Po ashtu, mutacionet nuk i përmirësojnë organizmat. Ato nuk mund të sjellin kurrë diçka të projektuar kaq mrekullisht sa gjuri njerëzor, për të mos përmendur pjesë të tjera të trupit tonë.

Mutacionet nuk mund të sjellin kurrë diçka të projektuar kaq mrekullisht sa gjuri njerëzor

Pse u bëre Dëshmitare e Jehovait?

Jeta ime u përmirësua ndjeshëm kur nisa të zbatoja parimet biblike. Në vitin 2003, shkova në një kongres ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait ku pashë unitet të jashtëzakonshëm si të ishin familje, madje edhe mes delegatëve që nuk ishin takuar kurrë më parë. E donin vërtet njëri-tjetrin dhe doja të isha pjesë e kësaj vëllazërie.