Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Si të mos prishësh tepër para?

Si të mos prishësh tepër para?

Përveç presionit që vjen nga jashtë, për shembull nga reklamat, ato që na shtyjnë të shpenzojmë mund të jenë edhe vetë ndjenjat e zakonet tona. Më poshtë renditen gjashtë sugjerime si të përmbahesh kur blen.

  1. Shmang blerjet impulsive. A të entuziazmon ideja e blerjes dhe e uljeve? Nëse po, mund të kesh prirjen të bësh blerje impulsive. Për t’u përmbajtur, mos u nxito dhe shqyrto me ndershmëri pasojat nëse e blen, e zotëron ose e mirëmban atë që dëshiron të blesh. Ndalu dhe kujto blerjet e mëparshme impulsive për të cilat je bërë pishman. Lëri vetes pak kohë për të menduar me qetësi para se të vendosësh përfundimisht.

  2. Mos bëj shopping për të ngritur humorin. Shopping mund të të nxjerrë për pak kohë nga dëshpërimi. Por, kur rikthehen ndjenjat negative, nxitja e brendshme për të kërkuar ngushëllim te blerjet mund të jetë edhe më e fortë. Në vend të kësaj, kërko mbështetjen e miqve ose bëj ndonjë aktivitet fizik, për shembull një shëtitje.

  3.   Mos e konsidero argëtim. Qendrat tregtare e kanë kthyer blerjen në argëtim. Edhe pse mund të shkosh në qendër tregtare thjesht për një xhiro ose të lundrosh në Internet kot për qejf, shumë nga ato që sheh janë bërë që të të shtyjnë të blesh. Shko vetëm kur të duhet diçka konkrete dhe përmbaju planit.

  4. Zgjidhe shoqërinë me kujdes. Mënyra e jetesës së miqve dhe bisedat e tyre ndikojnë jashtë mase te dëshirat e tua. Nëse po shpenzon tepër për të qenë në lartësinë e tyre, atëherë zgjidh miq që u japin më pak rëndësi parave dhe gjërave materiale.

  5. Përdori kartat e kreditit me mençuri. Kartat e kreditit ta bëjnë më të lehtë të blesh pa marrë parasysh pasojat. Përpiqu të paguash çdo muaj gjithë detyrimin ndaj bankës. Informohu për normat e interesit dhe komisionet e kartës së kreditit dhe krahasoji ofertat e tyre që të gjesh kartën më ekonomike. Hap sytë me kartat që kanë tarifa të larta dhe oferta që nuk të hyjnë në punë. Kur të duhet të blesh gjëra të mëdha, në vend që të blesh me kredi, kursé dhe bli me para në dorë.

  6. Mbaji në kontroll të ardhurat. Është e lehtë ta teprosh me shpenzimet nëse nuk e ke idenë e gjendjes sate të përgjithshme financiare. Mbaji mirë llogaritë dhe ji në dijeni të të ardhurave në tërësi. Bëj një plan mujor të shpenzimeve duke u bazuar te sasia e të ardhurave dhe te shpenzimet e kaluara. Kontrollo shpenzimet dhe krahasoji me planin tënd. Për të kuptuar çështjet financiare që i ke të vështira, kërkoji ndihmë një miku të besuar.