LINDA në vitin 1965 në një familje të varfër në Irlandën e Veriut. U rrita në krahinën Derry gjatë periudhës së Trazirave, konfliktit të egër mes katolikëve e protestantëve, që zgjati më se 30 vjet. Pakica katolike ndihej e diskriminuar nga maxhoranca protestante, e cila i akuzonte për praktika të padrejta ku përfshiheshin zgjedhjet, rendi, punësimi dhe strehimi.

Kudo shihja padrejtësi dhe pabarazi. S’mbahet mend sa herë më rrahën, më tërhoqën me forcë nga makina e më drejtuan armën. Sa e sa herë policia e ushtarët më morën në pyetje e më kërkuan. Më dukej vetja viktimë dhe mendoja: «Ose e pranoj këtë, ose luftoj.»

Në vitin 1972, mora pjesë në marshimet e së Dielës së Përgjakshme (Bloody Sunday), në kujtim të 14 vetave që u qëlluan për vdekje me armë nga ushtarët britanikë, si edhe në marshimet e grevës së urisë, të cilat nderonin të burgosurit republikanë që vdiqën nga uria në vitin 1981. Ngrija flamuj të ndaluar dhe bëja shkarravina antibritanike ku të mundja.  Dukej sikur gjithnjë kishte një tjetër mizori ose vrasje ndaj një katoliku, kundër së cilës duhej protestuar. Ajo që niste si paradë ose marshim, shpejt shndërrohej në protestë masive.

Kur isha në fakultet, u futa në protestat studentore për mjedisin. Më vonë shkova të jetoja në Londër dhe u futa në marshimet socialiste kundër politikave qeveritare që favorizonin të pasurit e mëdhenj në kurriz të të varfërve. Mora pjesë në grevat sindikaliste kundër shkurtimit të rrogave dhe në marshimin për taksën e votës në vitin 1990, gjatë të cilit protestuesit dëmtuan rëndë sheshin Trafalgar.

Por, me kalimin e kohës, u zhgënjeva. Në vend që të arrinin synimet tona, protestat i frynin zjarrit të urrejtjes.

Me gjithë qëllimet fisnike, njeriu s’mund të sjellë drejtësi dhe barazi

Në këtë kohë, një shok më prezantoi me Dëshmitarët e Jehovait. Ata më mësuan nga Bibla se Perëndia interesohet për vuajtjet tona dhe se do të eliminojë të gjitha dëmet e shkaktuara nga njeriu. (Isaia 65:17; Zbulesa 21:3, 4) Me gjithë qëllimet fisnike, njeriu s’mund të sjellë drejtësi dhe barazi. Jo vetëm kemi nevojë për drejtimin e Perëndisë, por edhe për fuqinë e tij që të mposhtim forcat e padukshme pas problemeve botërore.Jeremia 10:23; Efesianëve 6:12.

Tani mendoj se protestat e mia kundër padrejtësive ishin një vrimë në ujë. Sa u lehtësova pasi mësova se do të vijë koha kur s’do të ketë më padrejtësi në këtë planet, kur të gjithë njerëzit do të jenë të barabartë!

Bibla mëson se Perëndia Jehova «e do drejtësinë». (Psalmi 37:28) Kjo është një arsye pse të jemi të sigurt se ai do të sjellë drejtësi në atë mënyrë që qeveritë njerëzore s’e bëjnë dot. (Danieli 2:44) Nëse dëshiron të dish më shumë, kontakto Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde ose hyr në sitin tonë www.jw.org/sq.