KUR një kafshë nis gjumin letargjik, temperatura e trupit i bie. Sa bie? Në një studim me 12 ketra arktikë të nëntokës, duket se u vendos një rekord kur temperatura e trupit të tyre ra deri në minus 2,9 gradë celsius. Në këtë temperaturë, do të pritnim që truri t’u ngrinte. Si mbijeton ky ketër?

Shqyrto faktet: Çdo dy ose tri javë gjatë gjumit dimëror, ketri arktik i nëntokës dridhet që të rritë sërish temperaturën normale të trupit, 36,4 gradë celsius, dhe nuk i ulet më për afro 12 deri 15 orë. Studiuesit thonë se kjo periudhë ngrohjeje, megjithëse e shkurtër, luan rol për mbijetesën e trurit. Për më tepër, gjatë gjumit dimëror koka e ketrit arktik duket se mbetet pak më e ngrohtë se pjesa tjetër e trupit. Gjatë eksperimenteve në laborator, temperatura e qafës së ketrave të përmendur më sipër, nuk ra kurrë më poshtë se 0,7 gradë celsius.

Kur ketri zgjohet nga gjumi dimëror, truri kthehet në aktivitetin normal për rreth dy orë. Në fakt, një studim tregon se truri i ketrit punon edhe më mirë pas gjumit dimëror! Ekspertët befasohen sa shpejt e merr veten ketri. Ata e krahasojnë me bimësinë e re që del brenda pak ditësh nga toka e shkrumbuar e një pylli të djegur.

Studiuesit shpresojnë që studimi i tyre për ketrin arktik t’i ndihmojë të kuptojnë më mirë potencialin e trurit të njeriut. Synimi i tyre është të mësojnë më shumë si të parandalojnë ose të prapësojnë dëmtimin e qelizave nga sëmundjet e trurit, si sëmundja e Alcajmerit.

Si mendon? A erdhi me evolucion truri rezistent i ketrit arktik të nëntokës? Apo është projektuar?