«Kur errësohej, zakonisht shkoja në shtëpi në këmbë me miqtë e mi. Por një mbrëmje isha shumë e lodhur dhe mendova të merrja një taksi.

Në vend që të më çonte në shtëpi, taksisti më çoi në një fushë të shkretë ku u përpoq të më përdhunonte. Ulërita me sa kisha në kokë dhe ai u spraps. Kur bëri të më afrohej prapë, bërtita dhe ia mbatha vrapit.

Në të kaluarën mendoja shpesh: ‘Sa ndihmon e bërtitura?’ Por nga përvoja mësova që ndihmon goxha!»—KERINA. *

NË SHUMË vende, krimi është pjesë e pandashme e jetës. Për shembull, një gjykatës pohoi: «Realiteti i hidhur është jo nëse do të jesh, por kur do të jesh ti viktima.» Në vende të tjera, krimi është më pak i përhapur. Nëse është kështu në vendin tënd, nuk është e mençur të flesh mbi dafina, sepse kjo të bën pre më të lehtë.

Pavarësisht se ku jeton, si mund ta bësh jetën më të sigurt për veten dhe familjen tënde? Një hap praktik që mund të marrësh është t’i vësh veshin këtij parimi në Bibël: «I mençuri e sheh rrezikun dhe e shmang, kurse budallai shkon tutje dhe futet në telashe.» (Proverbat 22:3, New Century Version) Edhe autoritetet e policisë përkrahin shmangien e krimit, domethënë marrjen e masave parandaluese.

Krimi nuk sjell vetëm dëmtime fizike e humbje materiale. Shumë njerëz pësojnë edhe trauma psikike dhe emocionale që zgjatin për vite. Prandaj është tepër e rëndësishme të bëjmë ç’është e arsyeshme për të qenë sa më të sigurt. Me këtë në mendje, shiko çfarë masash mund të marrësh për t’u mbrojtur nga katër lloje krimesh: grabitja, sulmi seksual, krimi kibernetik dhe vjedhja e identitetit.

 GRABITJA

Çfarë përfshin? Grabitja është vjedhje me dhunë ose me kërcënim.

Si ndikon te njerëzit? Pas një sërë grabitjesh me armë në Britani, një prokurore vuri re se, megjithëse viktimat nuk kishin pësuar dëme fizike, të gjithë vuanin nga ana psikologjike. «Disa prej tyre tregojnë se kanë ankth të vazhdueshëm dhe probleme me gjumin,—pohon prokurorja,—dhe gati të gjithë thonë se, ajo që kanë kaluar, ka ndikuar jashtë mase në aktivitetet e përditshme.»

Ç’mund të bësh?

  • Hajdutët janë oportunistë; bëji sytë katër

    Bëji sytë katër. Hajdutët janë oportunistë. U pëlqen të bëjnë pre ata që nuk dyshojnë. Prandaj shiko ata që po të shohin, vër re çfarë ke përreth dhe mos e humb ose mos e mpi gjykimin e kthjellët duke pirë tepër a duke përdorur drogë. Një enciklopedi për shëndetin thotë se, «kur dikush pi alkool ose merr drogë», e ka më të vështirë «të mendojë me kthjelltësi dhe të nuhasë një situatë të rrezikshme».

  • Siguro zotërimet. Merr masa që automjeti, dyert e dritaret e shtëpisë të jenë të sigurta. Mos prano kurrë një të huaj. Mos i nxirr sheshit gjërat me vlerë; mos shit mend me to. «Mençuria është me modestët»,—thuhet te Proverbat 11:2. Hajdutët, që mund të jenë edhe fëmijë të mjerë, shpesh piketojnë njerëz që kapardisen me bizhuteri dhe pajisje elektronike të shtrenjta.

  • Kërko këshilla. «Udha e tij i duket e drejtë të marrit, por i mençur është ai që e dëgjon këshillën.» (Proverbat 12:15) Nëse do të shkosh diku, vëru veshin këshillave të banorëve të atjeshëm që janë të mirinformuar, siç mund të jetë policia. Mund të të tregojnë vendet që duhet të shmangësh dhe si të mbrosh veten e gjërat e tua.

SULMI SEKSUAL

Çfarë përfshin? Në sulmet seksuale nuk futen vetëm përdhunimet, por edhe veprime të tjera seksuale që bëhen nën kërcënim, me dhunë ose nga frika.

Si ndikon te njerëzit? «E vërteta e hidhur është se nuk ndihesh keq vetëm në momentin që po abuzojnë me ty,—shpjegon një e përdhunuar.—Ajo që ke përjetuar të mbetet në mendje, të persekuton për një kohë të gjatë dhe të ndryshon pikëpamjen për jetën. Madje edhe familjarëve ua ndryshon jetën.» Sigurisht, viktimat e përdhunimit nuk mbajnë përgjegjësi për sulmin seksual. Përgjegjësia është vetëm e atij që sulmon.

Ç’mund të bësh?

  • Vëri veshin instinktit. «Nëse nuk ndihesh rehat në një vend ose me dikë, ik,—këshillon një rajon policie në Karolinën e Veriut, SHBA.—Mos dëgjo askënd që do të të bindë të qëndrosh nëse instinkti të thotë të kundërtën.»

  • Vepro i sigurt në vetvete; mos u shpërqendro. Grabitqarët seksualë gjuajnë ato që duken të brishta dhe naive. Prandaj ec e sigurt në vetvete dhe hapi sytë.

  • Reago menjëherë. Bërtit. (Ligji i përtërirë 22:25-27) Mbathja ose lufto për t’u mbrojtur duke bërë diçka që ai nuk e pret.  Dhe, nëse është e mundur, ik me vrap në një vend të sigurt e telefonoji policisë. *

KRIMI KIBERNETIK

Çfarë përfshin? Krimi kibernetik u referohet krimeve të bëra nëpërmjet Internetit, si për shembull mashtrimet që bëhen me taksat, me asistencën, me kartën e kreditit dhe me mosdërgimin e gjërave të blera. Këtu përfshihen edhe mashtrimet me investimet dhe me ankandet online.

Si ndikon te njerëzit? Krimi kibernetik u kushton viktimave dhe shoqërisë njerëzore miliarda dollarë. Ja një shembull. Sandra mori një email dhe mendoi se i vinte nga banka e saj. Në email i kërkohej të përditësonte të dhënat bankare në Internet. Disa minuta pasi dërgoi të dhënat personale, u trondit kur pa se nga llogaria e saj ishin transferuar 4.000 dollarë amerikanë në një llogari tjetër jashtë shtetit. Shpejt Sandra zbuloi që e kishin mashtruar.

Ç’mund të bësh?

  • Ji syçelë! Mos u mashtro nga faqet ueb që duken serioze dhe ki parasysh se institucionet financiare të besueshme nuk të kërkojnë të dërgosh me email informacione tepër konfidenciale. Para se të blesh ose të investosh online, sigurohu për reputacionin e kompanisë. «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij»,—thuhet te Proverbat 14:15. Gjithashtu, ki kujdes kur ke të bësh me kompani në shtete të tjera. Nëse lindin probleme, mund të jetë më e vështirë për t’i zgjidhur.

  • Mëso për kompaninë dhe kriteret e saj. Pyet veten: «Ku gjendet kjo kompani? A është i saktë numri i telefonit? A përfshihen në çmim edhe pagesa të tjera që nuk i di? Kur do të vijë porosia ime? A mund ta kthej ose të më kthehen paratë?»

  • Dysho nëse një ofertë duket tepër e bukur. Lakmitarët dhe ata që duan të fitojnë nga hiçi janë shënjestra kryesore e hajdutëve online. Ata mund të përdorin si karrem rroga të mëdha për një punë të vogël, kredi ose kartë krediti, edhe pse mund të kesh një reputacion të keq si kreditor, ose interesa të mëdha për investime «të parrezikshme». «Mos u nxito, por zhbiro sa e besueshme është një ofertë investimi,—thotë Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-së (KFT).—Sa më të larta të jenë interesat e premtuara, aq më i madh është rreziku. Mos bjer pre e presionit të reklamuesit që përpiqet të të bindë të bësh një investim, pa u siguruar që është i besueshëm.»

VJEDHJA E IDENTITETIT

Çfarë përfshin? Vjedhja e identitetit ndodh kur merren pa të drejtë të dhënat personale të dikujt dhe përdoren për të mashtruar për arsye fitimi ose për të bërë ndonjë krim tjetër.

Si ndikon te njerëzit? Hajdutët mund t’i përdorin të dhënat për të marrë një kartë krediti, një kredi ose për të hapur llogari të reja. Pastaj mblidhen borxhe në emrin tënd. Edhe nëse arrin të zbardhësh të vërtetën e t’i anulosh borxhet, reputacioni yt me bankat mund të njolloset për vite me radhë. «Reputacioni i keq si kreditor, ndikon në gjithçka; është më keq se të të vjedhin paratë»,—thotë një viktimë.

Ç’mund të bësh?

  • Mbro informacionet delikate. Nëse blen ose kryen procedura bankare online, ndryshoji fjalëkalimet rregullisht, sidomos nëse ke përdorur një kompjuter publik. Dhe, siç u tha më lart, mos u zër besë fare email-eve që kërkojnë informacione personale delikate.

     Hajdutët e identitetit nuk përdorin vetëm kompjuterin. Përdorin çdo mjet të mundshëm për të shtënë në dorë dokumente të rëndësishme, si: bilancin bankar, blloqet e çeqeve, kartat e kreditit dhe numrin e sigurimeve shoqërore. Prandaj ruaji mirë këto informacione dhe copëto çdo dokument delikat para se t’i hedhësh. Sigurisht, nëse dyshon se ke humbur ose të kanë vjedhur një dokument, vër menjëherë në dijeni institucionet përkatëse.

  • Kontrollo vazhdimisht llogaritë. «Që të luftosh me sukses vjedhjen e identitetit . . . duhet të jesh i mirinformuar»,—thotë KFT-ja. Pastaj shton: «Zbulimi që në fillim i një vjedhjeje të mundshme identiteti, mund të përbëjë goxha ndryshim.» Prandaj kontrollo rregullisht llogaritë dhe shiko me vëmendje nëse ka ndonjë lëvizje parash të dyshimtë. Bankat zakonisht i njoftojnë klientët nëse vënë re ndonjë lëvizje të dyshimtë. * Prapëseprapë, këshillohet që ti vetë ta kontrollosh bilancin e llogarive ose të kartave të kreditit në emrin tënd, sapo ta marrësh.

Kuptohet, në botën e sotme asgjë nuk ka garanci. Edhe më të kujdesshmit kanë rënë viktimë e krimit. Megjithatë, është gjithmonë në të mirën tonë nëse i vëmë veshin mençurisë dhe kuptueshmërisë që gjendet në Bibël. «Mos e lër mençurinë, dhe ajo do të të ruajë. Duaje, dhe ajo do të të mbrojë.» (Proverbat 4:6) Ç’është më e bukura, Bibla premton se krimi do të marrë fund.

Së shpejti krimi do të marrë fund

Pse mund të kemi besim se Perëndia do t’i japë fund krimit? Ja çfarë thotë Bibla:

  • Perëndia do që t’i japë fund krimit. «Unë, Jehovai, e dua drejtësinë dhe e urrej grabitjen e padrejtësinë.»Isaia 61:8.

  • Ka fuqi t’i japë fund krimit. «S’ka më të fuqishëm se Ai. Është i drejtë dhe i mirë.»Jobi 37:23, New Life Version.

  • Ka premtuar se do të shkatërrojë të ligun dhe do të mbrojë të drejtin. «Keqbërësit do të shfarosen.» «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»Psalmi 37:9, 29.

  • U ka premtuar besnikëve të tij një botë të re paqësore. «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»Psalmi 37:11.

A nuk të prekin zemrën këto fjalë?! Nëse po, të lutemi të shqyrtosh Biblën për të mësuar më shumë rreth qëllimit të Perëndisë për njerëzimin. Asnjë libër tjetër nuk është kaq i pasur me mençuri praktike. Dhe asnjë libër tjetër nuk na jep një shpresë të vërtetë për një të ardhme pa krime. *

Perëndia premton një botë të re paqësore ku nuk do të ketë krime

^ par. 5 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 22 Shumica e viktimave të sulmeve seksuale e njohin sulmuesin. Për më shumë informacion, shih artikullin «Si të mbrohem nga grabitqarët seksualë?» në faqen 228 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 1. Këtë libër mund ta gjesh online në www.jw.org/sq.

^ par. 36 Në disa vende ka agjenci të besueshme që kontrollojnë llogaritë kundrejt një pagese dhe të njoftojnë për çdo ndryshim ose lëvizje parash të dyshimtë.

^ par. 44 Mund të gjesh më shumë informacion për mësime të rëndësishme biblike në librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Mund të marrësh një kopje falas nga Dëshmitarët e Jehovait ose ta lexosh online në www.jw.org/sq.